Friday, 12 August 2011
Shkëlqimi dhe ...
11 Maj 97
Ishin një grusht djemsh që brenda dy orëve u instaluan në bri të pallatit ku banoja unë. Pas murit të shkollës ishte një shesh më pak se 400 metro katrore që fillonte nën strehën e disa shtëpive të ulta e private. Montuan një top 75 m/m si dhe një 12.7 mbi taracën e një prej banorëve aty. Të nesërmen ngjitën edhe dy mitroloza të lehtë e një 12.7 lart mbi taracën e pallatit tim. Transportuan një arsenal municionesh që isht për tu patur zili. Për këtë mobilizuan edhe të vegjëlit e dy pallateve që kishin dalë të luanin në mesditë midis pushimit të dy godinave hijerëndë.
Kishte fushëpamje.
Rreth topit vendosën thasë me rërë e krijuan një pozicion ideal. Pastaj caktuan një skuadër e cila do të niste shërbimin e pjesa tjetër u " instalua " në klubin e Vaçes, poshtë pallatit tim. Nxorën dy tavolina dhe i mbushën me pije, kryesisht birrë. Nuk munguan edhe pjatanca me salçiçe të sapongrohura...
Që nga ajo ditë ata ishin të përhershëm midis nesh. Mjetet e rënda luftarake u bënë si të thuash një dekoracion që nuk na mungoi më në atë kohë të veshtirë.
- Po u mbrojmë që të gjithëve - kishte thënë në ditën e tretë një esmer që bënte pjesë në grupin e djemëve të armëve.
- Po ne nuk kemi armiq, të keqen nëna - kishte thënë Nashi komshija e katit të katërt.
-Fute kokën brenda moj plakë. Paske llafe shumë ti. Nuk e sheh që nuk ka shtet? - i u përgjigj esmeri.
Sidoqoftë tani na ishte servirur edhe " armiku " imagjinar. Duhej që të jetonim "si në rrethim"
Ime shoqe nuk duroi më. Derdhi lot e mori dy djemtë. Shkoi në Fier tek motra ime . Atje, të paktën nuk kishte mbi kokë armatime e situacion luftarak si ky i yni.Ishte një i dehur që zbrazte ndonjë karrikatore një herë në dy ditë dhe pastaj , qetësi.
Tjetër punë kjo e djemëve tanë.
Një grua në katin e parë që bënte edhe agjensinë e lajmeve të pallatit na njoftoi se kishte mbritur rreth nesh grupi i të fortëve të Elbasanit.
- Janë ata që kanë luftuar me ata të lagjes " vullnetari " - na tha ajo që në orët e para të mbritjes së tyre.
Pra, këndej e tutje do të ishim si pallat nën shënjestrën e " armikut " të të paftuarve tanë. Përballë kishim " Kryqëzimin e Cërrikut " nga mund që të vinin ata. Kisha bërë llogaritë, dhe më dilte që tre dritaret e mija së bashku me ballkonin në katin e tretë, do të ishin këndej e tutje epiqendra e goditjeve të kundërshtarëve të djemëve tanë. Që nga ai moment vendosa e të qëndroja në koridor. Të paktën kisha përpara përveç mureve të trasha me tulla silikate por edhe hapsira si tualeti e dhoma e të gatuarit. Aty çdo mbrëmje vendosja portativin e në mëngjez e palosja sërrish. Të paktën gjumin duhej që ta bëja top.
Ndryshova edhe të ardhurit në shtëpi në orët e vona. Kaloja nëpër një rrugicë që e pret lagjen në mes e dilja direkt tek hyrja e pallatit. Përpara gjithëçkah kontrollohej nga " luftetarët ". Sepse andej pritej edhe armiku "
Kishte vazhduar kështu kjo lloj gjëndje për më shumë se dy muaj më rradhë. Grupi që konsiderohej si i të fortëve të Elbasanit akuzohej për shumë ngjarje të rëndësishme te krimit në këtë qytet. Burimet që na jepte herë pas herë vetë policia dukeshin në shumicën e rasteve fillimisht si kontraditore. Largimi i specialistëve të antikrimit dukej se kishte lënë edhe gjurmë në kolektivin e ri të posambledhur. Një vullnetar me mjekër e pa asnjë uniforme që kishte zënë portën kryesore të policisë për ta mbrojtur në mungesë të policeve të karrierës u godit me dy plumba kallashi. Në fillim u fajësuan të fortët po pastaj doli një histori tjetër.
Sidoqoftë njeriu që konsiderohej si kapua i të të fortëve dukej tepër miqësor jo vetëm në ambjentet ku ishin parkuar tek ne por edhe në rrugë. Një herë e kam parë që lante një " benc-mercedes " të zi me kujdes e me një farë pasioni prej adoleshenti. Dukej sheshit që i pëlqenin tepër makinat e bukura.
Pastaj, tre ditë më vonë në dyert e kirurgjise Elbasanit ndërsa përlotej për jetën e një prej shokëve të tij duke i thënë kirrurgut.
- Viktima është i pafajshëm. Shpëtojeni...
Një tjetër ofroi edhe shuma marramendëse për bluzat e bardha.
Dhimbja ishte e madhe mes atyre që nuk i kalonin të 25 pranverat. Të përlotur e morën në morg kufomën që nuk i shpëtoi vdekjes.
Një javë më vonë u bë një vrasje që nuk kaloi pa bujë. Dikush më tha se "grupi u hakmor për vdekjen e spitalit"
Pastaj një djegie makine diku në unazën e qytetit që u shoqërua me një ndjekje spektakolare të dy personave me maska në një motor shpejtësie duke i numëruar nga pas një arsenal me municione kallashësh e pistolete.
-Ishin ata të zonës tënde - më foli në intimitet një tjetër njeri nga të njohurit e mij në këtë qytet
Sidoqoftë pjesa jugore e qytetit ndjente një lloj ngërçi. Por edhe frikë e ankth. Në mesnatën e atyre ditëve të Majit një prej komshijve të mij që ka dritaren nga rruga kishte ndjekur një skenë prite. Ishte ndalur një furgon që me sa dukej vinte nga Pogradeci e udhëtonte për Tiranë. Thjeshtë hallexhinj. Dikush i tmeronte nën vështrimin e një kallashnikovi e u kërkonte që të shkundnin xhepat. Ishte errësirë dhe dalloheshin veçse hije. Pastaj një tjetër që erdhi aty.
- Po pse o burr, këtu e gjete që të ngresh pritën ti? Apo do që të na njollosësh ne? Në rrimë këtu për hall e nuk bëjmë ashtu siç bëni ju që rripni njerëzit. Ik ore pufte se do të të vras. A more vesh?
Reaguan edhe ata të taracës sime.
- Na falni o vëllezër. Na shpëtoi aty tek zona jonë dhe e kapëm këtu- kërkoi falje pritëvënësi.
Pogradecaret shpëtuan. Por edhe luftetarët u ndanë në paqe.
-Kanë qenë ata të bandës së " Mandeles " me tha Nardi, kumshiu im i katit të pestë - Këta të tanët nuk trazojne njeri. Shohin hallin e vet.
Të nesërmen u vra edhe nje i ri në qytetin tonë.
Një prej kolegëve të mij të rinj na " betohej " se autorët e kësaj vrasje ishin pikërisht të fortët që " shohin hallin e tyre ". Madje na tregonte me një farë mburje se burimin e kishte marrë nga policia.
- Për ç'farë policie flet ti? - i tha një tjetër. - ata nuk dinë ku kanë kokën e tyre sot. Vijnë në mëngjez sa për të parë njeri tjetrin dhe pastaj zhduken. Demek sikur janë në operativitet për tu mbyllur në shtëpi pa i zënë nata.
Dy ditë më vonë kthehesha pasdite në shtëpi. Në hapsirën që nga " Namazgjaja " e deri në fund të kryqëzimit të Cërrikut nuk dukej këmbë njeriu. Bënte pak vapë e dielli ende nuk kishte zbritur në horizont. Ishin mbyllur edhe dyqanet. Dukej se gjithëçka kishte rënë në një gjumë të thellë e të parakohëshëm. Kur po i afrohesha pallatit në trotuarin përbri tij syu me rroku dy njerëz që ishin shtruar aty
- Do të na shkruash një artikull? - pyeti si fëmijë një djalë 12 vjeçar që banonte në pallatin fqinj.
Tjetri ngriti kokën.
- Ti je ai gazetari që banon këtu?- U ngrit pa pritur përgjigje. Fshiu duart pas pantallonave të zeza e instiktivisht mbërtheu këmishën e bardhë gjysëm të hapur.- Mirë që u takuam. E dinim se banonit në këtë pallat por nuk të kemi njohur. Të kam parë vazhdimisht edhe kur del nga pas për nga rrugica, por nuk e dija se je ti gazetari. Të prezantohemi. Unë jam...Gazetat më akuzojne se bëj vrasje, rrëmbime e plaçkitje e të tjera tërci-vërci. Shkurt, doja me të thënë se ne djemtë e kësaj lagje që rrimë këtu, jo vetëm që nuk jemi vrasës por nuk i kemi rënë në qafë asnjë njeriu të ndershëm. Shikojmë hallin tonë. Na kanë vrarë njerëzit tanë. Nuk ka shtet që të na mbrojë sot prandaj ne kemi zgjedhur që të mbrohemi vetë. Ja për këto dua që të ...të... si i thoni ju në gazetë... të prononcohem. Ja këtë do të thoja. Unë e di që ti je një rrogtarë i thjeshtë atje por kërkoj që të bisedosh me shefin tënd. Ne jemi këtu. Kur të thotë ai, jemi gati.
E sigurova që do të merrja një takim me shefin tim por në fund të fundit " ishte pikërisht ai që do të vendoste për këtë " i thashë në substancë.
-Nuk e bën ti politikën në gazetë, kuptohet por ne e kërkojmë këtë brenda mundësive qe do të keni ju. - tha njeriu që njihej si shefi i grupit
- Pse nuk i hapni dritat por hyni e dilni si një hije. Nuk keni pse të keni frikë. Jemi në këtu që u mbrojmë- me foli pastaj miqesisht kapua.
Kuptova që " djemtë " ishin edhe vëzhgues të hollë. Kontrollonin gjithëçkah. U shfaqsova se nuk më pëlqente drita pasi jetoja i vetëm aty.
-Nuk do të të hyjë asnjë gjemb në këmbë sa të jemi ne këtu - premtoi drejtuesi i të fortëve.
- Dhe kjo më duhej tani - thashe me vete - të bëhem edhe zëdhëndës i bandave -
Nuk më zuri gjumi gjithë atë natë. Mallkova veten që dola përballë dhe ndryshova rrugën.
Të nesërmen u sistemova tek një i afërmi im në qytet dhe nuk u ktheva më aty, në apartamentin tim.
Gjithësesi ata ishin në zenith. Dukej se e kontrollonin krejtësisht qytetin...Njerëzit i trëmbeshin menjëherë sapo i shikonin përballë...
Por kjo lloj " lavdie " me sa dukej nuk do të zgjatej shumë. Ishte përfolur për një gjobëvënie për një familje tregtare që banonin në të hyrë të Elbasanit. Madje edhe incidentin e flakën tek kryqëzimi i Cërrikut rreth dy muaj më parë e lidhnin pikërisht me konfliktin midis të forteve të lagjes sime dhe tregtarëve. Askush nuk e dinte të vërtetën. Vetëm fjalë njerëzish...
Mes vere. Kishin kaluar edhe votimet e29 Qershorit. Qyteti pëlciste nga nxehtësia e drurët zbukurues ishin tharë e përzhitur së bashku me barin e atyre pak lulishteve që kishin shpëtuar në qendër pa u pushtuar nga kioskat. Nuk gjeje një vend ku të fusje kokën e për të marrë pak fresk. Gryka e Shkumbinit nuk frynte e dukej se ajri asfiksohej krejt posa dielli nxehte mirë aty pas orës 10 paradite.
Vendosa që të kthehem në shtëpi vetëm për pak çaste.Gjithëçkah ishte kyçur aty. Femijët dhe gruaja vazhdonin të qëndronin në Fier tek ime motër. Nuk e di se çfarë do të merrja. Përdora si zakonisht rrugicën që të sjell nga pas drejt e në hyrje të pallatit, përmes lagjes. Ndërsa më duhej që të kthehesha vetëm pas pesë minutash provova të hap paksa derën e ballkonit aty në katin e tretë. Poshtë në trotuarin e klubit të V. rreth një tavolinë ishin mbledhur pikërisht ata që quheshin drejtuesit kryesorë të grupit. Diçka po pinin. Mbylla derën e zbrita poshtë me shpejtësi me qëllim për tu larguar një orë e më parë nga shtëpia që e kisha braktisur për afro një muaj.
Afër tridhjetë minuta më pas isha në bulevard, pranë librarisë së Zan Shtyllës. Pas disa krismave kallashësh që vinin andej nga bar-restorant "Milano", përballë autostradës që të sjell nga metalurgjiku dikush dalloi dy plumba që ranë mbi asfalt. Ata të paktë njerëz që kishin dalë në xhiron e mbasdites u trembën.Ndërkaq një tjetër që posa mbriti nga zona lindore e qytetit, na tha se ishin shpërndarë klientët e klubeve tek lulishtja e " Klubit të Gjuetarëve ”
-Atje filluan plumbat si kokrat e breshërit. Janë nga ata të luftës që ka filluar te "Milanua"- tha ai.
Ndërkaq isha ndalur e bisedoja me shefin e kirurgjise së qytetit i cili kishte marrë përdore në shëtitje djalin e tij 7 vjeçar.
-Kishin ardhur disa shoqe të gruas në shtëpi. Ma merr edhe djalin më tha ajo. Mos ma le nëpër këmbë pasi është trazovaç.-
Kirurgu dukej i qetë. I kujtova predhat.
-Do të keni punë sonte - bëra shaka
Një kalimtar tjetër na tregoi se luftohej midis të fortëve të lagjes sime e një familje tregtarësh që ishte " ngujuar " në vilën e tyre tre katëshe.
Fillimisht nuk e besova. I tregova mjekut se sapo i kisha parë përpara pallatit tim ulur në një tavolinë klubi në tratuar.
Ndërkohë një sirenë e stërgjatur makine e ndjekur edhe nga disa makina të tjera kaloi përmes bulevardit me shpejtësi. Me siguri që shkonte atje ku kishin filluar të " ligjeronin " kallashnikovët e ku me sa dukej do të bëhej një " katrahure " e vërtetë.
-Eshtë e vërtetë - ma konfirmoi gazetari i ATSH se që sapo mbriti në librari. Nga larg ai kishte parë një episod lufte, pasi kishte edhe shtëpinë afër stacionit të trenit
Njoftimet e para flisnin për tre të vrarë diku në rrugën që të çon për në lagjen " Skënderbej " të kosovarëve të Elbasanit. Tek " Bar Artisti " në qendër të qytetit takuam edhe Bled Starovën, koorespodentin e "Gazetës Shqiptare"
-Bledo, ti e ke mirë me ata të policisë. Në eskortën që kaloi pashë edhe ata dy miqte e tu. Interesohu e na njofto. Të paktën të marrim një lajm të saktë- i tha Pëllumbi.
Tjetri u nis për në polici. Ne e pritëm brenda në lokal. Me mendje e vesh andej.Qendra pothuajse ishte tashmë e boshatisur. Pak njerëz lëviznin. Dielli ishte fshehur e mbi qytet pas muzgut po vinte një natë pa hënë me krisma. Atje në perëndim të qytetit ende luftohej. Policia me sa dukej qëndronte larg saj edhe pse kishte bërë atë demonstrim të zhurmshëm dy orë më parë
Bledi nuk solli asgjë konkrete. Tentuam spitalin. Në kirurgji ende nuk ishte paraqitur ndonjë i plagosur. Nje grua, mësuese kishte ardhur e vdekur dhe e larë në gjak. Një nga mjekët na tha se sipas të afërmëve që e kishin sjellë ajo kishte marrë një plumb drejt e në kokë e që vinte nga " sheshi i luftës "
- Eshte në morg. Ju mund që ta shihni . Kishte qenë duke nderë rrobat e lara në obor.
Zbritëm në qytet e rrugët ishin krejtësisht bosh. Nata dukej e frikshme. Ndonjë i vonuar nxitonte për në shtëpi buzë strehëve të godinave buzë trotuarit. Ruheshin nga ndonjë plumb " qorr ". Shkuam aty ku ishim më parë, tek bari . Përveç tre burave që pinin kafe qetësisht edhe lokali ishte i boshatisur. Aty pritem edhe Bledin që sërrish kishte shkuar deri në polici për të konfirmuar. Por përsëri policia ende nuk kishte ndonjë lajm të saktë e të plote. Të shkoje atje ku vazhdonin armët dukej gati si një mision krejt i pamundur.
Për ne ishte i konfirmuar konflikti si edhe palët. Pëllumbi propozoi që të shkonim në postën qëndrore të qyetit.
Jorgji një burë i imët dhe i shkurtër që na përcillte vazhdimisht fakset na priti me " këmbët e para "
- Nuk punojnë linjat. Ka defekt. Mos u lodhni. Shkoni në shtëpitë tuaja. Nuk e shihni se ç'po bëhet?
- Vemi në zyrën time- propozoi Pëllumbi.
Ajo ishte një kthinë e vogël dhe e errët pa dritare në katin e tretë të prefekturës. ATSH ja kishte edhe faks. Ngjitur me atë në dhomën pranë tre dite më parë kisha vendosur dy tavolina. Prefekti Hushi i sapo emruar kishte caktuar një zyrë për shtypin. Celsat i mbaja unë por telefon ende nuk kishim vendosur.
Ndjemë një lloj pezmatimi. Nuk mund që të komunikonim me radaksitë. Bledi ca kohë bëri humor e pastaj sikur u lodh.
-Punë dreqi. Kështu nuk mund që të bësh dot gazetari. Pa ndërlidhje ajo është e vdekur.
Të niseshe për në Tiranë në atë orë dukej më tepër se sa një aventurë. Por ne tentuam që ta provonim. Vendosëm që të shkonim me çdo mjet prane redaksive edhe pse shkrimet do të ishin jo të plota. Sidoqoftë në Elbasan kishte ndodhur e veçanta. Përleshja me armë e cila kishte marrë edhe jetë njerëzish edhe pse nuk i identifikonim dot. Qyteti nuk kishte përjetuar ndodhi të tillë.
Dolëm tek kryqëzimi i "1 Majit" aty ku merr udhe rruga për në kryeqytet. Nga një strehë lokali doli një njeri me uniformë
-Ku lëvizin makinat? A jeni tarrallakër apo bëni vetë. Kam katër orë në shërbim e nuk ka lëvizur asnjë gjeth- na tha polici i shërbimit.
Blendi tentoi që ti shkëpuste ndonjë lajm.
-Shokët e mij janë vërtetë aty, por nuk kanë ndërhyrë në mes të palëve. Ka të vdekur. Janë gjetur katër deri tani por mendohet më shumë. Nga pala që janë mbyllur në kullën tre katëshe nuk ka asnjë njoftim të saktë. Për emra nuk di gjë fare. Eshtë plagosur kapua i grupit dhe atë e kanë tërhequr nga fusha e betejës. Vazhdojnë akoma me ndonjë qitje nga të dy anët. Kaq mor burra...
Po afronte mesnata e gjithëçkah dukej sikur kishte rënë në një gjumë të thellë. Tashme nuk ndiheshin as edhe kërkëllimat e kallasheve. Një natë e errët e pus ku veç këngës të ndonjë bulkthi vere, nuk dëgjohej asnjë tingull. Preferova që të shkoj sërish i vetëm në spital
- Nuk kemi të vdekur këtu. Ata që kanë cof i kanë marrë të afërmit e tyre -më tha i përgjumur mjeku i rojes.
Sidoqoftë mëngjezi më gjeti sërrish tek Hotel Turizmi " Skampa ". Nuk kisha bërë më shumë se tre orë gjumë. Gjithë merak. Natyrisht, jo në shtëpinë time por tek një i afërm i gruas. Më vinte keq që nuk kisha mundur ta përcjellë lajmin që tronditi qytetin tim
Por ajo që më tronditi mua vërtetë, ishte botimi në faqen e parë të " Gazetës Shqiptare " të lajmit që mori jetë njerëzish. Një foto e madhe e qytetit si dhe titulli që binin në sy, " Luftë në Elbasan "
- Nuk e kam dërguar unë - na u justifikua Blendi.
Pastaj një tjetër variant. Këtë rradhë për një mikun tonë të përbashkët që nuk ishte gazetar.
- Më ka marrë redaksia pas mesnate në shtëpine e një komshiut tim. Ata kishin marrë në fakt një sinjalizim prej koorespodentit të Vlorës S.Marko. Ai kishte biseduar me një të afërmen e tij këtu në qytet në kohën që kishte plasur beteja. Kur ishte lidhur me redaksinë për të dhënë lajmin e tij nga Vlora. Në fund u kishte thënë edhe për ndodhinë e Elbasanit. Ata të redaksisë mezi kontaktuan me mua pas mesnate në shtëpinë e një komshiut tim, pasi nuk punonin linjat. Celularet as që ishin afruar
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment