1 Maj 97
Kryetari i partisë së degës lokale këkonte që të prononcohej për shtyp. Kishte zgjedhur 1 Majin. Ditë feste, por ajo mungonte në të gjithë dimensionin e saj.
- E kush i a ka ngenë, ku njerëzit ende nuk e dinë se ku kanë kokën e tyre ? - më kishte thënë një mbasdite më parë kolegu im Kujtim Boriçi, ndërsa gjerbonim qetësish kafe në turizmin e qytetit. Festa dukej e haruar dhe e braktisur njëkohesisht edhe nga politikanët, jo vetëm në Tiranë, që kishin tashmë halle të tjera në kokë, por edhe nga njerëzit e thjeshtë. Manifestimi ishte një ëndër e haruar. Madje mungonin edhe planet ne letra për organizimin e saj.
Boriçi kishte prekur fundin.
Por opozitës në qytetin tonë i kishte rënë në kokë. Donte që ta thoshte një fjalë. Mbase edhe « sa për të larë gojën ». Kohë të çuditshme si kjo që po përjetojmë.
Së bashku me tre kolegë të tjerë kishim zënë vënd në tavolinën e gjatë të punës në zyrë. Kishim mbritur një çast më parë. Kryetari, Dritan Çerma, dukej se po na priste prej kohësh, pasi një djalë i ri na serviri menjëherë kafenë që kishte përgatitur në paradhomë. Nuk e kisha parë si fytyrë edhe pse i njihja pothuajse gjithë simpatizantët që afroheshin në dhomat e partisë së tij.
- E kam marrë si trup-roje, - tha Tani. - Eshtë emigrant në Greqi dhe simpatizant i yni. Eshtë kthyer se ka humbur paratë në firmat piramidale. Ka qenë pjesë e protestave dy muaj më parë.
Djali ishte i hollë dhe i gjatë. Mbante një palë roba të çelta të stinës. Një cullufe floku i rrëzohej në krahun e majtë të ballit të tij të sheshtë. Në dorë kishte një gjerdan të hollë në ngjyrën e floririt. Ai vendosi qetësisht filxhanet përpara nesh, dhe u largua i heshtur duke marrë edhe porosinë nga shefi i tij, që "të mos e shqetësonin". Po ende nuk kishim filluar që të pinim kafetë, dhe Dritani që mbante tre fije letër të daktilografuar përpara në syprinën e tavolinës, nuk na kishte thënë arsyen e prononcimit të tij, kur jashtë erdhi një e kollitur kallashnikovi. Qëndruam një çast pa ditur se ç’mund që të bënim.
Në derë u dha menjëherë djali i gjatë që këtë herë në vënd të tabakasë së kafesë mbante një pistoletë « TT ». Pas tij edhe një tjetër që vinte më i shkurtër e i veshur i gjithi në xhins. Zune dritaret e dhomës. Hypën në karrike që ishin rreshtuar përgjatë murit e prapa kurrizit tonë, hodhën vështrimin përtej xhamave të asaj zyre. Një antar i komitetit drejtues që ishte i njohur në qytet edhe si organizatori dhe udhëheqësi i protestave në fillim të vitit, tha i shqetësuar sapo u shfaq në derë, se njerëzirt që bënin terror ishin pjesë e një grupimi që ishte afër partisë tjetër, dhe se grupi vinte nga lagjia veriore. Siç duket kishte informacion më të saktë, pasi partiaku kishte qene në klubin përballë në hyrje të godinës së partive.
- U kthyen – tha gjatovina për ata që shihte jashtë
- Ngrihuni ju që të gjithë, - tha antari i kryesisë së partisë që kishte marrë në duar tashmë edhe drejtimin e situatës luftarake. Dilni këtu në koridor, pasi jeni më pak të rrezikuar.
Ashtu bëmë. Një koorespodente shkoi e u mbështet menjëherë pas murit të asaj dhome, pa mundur që të kapërcejë derën e për të dalë pastaj në koridor, aty ku na ishte urdhëruar. Shefi i partisë kishte qëndruar në vend pa ditur se ç’mund që të bënte më. Dukej i hutuar dhe i prerë në fytyrë.
- Erdhën – tha më i shkurtëri i djemëve që vigjëlonte në dritare dhe uli vështrimin tek këpucët mbi karrike duke kërkuar që të ndryshonte pozicion
Përsëri një kallash që u pasua pastaj nga një tjetër që shtinin për qejfin e vet në ajër. Ishin plumba gjumëlënës që shponin qiellin.
- Mos lëviz – dha urdhër i gjati trup-rojës së dytë, e largoi kokën nga xhami.
Në çast shkrehu TT- ja e tij në mënyre krejtësisht të pavullnetshme e drejtuar poshtë në dysheme. Tjetri u përkul dhe tentoi që te hidhej menjëherë nga karrikja. Edhe këtij i shkrehu pistoleta. Plumbi shkoi përballë andej ku rrinte shefi i partisë e pastaj mori rikoshetë
- Uu-aaaa, mami – ulëriu koorespodentia dhe ra në dysheme duke mbuluar kokën me krahë.
Unë mblodha supet e i ktheva kurrizin dritareve duke u ulur në bisht. Sekretari ishte harkuar mbi karriken e tij me dy duar që e mbanin larg nga dyshemeja. Dy kolegët e mij u ndodhën sa të hapësh e të mbyllësh sytë menjëherë në koridorin gjysëm të ndriçuar.
- Ç’bëni mor hajvanë – thërriti sa kishte në kokë antari i kryesisë duke i u drejtuar trup-rojave. – Na vratë për hiç gjë.
Jashtë këtë herë filluan që të ligjërojnë tre kallashë të cilët dukeshin se ishin në ikje e sipër.
- Të lajmërojmë policinë – u kujtua shefi i partisë
- Ç’farë policie – ja priti tjetri që përgjigjej për situatën aty. – Ajo nuk di se ku ka kokën e vet në këto momente. Qyteti eshte mbushur me banda dhe me kriminelë. E kemi peshqesh këtë nga Saliu.
Dy trup-rojat kishin zbritur nga karriket e nuk dinin se ç’farë të bënin më. Pistoletat i mbanin në duar e të drejtuar për nga dyshemeja. Antari i komitetit drejtues shkoi menjëherë pranë tyre, pasi një çast më parë ishte kujdesur për shefin e partisë së tij dukje e ngritur nga karrikja ku kishte rënë. U mori armët dhe i vendosi mbi tavolinë
- Ju nuk dini që ti përdorni. Pse i mbani me vete ? Nuk keni bërë as ushtri dhe as zbor. Fajin e ka Dritani.
Shefi nuk foli. U nis drejt nesh. Së bashku kapërcyem pragun e dolëm në koridor tek të tjerët. Pas nesh kokëulur erdhën edhe trup-rojat.
Në shkallët përballë të katit të dytë u ngjit një tjetër militant i partisë. Edhe këtë e njihja. U vu përballë nesh.
- Ishin disa çunakë që provonin armët për qejf. I njoh. Janë banorë të lagjes « Kala ». Kishin marrë makinën e …. – tha duke buzëqeshur e treguar emrin e bisnesmenit që nuk ishte krejtësisht i panjohur edhe nga ne, e që nuk përzihej në politikë.
- Kështu është kur armët janë sheshit. Ne sa të vijmë pushtet, do të bëjmë menjëherë shtet – tha shefi i partisë që ishte në opozitë prej disa vitesh.
U shkëputa dhe lëviza në drejtim të shkallëve që të zbrisnin në katin e parë, përballë derës së hyrjes. Nuk u thashë as edhe « mirupafshim ». Kolegët më ndoqën pas. Koorespodentia ngashërente. Në një moment i a pashë supet e njoma dhe të holla që dridheshin sapo kapërceva portën kryesore e dola në rrugë. Dy të tjerët ishin të pagojë. Nga pas vinte qortimi për trup-rojat, por ne nuk donim që të dëgjonim më asgjë.
Shpëtuam paq këtë herë…
No comments:
Post a Comment