Tuesday, 9 August 2011

Historia e antiplumbit dhe e gomarit




Fillim Maji 97

-Oh, po ky qenka lajm - i them Lad Memës, koorespodentit të "Dita informacion" të Elbasanit, ndërsa kishim mbaruar kafen e mëngjezit, në "Bar Artisti"
Tjetri shtrëngoi buzët e tundi kokën dy herë
- Ç'fare flet? Eshtë me zarar. Në se shkruhet e pëson kunati im i vogël. Ai është ndodhur tek SMT ja e Cërrikut, kur banda e Arianit të Shegës ka qëlluar mbi gomarin. Sot nuk ta zgjat me njeri.
Ladi u ngrit nga tavolina si për ti dhënë fund bisedës. Kuptova që ishte i tronditur se tepermi. Mbase nga konstatimi im.
- Kam një ide. Ulu një herë e dëgjoje- i thashë dhe e tërhoqa për dore. Doja ti tregoja për mendimin që më lindi në çast. - Sikur ngjarjen ta spostojmë në një zonë a vend tjetër e të mos përmendim emra bandash? Kuptohet, që ky lajm nuk vjen as nga policia, sepse ajo në fakt, as nuk egziston në kuptimin më të gjerë të fjalës, në këtë kohë. Pra i referohet një burimi nga ngjarja, që gjithësesi është i vërtetë. Kështu edhe kunati yt, por edhe ne jemi në rregull me ndërgjejgjen profesionale. Realisht, ne nuk po shpikim gjë këtu, për ta servirur pastaj në shtyp.
Kolegu im mu duk në një situatë e gjëndje dyzimi. Pastaj i heshtur u ul në tavoline ku ne kishim hapur gazetat e ditës. Me sa dukej, ideja ime i rriktheu pasionin e tij të fshehtë të kuriozitetit, që matej vetëm, me atë të një femre. Më dëgjoi me vëmendje deri në fund. Nuk foli më. Nxori bllokun nga çanta, që mbante gjithë ditën varur në supin e djathtë e shënoi tre rradhe.
- Domethënë, në Gramsh? Vërtetë që atje gjëndja është më kaotike, për shkak të hapjes së tre depove të mëdha të armatimit. Në këtë kohë nuk shkel njeri aty.
Pastaj mbylli bllokun e u ngrit në heshtje. Dallohej lehtë një ndjenjë frike që e kishte zënë. Mbase jo vetëm për jetën e kunatit të vet por edhe të tij. Ai jetonte në Cërrik. Madje kishte lindur aty. Personazhet që terrorizonin jo vetëm qytetin e rrethinat e tij që nga Sulova e në Dumre i njihte mirë deri në familje.
-Sidoqoftë, unë po e shkruaj një herë dhe pastaj lexoje edhe ti, përpara se ta dërgoj në redaksi- i dhashë unë një lloj garancie për këtë " kompromis " që gjithësesi ishte midis nesh të dy. Kërkoja që ta qetësoja mikun tim me çdo kusht pas atij lajmi që më dha krejt pa pritur e rastësisht përpara filxhanit të kafesë.
Ndërsa Ladi kapërceu derën e barit duke anuar paksa nga ana e çantës, që i varej deri poshtë mezit, vendosa që të ndroj tavolinë. Megjithëse ambjenti ishte i boshatisur, mblodha shpejt që të gjitha gazetat e ditës që ishin hapur mbi suprinen e kuqe. I merrnim çdo mëngjez tek libraria, pranë teatrit "Skampa". Zani, një burë i shkurtër, që kishte kaluar gjithë rininë e tij si puntor metalurgjie, ishte i pari që nisi bisnesin e librashitësit në qytetin tonë. Siguroi shpejt një kioskë në qendër e u bë shpejt miku ynë. Por ai priste. Ne e kishim një lloj marëveshje me të. I linim gazetën që niste redaksia për ne.
Shkrimin e shkruajta me një frymë. Dy të rrinj kishin grabitur në repart ushtarak jelekë antiplumb. Që ti provonin, ndalojnë një fshatar tek zbriste në qytet. I veshin dy jelekë të tillë gomarit të tij dhe zunë ta qëllonin. Gomari pastaj i ktheu patkojtë nga dielli.
Fshatari i lebetitur thërriste e çirrej duke kërkuar dëmshpërblim
- Ç’farë lekësh, more?- i a priti njeri nga të rrinjtë. - nuk thua, shyqyr që e bëmë me të eksperimentin? E hëngri gomari e jo njeriu!
Pak a shumë ky ishte në thelb shkrimi që kishte në qendër ngjarjen e një pasdite më parë atje në periferi të Cërrikut. Pastaj sipas marëveshjes me Ladin, e vendosa ngjarjen pikërisht tek vendi i quajtur "Ura e Trashovicës", në të hyrë të qytetit të Gramshit. Në shkrim gomarin e "ngarkova" me djathë e gjizë dhe disa kile fasule. Pra, thjeshtë për tregëti, ndërsa në realitet mbi të udhëtonte i zoti i tij në mungesë lëvizje të automjetëve në ato ditë. Pastaj, që të mos rrëzikohej as kunati i kolegut tim, bëra ndryshimin që në realitet ishte thelbësor, për të "shpëtuar" bandën e Arianit të Shegës, që ishte nga komuniteti me ngjyrë i periferisë të një qyteti të vogël si Cërriku. E konvertova në dy djem aspak banditë, por të çartur e të ngazëllyer, sepse u kishte rënë në dorë një arsenal ushtarak, që në një farë mënyre, deri në atë kohë kishte qenë për moshën e tyre, tabu. Pra "molle e ndaluar" dhe e parë vetëm ndër filma
Tre orë më vonë, Ladi e lexoi. Heshti përsëri. Këtë herë nuk mblodhi buzët
- Ke futur brenda edhe pak letërsi. Pasion shkrimtari or byrazer...

X X X

Pak kohë më vonë " shijova" dy momente. Ndërsa me të parin u "qetesova" profesionalisht në ndërgjegje, me të dytin u hidhërova.
Pas dy javësh unë munda që të hyja në qyteitn e "blinduar" të Gramshit. Ndonëse flitej, që banda nga zona përreth, por edhe fshatarë dilnin e vendosnin prita përgjatë rrugës që gjarpëronte në një masiv malesh e kodrinash të rrumbullakta, të cilat fillonin që nga Llixhat e Elbasanit, vetëm 6 kilometër larg qytetit. Këtë na e tregonin ata të paktë shoferë gramshiote që udhëtonin me furgona taksi, e parkoheshin tek "shelgjet" afër bashkisë së Elbasanit. Ata ishin bërë për ne gazetarët edhe sjellësit me të besuar të lajmeve nga ai qytet, që për hir të realitetit dua të pohoj, se në atë periudhë mbështillej me një lloj misteri të frikshëm. Atje ishin hapur në fillim të Marsit tre nga depot me të medha të armatimit që dispononte ushtria jonë në atë kohë.
Shifrat tregonin se në duart e popullatës ishin mbi 150 mijë kallashë të markave të prodhimit rus, kinezë e shqiptarë. Pushkë gjysëm automatike e miliona municione, mina, granada e bomba të cilat morën vetëm në këtë qytet, 18 jetë fëmijësh poshtë adoleshencës. Ndërsa mbeten të plagosur mbi 64 të tjerë të moshave të ndryshme. Kryesisht me gjymtime serioze. Me këtë arsenal ushtarak që nuk është për tu patur zili ndonjëherë, ishte vërtetë një aventurë që të qarkulloje në atë trevë. Këtë e bënte edhe më të vështirë profesioni yne i gazetarit.
… Nuk lëviza shumë në sheshin e vetëm në mes të qytetit. Në shoqërinë e një shokut tim të vjetër, ish gazetar i ATSH së në periudhën e monizmit, e që punonte tani si mësues fillore, tentova që të futem në një ndërtesë pranë spitalit të rrethit, që shërbente tashmë si komisariat policie. I vjetri në qendër të sheshit përballë ish turizmit të qytetit ishte djegur e shkatërruar nga protestat që nisen në fillim te vitit. Polic Ganiu, një gjatovinë esmer me shoqëroi në shkallët që të ngjisnin në katin e dytë të asaj ndërtese.
Në koridor, sipër më doli vetë shefi i policëve, një ushtarak gramshiot që njiheshim shumë vite më parë
- Ç'më bëre o Leko me atë shkrimin e jelekëve. Nuk ma vesh antiplumbin më, asnjë polic. Pastaj kjo ngjarje ka ndodhur rreth dy muaj më parë. Pranë Grabovës, në rrugën që të çon për në Korçë. Ishte vjedhur depoja një herë që në fillim të shkurtit. Publikimi në gazetë na bëri punë. Hall që nuk kam edhe policë tani. Kanë ikur. Nuk vijnë më në këtë kohë. Bëhet rend në këtë situatë? E ku ? Këtu në Gramsh.
Kuptova që në një farë mënyre i kisha lënduar ata njerëz të mirë e të thjeshtë, që kërkonin të rrikthenin shtetin e thërmuar të atij viti të mbrapshtë të shqiptarëve. Nga ana tjetër më erdhi mirë. Ndjeva një lloj lehtësimi nga pesha e ndrydhjes që më kishte zënë që nga dita që e vendosa atë ngjarjen e gomarit fatzi në Gramsh. Këtej e tutje do ti shihja drejt e në sy kolegët e mij të redaksisë atje në Tiranë. Unë nuk kisha botuar një shkrim të pavërtetë për këtë rreth gati të izoluar buzë Devollit, në rrjedhën e mesme të tij, e në prehrin e një masivi i vendosur në mes të dy lumenjve të hartës së Shqipërisë.

X X X

Ndodhia tjetër që ka të bëjë me provën e jelekut antiplumb zë fill po ato ditë. Im vëlla Petriti, mësues fiskulture në një gjimnaz të qytetit, së bashku me shkrimtarin Bahri Myftari e kunati i tij që jetonte në Gjermani prej vitesh, vendosën ato ditë që të hidheshin drejt e në Belësh. Në zemër të Dumresë.. Fjala ishte për tu drekosur tek një mik i kunatit të tij, që ishte edhe ai emigrant në Gjermani me Agimi Canin.
Ndonëse koha nuk ishte për të tilla "argëtime" e takime mallëngjyese, ata të tre e ndërmorën atë aventurë. Me një benz-mercedes bënë ballë në të hyrë të Cërrikut. Në Malasej, lagja e parë e qytetit e banuar kryesisht nga disa familje çame e një pjesë e komunitetit me ngjyrë, ishte ngritur një postabllok që kur Berisha kishte thënë në pallatin e sportit të Elbasanit se do të shkonte në Cërrik. Qyteti anti Berishë ishte vënë nën komandën e njerëzve problematik. Asnjë nuk mund që të hynte në këtë qytet-shtet pa asnjë lloj garancie. Petriti, vëllai im ishte një lloj " pasaportë " për Bahriun e kunatin e tij Agimin, pasi ai jo vetëm kishte banuar prej afro 25 vitesh aty, por në rininë e tij kishte qenë edhe futbollist i "Turbinës", ekipit të zemrës së cërrikasve. Pasi mund që tu a mbushin mëndjen kontrollorëve të rrugës në atë postabllok, lëvizën edhe një kilometër më poshtë. Tek " karburanti " në qendër, e përballë lulishtes së vetme të Cërrikut disa djem të armatosur i ndaluan sërrish.
-Mirë ne - u tha Bahriu - por Petritin, nuk e njihni? Eshtë cërrikas e djal i këtij qyteti. E keni patur edhe futbollist
Një më i madh në moshë nga njerezit e armatosur, u duk se u kujtua për këtë të fundit.
- Vërtetë, - u tha shokëve pasi i hodhi tim vëllai një vështrim që nga koka deri tek këmbët- ai është.
Petritin e hoqën veçmas. Vetë kapua i grupit, një djalë i shkurtër, me trup të lidhur me një portret të zi.
- Më njeh mua? Jam Arian i Shegës. Ti vërtetë që je cërrikas por na ke sjellur këtu dy njerëz të Berishës. Kjo, nuk të falet
Vëllai im e sqaroi se Bahriu jo vetëm që nuk ishte në krahun e Berishës por bënte pjesë si politikan i social demokrates. Në krejt krahun e kundërt, në opozite si sekretar i saj.
Po ku i mbushej mendja Arianit të armatosur deri në dhëmbë?
- More, dale, dale një herë. Ti je djali i xha Zeqos?
Petriti pohoi me kokë
- Ke një vëlla gazetar? He-e-e. Tek "Koha Jone". Nuk gabohem. I thuaj atij që të ketë kujdes se-e-e - tregoi kallashin që mbante përpara në gjoks. - nuk ka çi duhen gomarët e Shtërmenit. Kaq. Dëgjove?
Jevgu pështyu mbi vëllanë tim. E shtyu sikur të kishte përpara një viktimë që po i a falte jetën, për hiç gjë.
Bahriu, Petriti e kunati i tij u kthyen forcërisht për në Elbasan. Nuk u lanë që të kalonin në atë qytet-shtet mbushur me postablloqe
Vërtetë që më erdhi keq për këtë ndodhi. Kuptova që " banda e zezë " e Cërrikut e kishte kuptuar " hilene time "
Ishte vërtetë vështirë...

-



No comments:

Post a Comment