Monday, 15 August 2011

Presh dhe armë në merkaton e qytetit



18 Maj 97

Një histori e dhimshme ku në qendër ishte vrasja e një fëmije 9 vjeçar për hakmarje, më bëri që të nisem sërrish në Gramsh. Këtë herë me furgonin taksi të Bajramit. Një burrë i gjatë e me bark të rrëzuar përmbi rrypin e pantallonave e që banonte në të hyrë të qytetit, më dha të kuptoj se ishte i " blinduar" nga bandat e rrugëve. Më kishte treguar në intimitet se njihej mirë me Sami Cohën, kapon të cilin e kishte edhe komshi. Bajrami ishte bërë edhe me ne gazetarët mik e shumë lajme na i sillte ai që nga ajo trevë. Dukej i shtruar dhe i qetë e ne i besonim, pasi ai ishte burimi i vetëm i Gramshit e rrethinave të tij. Tepër i saktë si një profesionist i vërtetë.
Lajmin për krimin në familjen gramshiote na e solli pikërisht shofer Bajrami. Ne e kishim përcjellë dhe shtypi i ditës e kishte vënë si kryelajmin e kronikës së zezë. Më duhej që të bisedoja vetë me nënën e 9 vjeçarit të eg
ekzekutuar për të cilin thuhej se ishte qëlluar nga një hasmi i të atit që ishte tashmë refugjat në Greqi. fëmija kishte qenë duke përtypur një riskë bukë në koridor të lyer me vaj e sheqer. " Përse do të më vrasësh xhaxhi " i kishte thënë vrasësit kur e kishte parë që i kishte drejtuar armën...
Sidoqoftë, këto ishin detaje që na kishte sjellë Bajrami por që ne nuk i vendosëm në lajmin e sapo botuar. Më duhej që ti verifikoja vetë...Kjo ishte më shumë se sa një arsye që të rrikthehesha sërrish në këtë qytet pas reportazhit " Gramshi, Vlora pa det" i cili kishte në qendër kaosin që përfshiu disa ditë më parë edhe këtë qytet
Përveç Bajramit ishin edhe dy shofera të tjerë taksi që vinin nga kjo zonë. Këta të fundit, jo për ditë, dhe rregullisht. Me heroin tonë ndryshonte puna.
- Po të duash armë, të regulloj unë- me kishte thënë dy ditë më parë taksisti duke më shkelur edhe syun, si në koonfidencë. - Nuk mbarohen në Gramsh. I gjen edhe në treg. Janë lirë.
Pasi i kisha thënë një " për ke më merr mua? i kujtova se nuk isha trafikant e sevdalli i çartur pas armëve, më kishte kërkuar falje si një vajzë e turpshme.
- Do të të marr falas dhe do të të sjell gjithashtu- më tha sapo i propozova se " mund që të vija vetë në qytet" pas ngjarjes së fëmijës. Nuk e zgjati më. Mori edhe tre pasagjerë të tjere dhe doli nga Elbasani me taksine e prishur e te vjeter si nje garist i vertete shpejtesie. Ne Gramsh hymë para mesditës.
- Kam një porosi për tek tregu i qyteti dhe pastaj të çoj unë drejt e në vaki. Ja këtu tek lagjia "Xhile dhe Liç".
Lamë pas bashkinë e u futëm në tregun fshatar ku në qendër ishte edhe një ngrehinë me disa tezga që shërbenin për tregtarët ambulante.
- Po të duash, hidhi edhe ndonjë sy. Këtu mungon gjithëçka për të ngrënë. Nga ato të depove, ke sa të duash. Të luan tepeleku ...
Ndërsa ai u zhduk me trupin e shëndoshe poshtë nga shtëpia e kultures së qytetit, vendosa "të shplodh këmbët".Në fillim nuk e kuptova Bajramin. Mendova se në treg kishin dalë ushqime nga ish depot e ushtrisë që ruheshin për situata aty, por shumë shpejt kuptova se fraza e taksistit nënkuptonte tjetër gjë. Mbase historia e dy a tre ditëve më parë kur më propozoi në Elbasan treg armësh e kishte bërë që të ishte edhe i " kursyer " në fjalë. Madje i kishte dhënë ngjyrë tjetër.
Tregu nuk kishte ndonjë gjallëri. Pak klientë që vinin përreth e po aq tregtarë që qëndronin pas tezgave të ftohtë e të heshtur. Dukej se nuk blinte njeri
- A do armë, more-e. - me tha një mesoburë me flokët të rrëzuar përmbi ballë.- Kemi me shumicë dhe pakicë. Ja vlen që të marrësh nje kujtim nga Gramshi. Pastaj, kohë të këqia janë. Ku i dihet...
E pashë mirë në fytyrë dhe mu duk se e njihja. Mbase duhej që ta kisha takuar ndonjëherë por shpejt kuptova se duhej që të ishte iluzion. Nga ato që na ndodh shpesh në jetë për shumë fytyra miqsh e të njohurish. Kujtova se bënte shaka. Kishte zënë dy tezga. Përpara meje një arsenal i vërtetë luftarak. Disa lloje kallashësh, karabinash, katër a pesë pistoleta, granata e bomba artizanale. Pastaj disa arka të hapura me municion, si dhe një antitank me dy predha në dispozicion
Mbi një mushama ishte hapur një kusi e madhe teneqeje e brenda saj notonin disa copa djathi të bardhë që mbanin erë thartirë.Komshiu i tij pranë përveç armëve kishte vendour edhe disa tufa me presh. Ishte i vetmi tregtar që thërriste herë pas here.
-Hajde presh të freskët. Sapo i kam këputur sot në mëngjez nga kopshti. Mendoni për barkun por edhe për kokën o njerëz. Armë presh, sa te duash. Tregtojmë me pakicë...
Nuk u fola. Kalova më tej. Një grua u afrua tek tregtari i preshit e prasaxhiu nuk më kushtoi më vëmëndje.
- Sa i ke ? - pyeta një mesoburrë tjetër, gjysëm bjond që vendoste dhe e hiqte disa herë nga koka një kapele të dalë boje.
-Dëgjo këtu vëllain, këta rusët kushtojnë, kinezët janë më të lirë pak dhe pastaj prodhimi i vendit është paq. E shoh që je i huaj, por do të rregullohemi. Rusët nga pesëmije leke të reja. Ndërsa kinezët, nuk prishemi, merri me nga tremijë, kurse këta të tanët me nga dymijë copa. Municionin e ke falas. Nga pesëdhjetë për çdo armë. Më karabinat, ndryshon puna. Kanë çmime tepër të ulta. 1200 për gjysëm automatikët dhe tetëqind për këtë tjetrën që shtie një e nga një. Edhe këtu municioni është falas. Ke plot tridhjetë për copë...
Tregtari tregonte e zgjatej mbi tezgë sikur donte që ti pushtonte që të gjitha. Fliste rrjedhshëm e shpejt si usta i vjetër në kësi punësh sikur të kishte përpara një tufë blerësisht që kishin zënë rradhën aty. Pastaj më pa në sy. Kuptoi që nuk reagova.
- Jep edhe ti pazarin tënd. Thashë që do të rregullohemi. Vërtetë që janë nga të depove por unë vij që nga larg, nga Shënepremtja, në kufi me Grabovën. Kam harxhuar për ti sjellë këtu. Atje i mora, këtu fluturoi gjithëçkah. Eshtë bërë bisnes i madh, or vëlla.
Tunda kokën e heshta përsëri. Nuk doja që ta pyesja gjërë e gjatë.
- Më të lira dhe më të mira, këtu tek usta Dinia - thërriste dy metro më tej një gjatovinë. Nuk e di se pse, më kujtoi Qemalin e gjatë të fëmijërisë sime në Cërrik. Ishte portieri i të vetmes kinema të qytetit. Më kishte kapur fort prej veshi një herë ndërsa tentova që të futem në një film pas një çifti të lagjes. Sigurisht pa biletë. Nuk i a kisha haruar deri vonë ndonëse ai ishte tej i plakur dhe jetonte i vetëm në një lagje në të dalë të qytetit. Tipare të njëjta, madje edhe theksi, se Qemali nga Gramshi ishte. Balli i gjërë dhe i sheshtë ku dy sy të ndezur si thëngjij të zhbironin sikur donin të të peshonin si me kandar.
- Meri - më tha. - Nuk do të kesh rast tjetër. Të kam parë këtu në Gramsh, me Pirro Verrushin. Tek bari në shesh e pi kafen sa herë, së bashku me një kupë rraki.
Pirrua ishte kryeredaktori i gazetës lokale por edhe një tregimtar i ri që kishte filluar të bënte emër. Kishte botuar dy libra e një prej tyre i kisha bërë edhe reçensionin në gazetë. Vërtet, së bashku me poetin Pozahet Qosja e frekuentoja këtë bar ku mblidheshin inteligjencia e paktë e këtij qyteti mes malesh, sa herë që më sillte rruga këndej.
Pa dashje nxorra diktofonin dhe i drejtova disa pyetje. Jo për hatrin se më njihte, por m’u duk tip interesant edhe në rrëfim. Tregonte shtruar e me një dialekt të një treve sipër lumit Devoll. Mendova se diçka do të nxirrja...
- A e kupton se këtu duan që të jetojnë njerëz, dhe se këtyre njerëzve u është vrarë shpresa?- me pyeti në një moment. Tregu ka heshtur që nga Janari kur nisën ato virane demostrata. Me sheh mua? Kam shitur gjithë gjënë e gjallë për ato firma. Thashë që të fitoja ashtu siç thuhej at' kohë nga mashtruesit që gënjenin me para për hesap të padronëve të lekut. Dhe nuk ishin pak. E merrnin taimin e tyre fët e fët. Ata fry xhepat e nuk dinin se ku ti fusnin paratë dhe ne boshatis. Im vëlla në Cërrik shiti edhe shtëpinë me plaçkë e laçkë.Tani duam të hamë. Po me se? Kush ka punuar që të mbushet ky treg? Përderi sa kjo dynja është tallavitur e tëra, pse të mos i nxjerrim në shesh këto? Kërkohen sot. Eshte mall që të jep një dorë lekë... Presh dhe armë. Me presh shtyjmë vaktet dhe me armë ruhemi nga mëkatet.
Ndërsa kisha kaluar maloren e Drizës së bashku me Bajramin, për tu kthyer në Elbasan po mendoja për Dinen. Në bllok kisha edhe historinë e vogëlushit 9 vjeçar që ishte fikur nga armët. Vrasësi i tij një mesoburë nga qyteti pasi kishte futur në dorë ndonjë armë e municion kur u hapën depot, ishte kujtuar që të bënte një hakmarrje të vjetër duke bërë zgjedhjen e gabuar tek një fëmijë.
Në qafë ku rruga gjarpëronte mes një fshati të vogël, fshataret kishin nxjerrë barra me dru. Kuptohet për makinat që vinin nga qyteti. Druri ishte malli që kërkohej më shumë në atë pranverë të ftohte kallkan, por edhe arma. Ato ishin të stivosura një e nga një pranë turrave me dru. Të dukej sikur udhëtoje drejt një botë ireale që mund ta konceptoje veçse në ëndërra që ngjizeshin pranë mëngjezeve. Ashtu nëpër mjegull si në filmat horror përçudnoheshin pamje që i hasje në rrugë e kudo duke u bërë edhe vetë personazh mistik i një botë që nuk duhej të egzistonte.
Ndjeva ftohtë. Këmbët mu dukën si të mpira. Fjalë që erdhën nga dritarja e mbyllur e furgonit të vjetër të Bajramit që nuk munda ti deshifroj me sa duket më ftonin që të bleja armë, mjetin vrastar e më tronditës të atyre ditëve. Shoferi nxitonte. Më kishte dhënë fjalën që do të më kthente edhe pse mbasditia po fluturonte. Kjo do të thoshte për atë që i duhej të kthehej vonë në shtëpi. Pikërisht në atë kohë kur nuk qarkullonte asnjeri dhe kur bandat që plaçkisnin ishin bërë zot të vendit dhe të orëve të zeza pis. Makina sërrish rrendëte si e marrë. Kërkonte që të fitonte kohë. Bajrami disa herë më siguroi se nuk do të na ndodhte asgje pasi sipas tij ishim të vetem në rrugë dhe " nuk i mungonte eksperienca. Shofer, prej tre dekadash e ca".
Unë vazhdoja të jetoja me të pabesueshmen. Si në një celuloid filmi.Këtë herë, jo si në fëmijërinë e largët, ku Qemali i Gjatë të kapte për veshi sepse kisha tentuar të hyja pa biletë. Ishte gjithëçkah falas. Ishim njëkohësisht, spektatore, aktore dhe realizatorë të një dramë të përgjakur, që kishim krijuar vetë..." Buka "e duarve tona

No comments:

Post a Comment