Monday, 3 October 2011

Sozia...

Mars 98


Kishim lënë pas kthesën e Gjergjevicës e po zbrisnim poshtë për në Drizë. Furgoni ynë taksi u fut në një zonë me pisha që qëndronin buzë rrugës në rojë si ushtarë të vërtetë
Dikush nga pasagjerët që ishte në fund, tha;
- Kemi pas dy vetura. Me duket se janë qeveritare. I pashë që atje sipër në Cigar.
Asnjë nuk i ktheu përgjigje. Shoferi në heshtje i hodhi një vështrim pasqyrës së krahut të tij e i dha më shumë gaz makinës që zbriste lartësinë si një kal i hasdisur dhe i heshtur. Kur nuk kishim bërë as edhe një kilometër rrugë, pak më shumë se dyqind hapa mbi shkollën e Drizës, makinat tashmë i kishim prapa, madje na kërkonin që të kalonin përpara. Pas urës së Holtës hapëm udhë.
- Shoku Fatos është tek vetura e dytë. Qëndron në sedilen pas.
Dy a tre pasagjerë të tjerë u bënë kurioz e zgjatën kokat e tyre në dritaret e furgonit nga ana ku parakalonin veturat. U duk se u prish qetësia e monotonia qe të jep një rrugë që kalon në masive kodrinore, pranë maleve. Shoferi që kujdesej deri në atë cast për të mbajtur krahun e mjetit, në një moment ngriti dy grushtat lart e thirri i ngazëlluar si një fëmijë.
Urra – a – a –
E ndoqën edhe dy a tre pasagjerë të tjerë që me sa dukej sheshit ishin admirues personalë të kryeministrit të ri, me thirrje e pathirma si tifozë të vërtetë të një skuadre. Në fillim njeriu për të cilin u tha se ishte Fatosi nuk m’u duk i tillë. Makina, Benzi me ngjyrë jeshile, nuk ishte më shumë se pesëmbëdhjetë hapa para nesh. Një nga dy personat që rinin qetësisht në sedilet e pasme, identifikohej nga një mjekër gjysëm e thinjur që koinçidonte me atë te kryeministrit të vendit. Dallonte edhe koka gjysëm tullace si ajo e liderit.
Ndërsa brenda furgonit pasagjerët gramshiot dukeshin tej të lumtur e kishin shpërthyer në hare sikur të ishin një organizatë PS je, unë i u rriktheva telefonatës së një nate më parë me kreun e këshillit bashkiak, Bashkim Koçi për mbledhjen e shtabit të çarmatimit. Në fakt ishte një mbledhje rutinë e përmuajshme ku raportohej për grumbullimet e armëve, e çarmatosja e popullsisê në të 9 komunat e rrethit. Do të ishte në këtë mbledhje edhe prefekti i Elbasanit, Durim Hushi, i cili ishte nisur nga qyteti dy orë më parë. Bashkimi nuk më tha ndonjë gjë për kryeministrin…
Shoferi, një meso burrë me flokët gjysëm të rënë, këtë herë pështyu shuplakat, e pasi i vendosi ato mbi volant shkeli gazin i ngazëllyer. Kërkonte që ti parakalonte e të nisej për të arritur i pari në qytet. Me sa dukej, donte që të çonte lajmin para se të mbrinte kryeministri mysafir. Pak më poshtë kthesës së Çekinit, ku rruga zgjerohej për autobuzët që dikur sillnin puntorët e uzinës, furgoni ynë mori pak krah, e u sul përpara për të fluturuar pastaj drejt qytetit, i cili tashmë nuk ishte më larg veçse tre kilometra. Drejtuesi i benzit jeshil manovroi me shpejtësi për të mos rëne nê kanal dhe kur u duk se e arriti këtë ngriti doren e djathtë duke e lëvizur shuplakën në ajêr , si për t’i thënë shoferit tonë, « mos je gjë i çmendur ? ». Ndërsa njeriu me mjekrën si të Nanos përshëndeti këtë lloj marrëzi shqiptarësh. Pasagjerët ishin gjithë shend e kishin vendosur fytyrat në dritare nga pas dhe anash. Madje i përshëndetën ata atje pas duke brohoritur me emërin e liderit socialist.
- Jemi të majtë, ne o gazetar. Kështu është i gjithë Gramshi. Pas gjithë kësaj që ndodhi këto kohët e fundit, Fatos Nano ështê mesia i ynë. Ai do të na shpëtojë për të vënë në vend gjithçkah që kemi humbur në këtë kohë të pazakontë – me tha me një zë të ngjirur një kokmadh me flokë të kuqëremta dredha-dredha. Dukej si mësues katundi. Këtë përshtypje të jepte ndërsa i shikoje një kollare të lerosur që shfaqej poshtë jakës së një xhupi dale boje. Kishte ardhur nga sedilja e fundit, e si një militant i vërtetë pas kësaj, lëshoi edhe një parrullë: Rroftë shoku Fatos Nano.
Kaq u desh sërish. E pasuan që të gjithë.
Makina kaloi edhe axhensinë e mori rrugën me shpejtësi që të nxjerr në qendër të qytetit. Pasagjerët kishin hapur dritaret e lëshonin klithma e thirrje duke i lajmëruar klimtarët: “Tek sheshi, tek sheshi, po vjen Fatros Nano”.
Ndërkaq ne zbritëm aty para bashkisë. Militantët pasagjerë vazhdonin të bërtisnin e të komunikonin me zë të lartë me njerëzit e të njohurit e tyre në këtë qytet duke u spjeguar se “pas po vinte shoku Fatos në Gramsh i shoqëruar nga dy makina. Njerëzia u mblodh brenda dy minutave e turma u drejtua në dy trotuarët poshtë Këshillit të Rrethit.
Mora shkallët e u ngjita shpejt në katin e dytë. Jashtë u dëgjuan thirrjet dhe ovacionet si në një takim të vërtetë elektoral. Brenda minutes u gjenda përballë kreut të institucionit, në zyrën e tij.
- Vjen kryeministri në takimin e sotëm – pyeta dyshues Bashkim Koçin, nga që mua personalisht nuk më ishte dukur si ai i vërteti. Kjo ide më ishte përforcuar sapo e lame pas në kthesën e Çekinit.
Tjetri ngriti supet si për të thënë, “ unë nuk di gjë” . E pashë që u skuq menjëherë nê fytyrë . U ngrit e më dha dorën mua. Një prej këshilltarëve të tij që e gjeta në atë dhomë. Pa nga dritarja turmën që i u afrua veturës që posa qëndroi në shesh. U afruam edhe ne në syprinën e xhamtë. Poshtë u hap dera e makinës dhe njeriu që ishte brohoritur për Fatos doli qetësisht. Brohorimat vazhdonin atë çast. Buri i shkurtër që doli nga dera e makinës i kaloi dorën flokëve që po i a merrte era.
U duk se turma heshti. Ne nuk mund që të dëgjonim nga lart zërat e tyre. Pamë qê njerëzit e mbledhur aty, të cilêt duhej që ishin pak më shumë se dyqind veta po duartrokisnin tashmë qetësish. I shihnim që rrihnin shuplakat ndërsa njeriu që u konsiderua nga të gjithë si lideri i së majtës, së bashku me tre a katër persona të tjerë, kaloi përmes turmës që qëndronte në të dy anët e trotuarëve. Mbante një çantë të madhe zyre
- Janë të Bankës Botërore. – tha kryetari i rrethit. – Vijnë për një investim në të dalë të Gramshit.
- Po sa i ngjaka, bre ? – tha njeriu që gjeta në zyrë, një burë i hollë e brun. – Sozi e vërtetë
Një çast më pas u gjendëm në sallën e mbledhjeve. U raportuan shifra për mbledhje armësh e monucionesh në të gjithë rrethin, si dhe u diskutua për planin pilot që kishte marrë OKB ja për investime në zonën e Gramshit në kuadrin për një vend pa armë.
Historinë e sozisë i a tregova kolegut tim Dybeli, pasdite, sapo u ktheva në Elbasan. Shkrimi të nesërmen zuri faqen e parë të gazetës sonë, dhe se historia, se si « Nanua » fallc i mashtroi gramshiotët, kishte mbetur si shkrimi më i mire i ditës në median shqiptare.

No comments:

Post a Comment