Tetor 98
Sezoni i vapës në atë verë të 98-tës, dukej se kishte harruar, që të pushonte. Kishte hyrë edhe Tetori. Thatësirë sa më nuk bëhej. Por në Gramsh, kishte filluar një fresk. Mbase, edhe për vete pozicionin e tij, mbi një hapësirë më shumë se kodrinore, në këmbë të masivëve, të gjithë vargmalet, që qarkojnë Shqipërinë e mesme. Këtë e ndjemë, sapo vumë këmbën në sheshin përballë Bashkisë. Kishim udhëtuar herët nga Elbasani. Me mua ishte edhe kameramani i TV Kohës, që bënte pjesë në atë periudhë, në kompaninë "Koha Jonë".
Një natë më parë Aleksandër Çipa, që bënte kryeredaktorin në atë kohë, na kishte telefonuar; se duhej që të ndodheshim në Gramsh për të përgatitur edhe kronikën e pritjes së njërit prej yjeve të Hollivudit, Majkëll Dugllas. Ai vinte në kuadrin e projektit të çarmatimit, organizuar nga OKB ja. Një tjetër gjë, që e lidhte divin e kinemasë me këtë trevë, ishte edhe fakti, se heroi i famshëm i filmave amerikanë, kishte kontribuar edhe me një kuotë dollarësh, nga të ardhurat e tij, për këtë operacion kaq të rëndësishëm të komunitetit ndërkombëtar. Kishte qenë një histori e "hidhur", që Majkëllin e mbajti "peng" edhe për 6 muaj, nga ceremonia përfundimtare, e cila ishte organizua në këtë qytet, në kuadrin e çarmatimit. Vetë indiani D'hanapala, sekretari i organizmit ndërkombëtar, kishte bërë bilancin e këtij projekti, aty në zemër të qytezës mes malesh, prej pak më shumë se 8000 banorësh.
Paratë e Majkëllit, ishin planifikuar për centrale telefonike, në të 9 komunat e Gramshit. Tenderin e fituan grekët, por ata u vonuan në ndërtimin e tyre. Kjo lloj " brenge ", e kishte munduar aktorin e njohur të Hollivudit. Dhe këtë, e tha që në hyrje të fjalës së tij përshëndetëse, sapo vuri këmbën në Gramsh.
Atë ditë me mua dhe Eminin, ishte edhe korrespodenti RD-së për Elbasanin, Fatmir Terziu, si dhe një gazetar tjetër lokal. Nga Tirana, nuk erdhën gazetarë të tjerë, pasi Majkëllin pas Gramshit, do ta priste një axhendë e pasur, dhe tej e ngarkuar, e ngjeshur me aktivitete në kryeqytet.
Sidoqoftë, që ndjeheshim të privilegjuar.
Aktiviteti do të fillonte aty mes nesh. Ishte përgatitur deri në detaje, edhe ceremonia e asgjësimit të një arme, në sheshin kryesor të qytetit. Një grup karpentierësh, vetëm disa çaste më përpara, kishin dhënë dorën e fundit një podi portativ, në krahun e majtë pranë ish ndërtesës së komitetit të këshillit të rrethit. Në shkallët që të ngjisnin për në lagjen " Xhile e Liç "
Pritej vetëm ai, Divi i Hollivudit.
Njoftimi ishte që do të vinte direkt nga aeroporti i Rinasit, me një helikopter, drejt e në ish fushën e futbollit të Gramshit. Me ta mësuar këtë fakt, i mora drejtorit të spitalit makinën, e së bashku me Eminin nxituam për atje. Pak më larg se qendra. Aty ku merr udhë edhe dalja e qytetit. Pranë rrugës që shkon në malësitë lindore, e që e lidh këtë trevë me Korçën.. Një çast më vonë, mbërrin aty edhe kryetari i këshillit të rrethit Bashkim Koçi, që ishte njëkohësisht, edhe kryetari i komisionit të çarmatimit.. Me atë, ishte edhe një punonjës nga prefektura e Elbasanit, që mbante postin e sekretarit të saj, tre a katër policë të veshur civile, së bashku me shefin e komisariatit Arben Jocën, po bënin planifikimet e fundit të detyrës
- Nuk lini gjë ju gazetarët, jo-o-o-o - tha kryetari i çarmatimit duke tundur kokën majtas e djathtas. Bashkimi vuri buzën në gaz për të na thënë se " nuk e kam me të keq ", ndërsa na gjeti aty. Unë qesha, e i tregova orën me gisht, tre hapa më tej.
- Eh..., Ka një vonesë. Ai tani mbërriti në Rinas, dhe për 10 a 15 minuta, duhet që të jetë këtu.
Kryetari dukej tepër i merakosur. Kishte punuar prej dy dekadash e ca si inxhinjer mekanik, dhe gëzofi i pushtetit, e bënte që të dukej e të ndjehej, disi më ndryshe. Një burrë kuqalosh në fytyrë, i shtruar e fjalëpak, me flokët gështenjë, që formonin një gjysmë onde, mbi ballin e madh e të sheshtë. Ai prej dy vjetësh kishte provuar, që të bënte opozitën në atë qytet, të fituar nga demokratët, që në votimet e 96- tës. Fanatik i ideve të tij, por, edhe pa eksperiencë në fushën e politikës, Nuk i fliste kryebashkiakut Kujtim Kllogjeri, një veteriner, që bënte edhe shefin e demokratëve, në këtë trevë
Por koha kaloi shumë shpejt. Emini ishte i pari, që e dalloi helikopterin. Ai u shfaq, si një zog i i madh e i plagosur, në hapësirat mbi qytet, që kërkonte strehë. Kameramani ngriti kamerën, për të fiksuar e ndjekur atë, në të gjithë manovrimet e uljes. Mbi fushën e harruar të sportit, ku kishin zënë vend gjëmbaçët, e gjithëfarë barërash, të përvëluara nga dielli i asaj vere të nxehtë, u ngrit një pluhur i lehtë, që u përhap si një shtëllungë reje mes nesh e në çast na mbështolli që të gjithëve. Dukeshim të përçudnuar mes atij tisi të hollë e të kuq pluhuri.
Helikopteri, shume shpejt, u fiksua përballë nesh. Ende pa u fikur, në boshllëkun e derës së hapur, u duk portreti i divit të kinemasë. Një xhaketë lëkure kafe e errët, që mua më solli ndërmend ta ketë pasur, në rolin e një prej filmave, që e kisha përzemër, Pantallonat e zeza e tregonin më interesant, dhe më të thjeshtë, nga ç'mendohej. U kaloi dorën flokëve, që i a shpupurisnin valët e erës, që krijonin helikat, dhe buzëqeshi menjëherë. Ishte fare pranë nesh. Pas tij, u duk edhe portreti serioz i Arben Demetit, ministrit të pushtetit lokal të asaj kohe, që bënte edhe përkthyesin në shoqërimin e Majkëllit
- Na falni për vonesën. Në aeroportin e Zvicrës ka pasur shumë mjegull sot në mëngjes - tha, dhe menjëherë u bë serioz. Ministri përktheu për Bashkimin e shoqëruesin e tij. Emini, nxitoi të fiksojë këtë moment, duke mos nguruar, që të bëjë edhe disa plane portreti, të aktorit të madh. Ishte, një rast i papërsëritshëm, për karrierën e tij të shkurtër, dhe të re si kameraman. Kishte studiuar për aktor, pastaj në teatrin "Skampa"
Unë me aparatin e tij " pentagon", kisha bërë menjëherë disa foto. Majkëlli m'u gjend pranë. Më zgjati dorën. U emocionova, dhe hodha sytë nga Emini, për të parë, në se e fiksoi këtë moment. Por, ai ishte më larg, e kujdesej për të zënë një pozicion të ri, që ta fokusonte. Majkëlli i zgjati dorën edhe atij. Ai i hutuar, hoqi për një çast aparatin nga supi, e qëndroi si një fëmijë i ndrojtur. Hollivudiani qeshte me gjithë zemër.
Në qendër të qytetit, ishin grumbulluar, me qindra banorë. Kishin ardhur edhe nga fshatrat përreth. Të gjithë kishin dëshirë, ta shihnin nga afër, divin e heroi hollivudian. Ai, u a kishte rrëmbyer zemrat, nga celuloidi. Dikush, kishte rrëzuar pjesën ballore të një parulle, të vendosur disa çaste më parë. Unë dallova në një moment, vetëm një pjesë të saj...." një botë pa armë ". Mbase, turma e njerëzve, që shtrëngoheshin në trotuarin përballë këshillit të rrethit, duhej që të ishin fajtorë, për atë lloj "sakatosje"
Emini shpejtonte përpara e filmonte. Unë kisha varur mbi supe, edhe çantën e kamerës së tij. Nëpër shkallë dikush u rrëzua. Majkëlli e shoqëruesit e tij, u ngjit shpejt. Në koridorin e majtë, të katit të dytë të ndërtesës, aty pranë derës së hyrjes, në sallë e mbledhjeve, i a behu një vajzë e hollë, rreth të 20 -ve.
Me flokët gjysmë bionde, të rrëzuara e të hapura mbi supe, i u shfaq përpara.. Asnjë nuk e kishte parashikuar këtë.
- Majkëll, të adhuroj - foli vajza gati në ngashërim, me një anglishte perfekte
Tjetri nuk pati kohë që të reagoj. Vajza i u varr në qafë, si një nimfë e sapo dalë nga pasqyra e ujit. Madje, ajo tentoi që ta puthë, drejt e në buzë. Por me sa duket, në momentin e fundit, dikush e ndali atë. Dukej si e çmendur ajo vajzë.
Divi i kinemasë, qëndroi për një çast. E ç'mund, që të bënte? Dy burra të fuqishëm hapën rrugën, dhe sakaq, ai u gjend brenda në sallë. Asnjë nuk e di se çfarë u bë më tej më atë vajzë, dhe se si ajo ishte ndodhur aty. Me siguri, ndonjë gjimnaziste qyteti. Adhuruese e përdëlluar e heroit të " Basinc Instinct " dhe partnerit të Sharon Stone, në skenat e nxehta të atij filmi.
Në sallë, tjetër atmosferë. Më tepër zotëronte një qetësi kortezie. Kishin zënë vend aty, drejtues lokalë e anëtarë të komisionit të çarmatimit të rrethit, të ardhur nga të gjitha komunat e Gramshit. Të sapoardhurit, zunë vend në tavolinat që shërbenin si podium. Pastaj, fjala e mirëseardhjes nga kryetari. Falënderimi për gjestin e misionin e hollivudianit. Dugllas, kontrollon për një moment, me sy sallën. Mbase, kërkonte fansën e tij, në ketë qytet, që e shihte për të parën herë. Në një vend që shkelte po kështu.. Mbase, fytyrat e heshtura, që nuk shprehnin asgjë, dhe portretet e të pranishmëve, në atë sallë me një hapsirë, sa për një mbledhje pune, të projektuar rreth tre dekada e ca më parë, i u duke, sikur të ishin, vërtetë nga një tjetër planet. Ndonjë gjë tjetër, mbase...
Kjo u vu re, kur e ftuan, që të merrte fjalën. Pas një heshtje, që kaloi shpejt, ai nisi të flasë ngadalë. Falënderoi për pritjen, që i ishte rezervuar, dhe tha dy fjalë, për natyrën e bukur që gjeti këtu, por edhe për shqiptarët, " për të cilët kishte lexuar në libra e dëgjuar shumë gjëra", për ata që i ndeshte natyrisht " për të parën herë ". Fjalimi i tij, " haroi " moralizimin e projektit për " një botë pa armë ", që e kishte ndërmarë OKB ja dhe misioni i tij, duke e sjellë atë, nga cepi i tjetër i botës, dhe vendit, ku ishte rritur me filmin e kinemanë.
Pak më vonë, dy bodiguardet, mezi çanin turmat e njerëzve poshtë në trotuar. Një grup të rinjsh shkollarë, nxituan me blloqe fletore e fletë, ti shkëpusnin yllit të Hollivudit ndonjë autograf. Kujtim më të bukur se ky, nuk kishe se si ta gjeje. Mund të të vinte tepër rrallë, në jetë.
Në një tufë letrash të përthyera në dysh, unë shënoja radhë pas radhe, kronologjinë e veprimet e njeriut të kinemasë amerikane, që do të më shërbenin pastaj, për reportazhin e pritjes së tij, në këtë qytet armësh. Në një çast, u ndodha fare pranë. Një djalë e një vajze rreth të trembëdhjetave, i zgjatën fletoret e tyre të shkollës. Majkëlli gjeti rastin ta përkëdhelë vogëlushen duke i kaluar dorën, mbi fytyrën e bardhë e të paqme. Qeshi ëmbël. Pastaj me stilograf firmosi. Ndërrova fletë. Pa e kuptuar e vendosa përpara tij. Gjithçka kishte ndalur përreth. Mbase, ky ishte një iluzion i shpejtë dhe i çastit, që më kaploi në ato momente. Më hodhi vështrimin dhe më buzëqeshi pa të keq. Mbase, e kishte fiksuar takimin e parë me mua, ne fushën e sportit. Mbase, edhe prania ime në sallë, atje ne cepin e majtë, pranë podiumit, gjatë atij takimi, ku fiksoja në letër, gjithë fjalën e tij, duhej që ti kishte tërhequr vëmendjen. Ai ishte mësuar me gazetarët. Një jetë, tepër e pasur si e tij, kishte qenë gjithmonë në qendër të kronikave të gazetarëve, jo vetëm amerikanë.
Me një dridhje të lehtë, i afrova fletën e palosur. Ndjeva zemrën të trokasë brenda kraharorit. Një hapësirë katërkëndeshi këndrejtë prej 14 X 21 centimetra, ishte shkruar me një kaligrafi për t'u admiruar, emri " Michael "
Kur hoqa sytë nga autografi, pashë që divi i kinemasë, nuk ishte më aty pranë... Dallova një turmë, që lëvizte drejt disa stolave e karrigeve, që ishin vendosur përballe podit, i cili shërbente si tribunë. Majkëll Dugllas ishte aty. Pas, me qindra njerëz, brohorisnin. Në radhën e parë, një gjysmë rrethi me parulla. Kishte edhe në gjuhën angleze. Disa persona u shfaqen në podiumin e kuq. Në krah të ministrit Demeti, Majkëlli përshëndeste me dorë. Emini, nxitoi të dale përpara, por dikush e pengoi duke i propozuar që të filmonte poshtë podit. Në atë çast u kujtova, që ti lutem kameramanit për të më bërë një foto, ku në sfond të dukej, ylli i kinemasë. Kisha pasur në të vërtetë raste më të mira për ta realizuar këtë, atëhere kur jam ndodhur, fare pranë Majkëllit, por s’di, se si e kisha harruar. Mbase detyra e gazetarit, kishte qenë pengesa e vetme, për të marrë një kujtim të tillë, me njeriun e kinemasë amerikane. Sidoqoftë, aparati kishte shkrepur, e unë isha fiksuar në një çast, në atë atmosfere.
Pastaj erdhi çasti simbolik. Ishte pra ai, që duhej të tregonte se në trevën e tejarmatosur, duhej të shkatërroheshin plotësisht armët, që ndjellin e falin vdekjen e njerëzve. Ideatorët, vendosën në fund të podit të ngritur, në lartësinë e katër shkallëve, një sharre metalike elektrike, të fiksuar mbi një tryezë. Dugllas, që ishte larguar për një çast, pas një kuinte, u shfaq sërish në krahun e majtë, i veshur me kominoshe të kuqe. I dhanë një palë syze të mëdha mbrojtëse. Dhe ai i vendosi qetësisht. Një tjetër, solli një kallashnikov, dhe se bashku me Majkëllin, e vendosën përpara sharrës. Asistenti i tij u s'mbraps. Aktori, sikur të ishte një profesionist i vërtetë ushtarak, e ndau më dysh armën vdekjendjellëse, diku afër mekanizmit të shkrepjes. Sheshi brohoriti i gjithë. Dukej i elektrizuar. Pastaj, një fjalë e ngrohtë, e ministrit Demeti, që kishte brenda mirënjohjen për komunitetin ndërkombëtar e vetë divin. Majkëlli shtrëngoi duart. Ishte i prekur...
Në skenën e podit, u ngjitën grupet artistike të trevës. Programi artistik, me një folklor të pasur, me sa duket, i bëri shumë përshtypje, njeriut të ardhur nga Amerika, e që kishte zënë vend tashmë, në karriget e vendosura përballë. Fyelltarët e famshëm të Gramshit e mrekulluan. Në një çast, vendosi dorën pas veshit të majtë, për të dëgjuar më mirë. Dukej i përqendruar. Buzëqeshi pastaj, e duartrokiti i lumtur si fëmijë. Një orë më vonë, ne duhej që të "fluturonim" drejt Elbasanit. Ai do të drekonte aty, por grupi ynë i vogël i gazetarëve, nuk mund që të qëndronim.. Na duhej, që të ndodheshim ne Elbasan, ku e priste një takim me intelektualët e qytetit, në teatrin "Skampa". Kërkonim që të fitonim kohë. Shoferi nxitonte. Pa hyrë në qytet, dalluam nga lart helikopterin, që u shfaq nën qiellin elbasanas, ku fluturojnë e gugasin kumuritë. Kur hymë në holl, takimi kishte kohë që vazhdonte. Qetësisht, në rreshtin e djathtë, lëvizëm drejt radhës numër katër, ku ishin bosh vetëm tre karrike. Na i kishin ruajtur kolegët tanë, gazetarë e korrespodente, që prisnin në Elbasan. Lëvizja jonë, me sa dukej, tërhoqi vëmendjen edhe të njerëzve, që ishin në podium, lart në skenë. Arbeni na buzëqeshi. Diçka i foli në vesh Majkëll Dugllasit. Ai në një çast, ktheu kokë nga grupi ynë, dhe na pëshendeti ne të sapoardhurve nga Gramshi, duke ngritur paksa gishtat e dorës së djathtë.
Këtë lloj falënderimi, nuk do ta harroj gjithë jetën. Ishte ndoshta, nga më mbresëlënësit, në karrierën time modeste të gazetarisë. Eshtë nga ato çaste, që jo vetëm të emocionojnë, por edhe të japin njëkohësisht kënaqësinë, që të ndjehesh i lumtur, përballë një ylli e divi hollivudjan, si Majkëll Dugllas.
Pjesën tjetër të vizitës në Tiranë, e ndoqa në emisionet televizive të mbrëmjes
Reportazhi im, tashmë kishte mbaruar. Ai ishte vendosur në hapësirat e një faqe gazete. Të tjerët, do ta lexonin në mëngjesin e së nesërmes, ku Majkëll Dugllas, njeriu mit i kinemasë bashkëkohore, nuk do të ishte më në Shqipëri.
Sidoqoftë, unë e kujtoj me nostalgji ende pritjen, që i bëmë legjendës së filmit hollivudian, në Gramshin problematik të atyre viteve...
No comments:
Post a Comment