Monday, 31 October 2011

Roja prej guri

Nga libri me rrëfenja per fëmijë " Zemërtrimi"


Historia nuk e përmend. As në ndonjë tekst nuk është shkruar asgjë për djalin, që ngriu i vetëm në shkëmb. Historia nuk e përmend. As në ndonjë tekst nuk është shkruar për djalin, që ngriu i vetëm në shkëmb.
Përballë ishte deti dhe në fund horizonti, që puthej me të, aty ku shkrihej bluja. Tek - tuk kalonte ndonjë anije, por ato ishin moskokëçarëse se çfarë ndodhte këtej.
Një muaj më parë, një fotograf, djalë i ri dhe i pasionuar, e kishte futur në celuloid. Në të parë dukej si një pjesë e shkëmbit përballë, por kur e ekspozoi, dallohej qartë gjithë konstrukti. Ishte një fëmijë fshati. Me trup, sy dhe një armë, e krijuar nga ato që përdoreshin këtu e njëmijë e pesëqind vjet më parë. Mbase më shumë. Kësaj nuk i dihet. Por nuk ka as edhe ndonjë dëshmi, që të na e mbushë mendjen top e të hedhë dritë për atë ngjarje. Mirëpo, fotoja zgjoi interes në studion e një televizioni.
Tre ditë më pas erdhi tek shkëmbi një historian. E kundroi një copë herë, pa thënë një gjysmë fjale. Ndenji aty gati një ditë. E fotografoi sërish dhe e filmoi në të gjithë këndet, nga ku shihej e dallohej më mirë. Pastaj e vizatoi. E shoqëroi vetëm Mihal Pali i Përroit. Ai që thur vargje e bën bejte, nga ato që të thumbojnë si me spec. Thonë që është i këmbyer, Mihali, por unë nuk e kam këtë mendim . E di që është i pasionuar pas historive të fshatit tonë dhe zemra i këndon si një zog këngëtar.
Kur iku historiani, në fshat u tha: ’’ Ajo pjesë e atij shkëmbi është figura e një roje, që kontrollonte detin. Mund që të ishte edhe nga fshati ynë : ai vigjëlonte për armikun, që do të vinte nga deti. Po nuk dihej se kur dhe se kush ish. Për ne, që jetojmë në breg të detit, gjithmonë, andej na kanë ardhur armiqtë. Na kanë plaçkitur, djegur. Na kanë vrarë’’. Mirëpo, hajde që ta besoje këtë. Një copë shkëmbi, që ishte si një figurë djaloshi, të kishte qenë vërtetë njeri, aq më tepër luftëtar në roje të lirisë, në roje të të tjerëve ? Dhe kjo na paska ndodhur tremijë e ca vjet të shkuara. Atëherë, kur ishim ilirë, kur bëhej lufta e Trojës. Nuk kishim dëgjuar as edhe një legjendë e histori. Madje, as ndonjë rrëfenjë. Edhe pse i riu mund që të ishte një trojan i vërtetë, që pas shkatërrimit e dredhisë greke, me anë të atij kali gjigand prej druri, i kishin prishur që të gjitha. I kishin vënë në flakë. Ku i dihej? Edhe ne vetë mund që të jemi pjesë e atyre trojanëve, që nuk ishin gjë tjetër, veçse pjesëtar të një familje në të tërë Ballkanin, pellazgë. Kjo roje, mbase priste zjarrvënësit. Dhe ata, veçse nga deti mund që të vinin
Shumë thoshin në fshat, se këto nuk ishin gjë tjetër, veçse brokçulla, që i kishte përhapur vet Mihal Pali i Përroit në formën e bejteve.
Po, pse duhej që t’u besonim bejteve ? Punë e ngatërruar dukej kjo. Pastaj, fshati u nda në dysh. Ca thoshin se historia është e vërtetë, ca e merrnin si përrallë. Nga ato që vënë të vegjlit në gjumë. I nanurit e i ëmbëlson, që të rriten sa më parë.
Por djaloshi ngriu, në roje të lirisë. Kjo dukej tani nga ai copë shkëmb, që ishte fiksuar në celuloid, për të gjithë ata, që e panë dhe e ndoqën nga ekrani i televizionit, por edhe nga fotot që zunë faqe të tëra gazetash e revistash.
Fshati kuptoi që dikush i kishte ruajtur në shekuj.

France-Bordo, Mars 2008

No comments:

Post a Comment