Friday, 21 October 2011

Në vend të mbylljes...

Shënime për një kohë të mbrapshtë


Shënime nga blloku i gazetarit


Në historinë dhe në jetën e çdo kombi ka gjithmonë një Trojë, madje edhe disa prej tyre, që përsëriten në hapsira e në kohë. Ka një kalë të drunjtë, natyrisht i dhuruar që futet brenda rrethinave, për të cilin gëzohet, ashtu si në epopenë homeriane. Pastaj...pastaj djegia, rrënimi e shkatërrimi fatal
Nuk e di në se e kemi kaluar më parë këtë lloj Troje, ose më saktë, në cilën distancë kohore, është shfaqur për herë të fundit tek ne. Sidoqoftë, ky lloj "fataliteti" vjen në jetën e një kombi, sa herë ky i fundit dremit. Futet në një gjëndje ekstaze. Thjesht, nuk është i kujdesshëm për veten e tij...Mbase...
Ajo që kaluam në 97 tën, e më pas, ishte vërtetë diçka e tillë. Nuk e di se sa jam i saktë për këtë, dhe se si do ta klasifikojnë më vonë historianët, duke mos u hyrë kështu në pjesë, por unë personalisht e kam përjetuar si të tillë.
Copëza kujtimesh gazetari të shkëputura nga ditari i atyre ditëve të vështira që kaluam.
Shekulli njëzet shpaloste ende fletët e fundit të tij në kalendar. Histori që më kanë emocionuar, por edhe ta ndjeja shumë herë veten keq. Kam përjetuar tmerrin përpara nje pistolete TT, ku një fjalë që do të thosha, mund që të më çonte në tjetër botë. Si shumë mjeranë që ikën aso kohe. Shpesh jam ndodhur në qendër të të fortëve, e që bënin ligjin në atë periudhë, ku nuk kishte shtet, për të marrë riskun, që për mua do të thoshte edhe jetën. Ndonjë kapriçio, qejfmetje apo ndonjë inat, mund që të të bënte shumë shpejt një viktimë në absurd. Kemi ecur të përgjuar si mbi një tokë të minuar...
Këto janë në thelb ato që përbëjnë tharmin e librit që do të kishit sot ndër duar.
Pas një fluturimi me avion të shoqërisë ajrore "Olimpik", që nisi një mbasdite mes Gushti të vitit 2001, në Rinasin tonë të dashur, duke kaluar fillimisht hapsirat helene, dhe pastaj, mespërmes Europës për në gjigandin" Sharl De Gol", të kryeqytetin fracez, nuk e kisha menduar asnjëherë, që do të bëhesha preh e grabitësve të shumtë që kontrollojnë gjithçkah, dhe survejojnë gjah të majmë. Kryesisht, nga ata të racës së milionerëve. Dhe pse nuk kam qen ndonjëherë i tillë, ja që, atë rast shërbeva si te thuash, si një karem i vërtetë. Ndonëse në çantë, nuk kam patur ndonjë vlerë monetare, më "fluturuan" tre dorëshkrime. Dy prej tyre romane të përfunduara si dhe një dorëshkrim me kujtime të periudhës 97...98...
Përvoja që kalova në historinë 7-8 vjeçare tek "Koha Jonë", ka qenë jo vetëm në planin personal nga më interesantët, por edhe sepse jetova e punova në një kolektiv tej profesional, e të përkushtuar pas gazetarisë së re post komuniste. Ishin vite kur shtypi i ri shqiptar kërkonte identitetin e tij, në një periudhë krejt tjetër.
Në atë kohë kam mbajtur ditar, ku kam shkruajtur me detaje gjithëçkah. Ditët kishin një intensitet të paimagjinueshëm, e nuk kishte kohë më për refleksione. Këto copëza, ku në thelb mbanin edhe mënyrën se si i përjetoja ato ngjarje, më dukeshin në rrafshin personal, si shumë intime për jetën time. Fletë pas flete, e ngjarje pas ngjarje, u grumbulluan në formën e një ditari, që gjithësesi mendoja se do të më fliste kurdoherë me një gjuhë krejt tjetër, sa here që unë do të kërkoja një kënd të qetë pas pune, për tu relaksuar.
Realisht janë shkëputur nga shënimet që kam mbajtur nxitimth në atë kohë. Nuk e kam menduar se do të shkruaja ndonjë libër, apo se mund që ti perdorja më vonë, si "për të rrahur gjoksin". Ka qenë një copëz jete në "cunamin", që përfshiu e na shkundi ndërgjegjen ne shqiptarëve në atë kohë. Na tronditi e na ...
Aty nga fillim viti 2000 vendosa që ti drejtohem edhe një herë këtyre shënimeve. Këtë herë për ti plotësuar, dhe natyrisht pasuruar, me analizën që i shihja tashmë nga një kënd tjetër. Por asnjëherë nuk kisha guxuar deri tek botimi, dhe publikimi ashtu siç bëri ta zemë Preçi e ndonjë tjetër, të cilët botuan edhe kujtime nga ajo periudhë.
Në fakt, kisha kuptuar se prania ime si gazetar, në një prej qendrave më të mëdha të "ciklonit" të krimit, që përfshiu atë zonë në atë periudhë ; edhe pse e rastësishme, më kishte dhënë kësisoj një material tepër interesant e të ngjeshur, që është i lakmueshëm nga çdo koleg, jo vetëm edhe nga ata që rrinin kafeneve të Tiranës.
Natyrisht, këtë dorëshkrim të pasuruar prej më shumë se njëqindepesëdhjet faqesh, tashmë e mora me vete.
E përjetova keq grabitjen në "Sharl De Gol" atë mëngjez mesgushti. Kisha kaluar natën së bashku me familjen nëpër stola, në pritje për të udhëtuar pastaj me tren drejt jugperëndimit francez, ku më kishin adresuar. Në një moment më kaploi gjumi aty në stol, ndonëse kisha vendosur këmbët mbi valixhet e shtrira poshtë. Pas asaj dremitje të lehtë kuptova se kishte ndodhur plaçkitja. Ime shoqe që nuk ishte në atë moment aty, këmbëngulte se vjedhësin e kishim ende përpara syve. Ai po na kontrollonte, dhe natyrisht ishte në pritje të një grabitje tjetër. Kishte mbaruar punë me çantën që më mori, dhe natyrisht duhej që ta kishte hedhur në ndonjë kazan plehrash aty rrotull, se bashku me disa kaseta filmike e diktofonin tim profesional. Gjthëçkah ishte në një gjuhë të huaj për të, dhe kësisoj nuk kishte asnjë vlerë, me përjashtim të diktofonit dhe një aparati fotografik, që ma kishin sjellë dy vite të shkuara një miku im cërrikas nga Danimarka. Mendonte se mund që të kishte ngatëruar çantën e duhur ...
Ka qenë një bisedë telefonike pesë vite më vonë, me një mikun tim shkrimtar A.B, që më bëri të "rreflektoj". Në romanin e tij për fëmijë të asaj periudhe, një histori e shkruar nga unë ishte vënë në qendër të librit. Vërtetë që më solli shumë kujtime, por edhe më bëri pas bisedës, që të mendoj "ndryshe"
Pas kësaj, kërkova që të më vinin shënimet e atyre kohëve, që pêrgjumeshin në një cep të dhomës sime atje në Elbasan. I u rriktheva serriozisht punës së kryer më parë. Këtë here ditari më shpalosi gjithëçkah. Si në një celuloid filmi të rriparë me qindra herë, më kaloi ajo periudhë me histori të mbrapshtë.
Sidoqoftë, gjithëçkah që do tu paraqes, janë kryesisht copëza të marrë nga fletët e atij materiali. Sigurisht kam përzgjedhur momente, edhe nga jehona e ngjarjeve që trajtoi shtypi i asaj kohe, në atë treve ku jetova edhe unë. Ndonëse si fakte, kanë mundur që të përfshihen në rubrika të kronikave të zeza të asaj kohe, unë jam përpjekur që të sjell pikërisht anën tjetër të medaljes. Si të thuash ; prapaskenën e shtypit. Të pathënat e atyre materialeve që përcollëm unë e miqtë e mij gazetarë, për ngjarje të mëdha të karakterit kombëtar.
Fillimisht kjo ka qenë edhe ideja për të hartuar këtë libër. Historia e antiplumbit tek gomari, djegia e "Koha Jonë", “kolera” në Gramsh, apo i tremburi i eklipsit, pazari i armëve të Gramshit e disa të tjera, ende edhe sot diskutohen në mjedise gazetarësh që kanë përjetuar atë periudhe. E përsëris, se rasti e solli që unë të isha në qendër të tyre. E ndjeva se duhej thënë e pathëna që e serviri shtypi.
Sidoqoftë, ky është krejtësisht një material i pabotuar dhe i pa publikuar më parë. Gjithëçkaje i kam qëndruar besnik, ngjarjeve dhe emrave. I kam shkruar me realizëm ashtu siç i kam konceptuar e përjetuar, veçse unë në planin personal. Natyrisht, pa marrë përsipër për të bërë analizën e ngjarjeve, dhe kohës që i polli ato. Kjo do të jetë një fushë e historianëve dhe analistëve, që gjithësesi nuk do të mbesë pa u ndriçuar.

Autori

No comments:

Post a Comment