Sunday, 31 July 2011

Folkfestival me kallashnikov

Fund Prilli 97


Nga çuditë më të rralla që dukej se ishte në kufijtë e më të pabesueshmes të ditës, erdhi lajmi se Elbasani do të organizonte në "normalitet të plotë, "Festivalin e këngës qytetare". Aktiviteti ishte bërë si i përvitshëm dhe organizohej pikërisht pas mezit të muajit Mars ne qytet. At'here kur banoret kishin pritur e percjellur "Ditën e Verës" festën pagane më të veçante me ritualet e saj e që natyrisht e ka qytetarinë e vet pikërisht në këtë trevë.
Sidoqoftë, organizatorët Ministria e Kulturës dhe Bashkia e Elbasanit e kishin shtyrë për në ditët e fundit të Prillit. Shkaku, ishin ngjarjet e atij Marsi, në të gjithë vendin. Ndonëse ishte tashmë një "Qeveri e Pajtimit Kombëtar" e shteti bënte sikur ishte rringritur tashmë në të vërtetë, kaosi, terrori e tmerri mund që të quhej pa mëdyshje, "mbreti i ditës". Kësisoj, kallashnikovi që mbillte vdekje e përgjonte në çdo cep mori kësaj rradhe përsipër që të jetë " gardian i festivalit"
Në fakt, gjithçkah filloi natyrshëm. Grupet artistike të ardhura nga vendi por edhe nga treva shqiptarësh jashtë tij u duk se sollën një atmosferë krejt ndryshe ato ditë.Ato u sistemuan në "Hotel Skampa" në qendër të qytetit.
Një ditë më parë në redaksinë e "Koha Jone" që tashmë ishte transferuar pas djegies së saj, përballë "Petro Ninit", Arban Hasani që bënte shefin e redaksise së kulturës, më kishte "kërkuar zyrtarisht" që ta përcillja këtë eveniment me të gjitha detajet e tij.
Ndërkohë, policia kishte marrë në dorëzim "Hotel Skampën" ose turizmin e qytetit, siç i thonë në Elbasan si dhe godinën e teatrit me të njëjtin emër.
Në një ditë me shi e pak erë në sallën e shfaqieve kishin zënë vend më pak se njëqind persona. Në lloxhat e katit të dytë e të tretë ishin pjestarët e trupave artistike. Ministri i Kulturës Engjëll Ndocaj njëkohesisht gazetar i RTVSH së që kishte marrë përsipër atë detyrë për "hesap" të Partisë demokristiane, me një farë ndrojtje e paksa i zverdhur në fytyrë u ngjit në skenë. Një hap pas qëndronte badiguardi i tij. Kuptohet që ky lloj " protokolli " do të ishte paksa ndryshe se zakonisht. Në të dy anët do te shihje kudo policë me kallashnikovë krahëqafe. Madje edhe në hollin kryesor dhe lart në llonxha duke u mbështetur nga më shumë se 50 policë tek dera kryesore. Kësisoj, të dukej se gjithëçkah ishte në rrethim. E denjë për skenat masive të filmave të Kosta Gavrasit, rregjizorit francez me origjinë Greke, të cilët kishin në qendër diktaturat që shtynin ditët e fundit. Një miku im inxhinjer e i papunë do ti quante policët, dekoracioni i aktivitetit.
Pas ngjitjes në skenë të grupit të parë që ishte një program mirseardhje nga "vendasit" nën zë u pëshpërit se në sallë kishte nga njerëzit problematike të krimit. Këtë nuk e fshihnin as edhe organizatorët. Frika e ndonjë hakmarrje që do të kishte edhe përdorimin e arsenalit luftarak, pikërsiht aty në vendin publik ishte e pranishme që nga "çaku" i parë i këtij evenimenti. Ditët e mëvonëshme sikur na bindën për këtë. Në se do ti ktheheshim retrospektivës së asaj periudhë, unë kisha shënuar në bllok 11 raste ndalimesh. Këta nuk përfundonin në polici, ndonëse uniformat ishin ata që i veçonin nga publiku. Për shoqërim deri në komisariat as që bëhej fjalë. Ende nuk kishte një ambient të sigurtë edhe brenda vetë Drejtorisë së policisë së Qarkut, për të ndaluar problematikët e njerëzit e krimit. Kjo edhe për shkakun e thjeshtë se jo më shumë se një muaj më parë ishte plaçkitur e rënuar tërësisht. Kësisoj, policët edhe pse mbanin në duar kallashë i merrnin me të mirë "viktimat" e tyre. Pasi i nxirrnin nga salla me një farë "konsesusi", i linin të lirë sapo kalonin derën kryesore, jashtë në holl.
Përveç dy gazetarëve të RTVSH së, ku njeri përgatiste reportazhin e radios e tjetri ishte i atazhuar me një ekip regjistrimi te televizionit, ne të tjerët bëheshim apo nuk bëheshim kater a pesë persona. Kryesisht nga të gazetave të mëdha. Tre prej tyre ishin " koorespodentë vullnetarë " që pagueshin me honorare.
Edhe pse këto përbënin lajme në vetvete, nuk mund që të shërbenin tjetër veçse si një "dekoracion" i shkrimeve që nisnim ato ditë. Në atë kohë të pazakonte ishin normale incidentet që nisnin e mbaronin me armë, pra, të zakonshme për te mos thënë të rendomta, që në një farë mënyrë nuk mund që as të të " trondisnin " në faqet e gazetave, jo vetëm të përditëshme.
Dy pjestarë të një grupi artistik, këngëtare jo të njohura, por që bënin pjesë në shoqërim të këngëve qytetarë të trevës së tyre, një buzëmbrëmje ishin ndalur tek "Rrapi i Bezistanit". Nuk kishin pritur shoqëruesin. Ishin bërë " preh " e tre djemëve të rrinj që natyrisht bënin të fortin përpara tyre. Ato ishin nisur nga hoteli për të kaluar në teatrin e qytetit, ku do të jepnin edhe koncertin. Ishin në dy grupet e fundit që do ta mbyllnin atë aktivitet. Pjestarët e tjerë një çast më vonë udhëtuan me një furgon drejt qendrës së festivalit, të shoqëruar edhe me një makinë policie, ku në dritaret e saj dukeshin gryka kallashi.
Por vajzat kishin qëlluar me fat. Një çast më vonë ndërsa djemtë i qesëndisnin me thumba duke i mbajtur aty edhe pse këto u luteshin atyre " pasi kishin shfaqien ", kishte mbritur menjëherë Noke jevgu, i armatosur deri në " dhembe "
- Ç’keni me vajzat? Lerini që të shkojnë në punën e tyre. A nuk i shihni që janë të ardhura në qytetin tonë? Pse kështu bëhet me mysafirin që të vjen në shtëpi?
- Bëjmë shaka. Bëjnë tamam si naret kur zbresin për herë të parë në qytet- tha jo pa ndrojtje njëri prej djemëve në gjysëm erësirën e Rrapit. Ai donte që ti jepte ngjyrën e një shakaje që bëjnë zakonisht djemtë çapkënë me vajza të turpshme, duke i konsideruar edhe fshatare. Por Nokia nuk u a kishte ngrënë. Kishte shtrëmbëruar fytyrën menjëherë e ishte shfryrë sikur të kishte brenda një brengë.
Ata e njihnin Nevruzin që pak e nga pak po bëhej një nga të fortët e qytetit. Ja dinin edhe kokën, mbase... Kishin hapur udhë.
- Mos na e fëlliqni qytetin more kodoshë- u hakërrye i armatosuri, i cili një muaj më vonë do të gjente vdekjen në periferi te Elbasanit.
Vetë i kishte sjellë përpara derës së teatrit dhe u a kishte dorëzuar policëve. Tregojnë, se këta të fundit e kishin falenderuar shumë " zotin kriminel " që ishte treguar aq xhentil. Bashkpunim më të saktë e më miqësor nuk ke ku e gjen, në asnjë vend të botës.
Sidoqoftë ajo mbrëmje e parafundit të atij festivali me folk qytetar, për mua pati edhe një diçka të këndëshme. Ishte një trill që më lindi në çast. Ndërmjet konkurimit të dy grupeve u ula në një prej tavolinave të lokalit në sallën e Barit e cila korespondonte me atë të shfaqieve nëpërmjet një porte me dru are e të punuar bukur e shije artistike. Më vjen edhe Mustafa Mehja, këngëtari i njohur elbasanas që në fakt e kam mik.
- Façe- i them- mos u mpreh për çmim të parë në këtë aktivitet. E merr pa asnjë mëdyshje Bujari
Tjetri me shikoi drejt e në sy. Heshti një çast.
-E ke të saktë këtë njoftim? Se ju gazetarët rrëmoni brimën e dreqit.
Unë bëra sikur isha i saktë dhe se vendimi ishte marrë që atë mesditë duke i thënë se ishte burim tepër "konfidencial"
-Nuk më besohet. Me një këngë sllave që këndoi ai nuk mund që ta marrësh dot këtë çmim. Dhe ku? Këtu në Elbasan.
Dhjete minuta më vonë e gjeta Bujar Qamilin në lloxhën e katit të dytë me dy a tre shkodran të tjerë. Nuk më njihte. Takoheshim për herë të parë përballë. I thashë si në " koofidencë ", që " Façia më tha se keni kënduar një këngë sllave në këtë festival dhe si rrjedhojë nuk mund që të jesh në listën e fituesve që do të shpallë këngëtarin më të mirë." Mustafai është konkurenti kryesor dhe i përkëdheluri i jurise njëkohësisht".
Vuri buzën në gaz
-Ani...Kënga " Erdh pranvera " nuk është aspak sllave. Por Façes i ka mbaruar benzina tash...
Të nesërmen bëra " telefonin e prish ". E gjeta Mustafanë që në mëngjez në klub. Në mesditë pritej që të jepej një shfaqie më numrat më të mirë e në fund edhe çmimet. Elbasanasi ishte në ethe. Skuqej e zverdhej. Por edhe shkodrani Bujar dukej tepër i prekur ne sedër. Ndërsa i pari qëndroi pas skenë deri në përfundim të programit të madh artistik i dyti, shkoi përsëri në lloxhën e katit të dytë.
Unë nuk e dija dhe nuk e kisha idenë se vërtetë juria nuk do te ishte kundër ndaj "thashethemit" tim, për ti dhënë çmimin e parë të atij festivali Mustafa Mehjes. Ky i fundit, sapo dëgjoi emrin, u hodh si një fëmijë pas kuintave.
Dy ditë më vonë, ndërsa vija nga Tirana në maloren e " Qafës se Krabës ", dëgjoj në një emision të " Radio Tiranës ", Bujarin që akuzonte Façen e elbasanit se e kishte vlerësuar si këngë sllave " erdh pranvera " duke folur pastaj për origjinën e motivin folk të saj.
U kisha nxjerrë punë gazetarëve të radios
Edhe pse festival me kallashnikov, ai mbeti për në të gjithë, një eveniment qytetarie i organizuar në një kohë të paduhur, e jo në një vend të tillë.
...Një qytet i kulturës si Elbasani

No comments:

Post a Comment