12 – 13 Prill 97
Së bashku me Sulejman Haxhihasanin telekronistin e RTVSH - së kishim disa ditë që mendonim për të hyrë në Gramsh. Lajmet që vinin në Elbasan nga kjo zonë flisnin për plaçkitje mallrash e njerëzish përgjatë gjithë segmentit nga banda e fshatare në shumë pika. Tepër vështirë. Madje edhe furnizimet me mallra nga bisnesmenët vëndas ishin ndërprerë që prej dy javësh. Ndonjë shofer gramshiot furgoni taksi që mund të përshkonte atë rrugë që lidh këto dy qytete në një hapsirë kodrinore e malore, na tregonte se punonte vetëm mbi baza njohje por edhe për shkak të një taksë që paguante kapuçonet e zi të pritave. Këta të fundit ishin zotër të vërtetë të kaosit. Të shvishnin e të shvasnin gjithëçkah. Madje flitej edhe për një çift që vinte nga Tirana që kërkonte të shkonte tek njerëzit e tyre në këtë qytet të cilët ishin gjetur të vrarë e të përdhunuar. Nuk e di se sa është e vërtetë ky fakt që u lakua në ato momente por që më vonë nuk u hodh dritë për ta zbardhur gjithëçkah.
Sidoqoftë, në këto raste kishte edhe shumë hamendësime e thashetheme. Gjëndja ishte tepër e nderë.
Për herë të fundit kisha qenë në Gramsh pas mezit të shkurtit. Një miku im bisnesmen elbasanas më takoi një mbasdite ndërsa po dilja nga shtëpia e më ftoi që ta shoqëroja deri në Gramsh. Kërkonte që të merrte këstin e parë të një malli që kishte transportuar disa ditë më parë.
-Situata po degradon dita ditës. Pastaj flitet që sonte në Gramsh do të ketë protestë që do ta trondisë atë qytet. Nuk dihet se çdo të sjellë e nesërmja.- tha miku im duke e tretur vështrimin përtej timonit në një rrugëtirë mes gropave të shumtë. Me një furgon mallrash nxituam për tu gjendur aty përpara se të vinte mbrëmja. Klienti i mikut tim, një tregtar pike shumice, kishte lokalin diku pranë shtëpise së kulturës së Qytetit. Ne morrëm rrugën që vjen nga agjensia e devijuam hyrjen drejt qëndrës e cila ishte e mbushur plot policë. Ndërkohë që miku im po numëronte paratë e thata tek tregtari gramshiot unë dola pikërisht në qendër. Diku në rrugën që të sjell nga fusha e sportit dëgjova që brohorisnin. Pas pak dallova një turmë me flamuj që kërkonte të zbrazej në shesh. Policia që donte ta mbante aty pasi ata kishin marrë leje për të protestuar vetëm në fushën sportive në një moment u hap. Pranë ish turizmit të qytetit hidhnin parrulla e individë tentonin të shkëputeshin përpara. Midis tyre edhe fëmijë shkollash. Një rresht me gra valëzonin dy flamuj e në formë trekëndëshi zuri qendrën. Turma i ndoqi menjëherë pas. Komandanti i policisë V.Qato në qendër me sa duket u tha mvartësve të tij që të largoheshin e të organizoheshin përpara ish komitetit të këshillit të rrethit. Në trotuar isha edhe unë që ndiqia nga larg. Dy policë me kërkuan që të largohem.
- Eshtë në të mirën tënde - më tha një prej tyre që me sa duket më njohu.- Ata do të jenë shumë shpejt këtu. Nuk dihet se çdo të bëjnë. Turme është. Këtu nuk njeh qeni të zonë...
Ndërkaq turma erdhi fare pranë. Një grup të rrinjsh i u drejtuan një makine që parkonte në trotuarin përballe dhe e përmbysen. Nuk e di se e kujt ishte ajo makinë
Tregtari elbasanas kishte mbritur përpara meje e më kërkonte që të largoheshim shpejt.
- Këtu situata po degjeneron çdo sekondë. Hej! nuk mund që të ikim më vonë. Shih, shih atje, po i vënë flakë një makinë. Eja mo...Unë do të nisëm tani menjëherë. Kemi lënë makinën tek shtëpia e kulturës
Hodha sytë edhe një herë nga turma që në ekstazë thërristë për paret e humbura duke sharë presidentin e kryeministrin e vendit. Një djalë i gjatë e i mbushur ishte vënë përballë turmës e kërkonte që ta qetësonte. Ai lëviste duart lart, e gjysëm portreti nën një ndriçim që vinte nga djegia e makinës, dukej në atë natë që kishte zbritur shpejt mbi qendrën e qytetit, sikur vinte nga një tjeter kohë e largët. U duk sikur e ndaloi vërshimin e turmës për më tej. Më thanë që e quanin Luke Hoxha. Dukej se i dhimbsej qyteti. Por turma ishte ngjeshur në rrugën midis dy institucioneve, këshillit e asaj të bashkisë. Komandanti i policisë qëndronte aty disa hapa më tej si një monument kulture i ngrirë. Fjalët e njeriut të shendoshë që dukej se kishte marrë tashmë komandën e asaj mase njerëzish të cilët ndjeheshin ende te irrituar ma sa duket po i a dilte mbanë. Disa njerëz u shkëputen nga turma e morën përpjetë nga lagjia "Xhile e Liç". Dukeshin paqësor. Lëviznin ngadalë dy e nga tre.
Tregtarit elbasanas i u sos durimi.
- Ah! ç'po më bën...
Vonë afër mesnatës u kthyem në Elbasën. Kuptova se Gramshi këndej e tutje do të ishte një pikë nevralgjike për gjithë prefekturën e Elbasanit.
Më pas u duk sikur e haruam atë qytet ku zjenin revoltat. Të gjitha lajmet që botuam më pas në shtyp deri në shpalljen e gjëndjes se jashtzakonshme i merrnim nga shoferët e furgonave taksi. Këta të fundit jo vetëm që ishin tepër të besueshëm për ne, për shkak te njohjeve që kishim ta por edhe kumtsjellesit më të shpejtë çka ndodhte përgjatë ditës e natës aty. Ata udhëtonin në atë periudhë deri në orët e mbrëmjes, e çdo taksi a furgon, sillte pothuajse nga një lajm.
Në fakt situata regjeneronte çdo moment. Nje ditë më vonë na erdh njoftimi që u dogj komisariati i policisë. Kishte pasur tentativa për institucione të tjera. Gjithë ato ditë populli i Gramshit ishte prezent në shesh duke protestuar. Flisnin oratorë pa mbarim. Grumbulloheshin tek tregu fillimisht pastaj zbrisnin në qendër. Një miku im nga ky qytet më ka thënë më vonë se "për 23 ditë kemi lëvizur drejt sheshit". Mbase kanë ndikuar edhe pamjet që çdo natë jepnin televizionet e huaja për qytetin e Vlorës ku tragjedia e rrezimit të piramidave ishte në përmasa fatale. Faktikisht në Gramsh ishin prezent që të gjitha këto firma, me përjashtim të "Kamberit" e ndonjë tjetër.
Një i afërmi im që i lexonte reportazhet për këtë qytet i quante gramshiotët në intimitet e në bisedat tona në familje, " Vlonjatët e Gramshit ". Ai kishte punuar diku në atë qytet.
Sipas statistikave që mlodha më vonë në prefekturë, rezulton se depozitimet në sportelet e tyre ishin më të larta se sa nga ato si një qytet si Elbasani, prej më shumë se 135 mijë banorësh? Ç'do shtëpi në fshat kishte depozituar shuma kryesisht nga shitja e bagëtive, fenomen që ishte në masë në të 9 komunat e rrethit pa përmendur këtu edhe prurjet e rrefugjatëve. Rreth 5O mijë banorët e zonës prisnin të ushqeheshin vetëm nga përfitimet e këtyre derdhjeve. Në firmat rentiere hynë edhe bisneset që kishin nisur të gjallonin pas rrëzimit të komunizmit. Preferuan kapitullimin. Shumat e tyre pritej që të jepnin një bilanc më pozitiv se sa ai që nxirrnin vetë në këtë treve tej të varfër...
Në bisedat me kolegët në Elbasan gjithmonë Gramshi trajtohej si një pikë ku nuk mund që të hyej me asnjë çmim. Në një nga ato ditë rasti e solli që të njihesha me një djalë rreth të tridhjetave. Bjond e i shkurtër. Me thanë që ishte emëruar shef komisariati në atë qytet. Me origjinë ishte nga fshatrat e "Lumit të Vlorës" por ishte rritur në Sulzotaj si familje e internuar nga rregjimi komunist. Në Gramsh kishte qenë vetëm një herë, atëhere kur ishte emëruar dhe pas dhjetë orësh ishte larguar për të mos u kthyer më.
Luante bilardo gjithë ditën aty në qendër të Elbasanit me dy shokë të tjerë që edhe ata si ai ishin emëruar në policinë e Gramshit me detyra të tjera.
I kërkova që të shkonim bashkë në atë qytet. Më tha se "do të më kthente përgjigje sa të vinte shoferi i tij që ishte për momentin në Maqedoni". Pas tre ditësh më tha se "çdo gjë është gati për nesër në mëngjez"
Morëm edhe Sulën. Benzi ishte krejtësisht i blinduar me armë. Shefi e drejtonte vetë. Përpara shoferi që bënte edhe truprojën e shefit, një djalë i ri dhe i shëndoshë, kishte nxjerrë nga dritarja qytën e një mitrolozi të lehtë. Poshtë këmbëve të mija e të Sulës ishte një arsenal me kallash tre pistoleta e disa bomba thërmuese ofensive. Për çdo moment ishim "instruktuar" nga shefi për të marrë armatimin e të qëllonim kundër "objektit që do të na sulmonte"
Sula nuk pranoi.
-Për luftë mua nuk më ke - tha ai
Une nuk fola.
-Mirë atëhere, do të bësh detyrën e furnitorit. Do të na japësh ne armatim e municion kur të luftojmë..
Sula as me propozimin e dytë nuk ishte dakort. Ktheu kokën duke e tundur nga unë si për të më thënë" Ç’farë më bëre...". Valixhen e kamerës e mbante tek këmbët, ngjitur me gjujtë e mbështetur pas sediles së shefit...
Sidoqoftë në Gramsh hyjmë pa as më të voglin incident. Në çdo zonë të banuar ku hynim, truproja e zbrazte mitrolozin nga dritarja. Kështu bënim sa herë vinim përpara ndonjë kthese që konsiderohej "strategjike" për bandat e rrugës.
Qyteti që në pamjen e parë të jepte përshypjen e një shkatërrimi total. Shumica e dritareve ishin pa xhama, kryesisht ato të institucioneve në qendër. Ishte krejtësisht i qetë e pa njerëz. Sheshe e rrugë të zbazura. Për dyqane as që bëhej fjalë. Një klub në cepin e ish turizmit, kishte dy kliente të vetmuar që nxitonin të pinin kafet. Kalova pranë ish komisariatit të rrënuar e të nxirrë nga flakët. Pranë ish portës kryesore në kollonën e djathtë të saj ishte varrur një llamarinë e ngjyrosur me të bardhë e mbi të ishte shkruar "Shitet". Sula filmonte. Edhe në shesh afroi kamerën e tij pranë gjurmëve të zjarreve e shkatërimeve masive. Në qytet nuk kishte asnjë polic. Ata mungonin. Shefi që na solli qëndroi në një klub tek axhensia së bashku me truprojen e tij. I zoti i lokalit i dha besë e mbrojtje "Unë mbroj nëpërmjet teje shtetin o njeri. E dua se kemi mbetur kështu si zogjtë e klloçkës. Si në komunitetin primitiv"
...Në mesditë u kthyem tek axhensia ku na prisnin. Së bashku me një poet, mësues i letërsisë në këtë qytet zbritëm rrugën që nga bashkia. Dikush e thërriti Pozaet Qosen në trotuar që m'u dukën sikur dolën nga dheu. Pas pak pashë që miku im debatoi me ata tre te rrinj. Nuk më vajti mendja për të keq. Sula ende fokusonte me kamerën e tij skena nga qyteti. Në një çast qëndroi tek posta e filmoi shtëpinë e kulturës që edhe ajo nuk i kishte shpëtuar trazirave.
-Nxitojmë - na tha Pozaeti.- Ata që u prunë ju këtu bënë mirë që nuk u futën. Paska ndodhur një grindje edhe tek agjesia me miqtë tuaj. I kanë kërcënuar. Madje u kanë dhënë edhe një ultimatum" Të mos vinë më në qytet"
-Shefin?- pyeti me dyshim Sulejman Haxhihasani.
Tjetri tundi kokën e na tha që "të nxitonim". Ne duhej që "të largoheshim një orë e më parë nga qyteti se... "
-Kërkojnë kamerën tuaj. Më propozuan mua që t'u shoqëroj deri jashtë qytetit si për të filmuar ndonjë gjë e aty ata të bëjnë plaçkitjen.
Sula përsëri me shikoi drejt e në sy. Sikur donte të me thoshte "Pse më solle këtu..."
Shefi qëndronte në një tavolinë në cepin e djathtë. Truproja mbante ende në dorë mitrolozin e lehtë. Pas disa çastesh u nisëm drejt Elbasanit, në rrugën e kthimit. Shoqëruesi e mbushi mirë me municion dhe filloi ta zbrazë në hapsirë nga dritarja. Arma dukej sikur kishtë marrë një grip të rëndë e kollitej me intervale të vogla...
Gjithë atë natë nuk më zuri gjumi. Kisha hedhur në fletë reportazhin dhe sërrish mendoja për atë. Por edhe për atë qytet që e kam vizitur shpesh e ku kam shumë miq të mirë e të sinqertë. Nuk e meritonte. Ai tashmë jetonte zhgënjimin e vet. Skenat që pashë ishin tronditëse e kobndjellëse. Qyteti zëre se nuk ish. Për një vizitor që shkel për të parën herë kjo do ti dukej fluide dhe anormale në anormalen që po jetonim ato ditë. Sikur këto skena të ishin shkëputur nga celuloidi i nje filmi që flet për "ditën e fundit"...Egzistenca e diçkaje të frikshme që kishte mbetur si një lloj qyteti brenda inegzistencës së tij....
Një dore e fshehtë u kishte vrarë ëndrërat gramshiotëve. Kishte përmbysur gjithëçkah në këtë lloj "lufte". Mbase nuk ishte punë primitivizmi këtu. Por jeta këtu dukej sikur kishte ndalur. Dekor i një vdekje të trishte e gri. Ndoshta ndikonte edhe ai fund marsi i flakërritur që pas protestave gjëmmëdha përgjatë gjithë shkurtit solli.....Shqiptarët u ndodhen përpara depove të mëdha të municioneve e të arsenalit pa patur kohë që të shqiptojnë fjalët magjike te Ali babait "hapu suzam" e që tashmë sundohej nga një zymtësi në një qiell të mbarsur që nuk lindëte dot. Gramshi kishte jetuar tragjizmin e tij.
Më dukej se nuk i kisha thënë që të gjitha. Ishte vërtetë një moment i rrallë për jetën e një njeriu që tenton që të hyje brenda magjisë, makthit e ëndrës se keqe qe ka pushtuar nje qytet vrastarësh.Vështire është që të gjesh e të shkruash epilogun e një protesturagani që vërshoi e shplau qytetin.
Stacionet e huaja televizive vazhdonin me "kokëfortesi" të jepnin pamje nga qyteti i jugut. Thuajse atje gjithëçkah ishte Shqipëri. Dhe Vlora portret, ishte bërë kësisoj interprete e "zëdhëndesja " e saj. TVSH ja nuk jepte pamje qytetesh. Kamerat e saj fokusonin herë zyrën e presidentit e atë të këshillit te ministrave, por edhe sallën e madhe te kuvendit popullor ku deputetët e të vetmes forcë politike rrekeshin për të nxjerrë nga mitra e përgjakur ligjin e të shpallurit "gjëndje e jashtëzakonshme"
Kur u ula të nesërmen përpara makinës së shkrimit në redaksinë gazetës "Elbasani" përpara se ta faksoja për redaksinë më kaluan përpara syve si në një ekran gjithë skenat e një natë më parë nga qyteti bregdetar. Më dukej sikur kisha qenë edhe unë aty dje. Sikur e kisha vizituar e skenat i kishte filmuar shoku im Sula. Sikur Vlora ishte Gramsh dhe Gramshi, Vlora pa det...
Kjo analogji midis dy qyteteve rrebelë, nuk kishte nevojë më për koment
Që në fillim e vura këtë titull për reportazhin e një qyteti që kishte perjetuar pikë për pikë ngjarjet e qytetit bregdetar të jugut... e pastaj shkrova qetësisht.
Në fund të atij "viti të mbrapshtë" e dorëzova në konkursin e gjinive të gazetarisë...
No comments:
Post a Comment