Sunday, 31 July 2011

Folkfestival me kallashnikov

Fund Prilli 97


Nga çuditë më të rralla që dukej se ishte në kufijtë e më të pabesueshmes të ditës, erdhi lajmi se Elbasani do të organizonte në "normalitet të plotë, "Festivalin e këngës qytetare". Aktiviteti ishte bërë si i përvitshëm dhe organizohej pikërisht pas mezit të muajit Mars ne qytet. At'here kur banoret kishin pritur e percjellur "Ditën e Verës" festën pagane më të veçante me ritualet e saj e që natyrisht e ka qytetarinë e vet pikërisht në këtë trevë.
Sidoqoftë, organizatorët Ministria e Kulturës dhe Bashkia e Elbasanit e kishin shtyrë për në ditët e fundit të Prillit. Shkaku, ishin ngjarjet e atij Marsi, në të gjithë vendin. Ndonëse ishte tashmë një "Qeveri e Pajtimit Kombëtar" e shteti bënte sikur ishte rringritur tashmë në të vërtetë, kaosi, terrori e tmerri mund që të quhej pa mëdyshje, "mbreti i ditës". Kësisoj, kallashnikovi që mbillte vdekje e përgjonte në çdo cep mori kësaj rradhe përsipër që të jetë " gardian i festivalit"
Në fakt, gjithçkah filloi natyrshëm. Grupet artistike të ardhura nga vendi por edhe nga treva shqiptarësh jashtë tij u duk se sollën një atmosferë krejt ndryshe ato ditë.Ato u sistemuan në "Hotel Skampa" në qendër të qytetit.
Një ditë më parë në redaksinë e "Koha Jone" që tashmë ishte transferuar pas djegies së saj, përballë "Petro Ninit", Arban Hasani që bënte shefin e redaksise së kulturës, më kishte "kërkuar zyrtarisht" që ta përcillja këtë eveniment me të gjitha detajet e tij.
Ndërkohë, policia kishte marrë në dorëzim "Hotel Skampën" ose turizmin e qytetit, siç i thonë në Elbasan si dhe godinën e teatrit me të njëjtin emër.
Në një ditë me shi e pak erë në sallën e shfaqieve kishin zënë vend më pak se njëqind persona. Në lloxhat e katit të dytë e të tretë ishin pjestarët e trupave artistike. Ministri i Kulturës Engjëll Ndocaj njëkohesisht gazetar i RTVSH së që kishte marrë përsipër atë detyrë për "hesap" të Partisë demokristiane, me një farë ndrojtje e paksa i zverdhur në fytyrë u ngjit në skenë. Një hap pas qëndronte badiguardi i tij. Kuptohet që ky lloj " protokolli " do të ishte paksa ndryshe se zakonisht. Në të dy anët do te shihje kudo policë me kallashnikovë krahëqafe. Madje edhe në hollin kryesor dhe lart në llonxha duke u mbështetur nga më shumë se 50 policë tek dera kryesore. Kësisoj, të dukej se gjithëçkah ishte në rrethim. E denjë për skenat masive të filmave të Kosta Gavrasit, rregjizorit francez me origjinë Greke, të cilët kishin në qendër diktaturat që shtynin ditët e fundit. Një miku im inxhinjer e i papunë do ti quante policët, dekoracioni i aktivitetit.
Pas ngjitjes në skenë të grupit të parë që ishte një program mirseardhje nga "vendasit" nën zë u pëshpërit se në sallë kishte nga njerëzit problematike të krimit. Këtë nuk e fshihnin as edhe organizatorët. Frika e ndonjë hakmarrje që do të kishte edhe përdorimin e arsenalit luftarak, pikërsiht aty në vendin publik ishte e pranishme që nga "çaku" i parë i këtij evenimenti. Ditët e mëvonëshme sikur na bindën për këtë. Në se do ti ktheheshim retrospektivës së asaj periudhë, unë kisha shënuar në bllok 11 raste ndalimesh. Këta nuk përfundonin në polici, ndonëse uniformat ishin ata që i veçonin nga publiku. Për shoqërim deri në komisariat as që bëhej fjalë. Ende nuk kishte një ambient të sigurtë edhe brenda vetë Drejtorisë së policisë së Qarkut, për të ndaluar problematikët e njerëzit e krimit. Kjo edhe për shkakun e thjeshtë se jo më shumë se një muaj më parë ishte plaçkitur e rënuar tërësisht. Kësisoj, policët edhe pse mbanin në duar kallashë i merrnin me të mirë "viktimat" e tyre. Pasi i nxirrnin nga salla me një farë "konsesusi", i linin të lirë sapo kalonin derën kryesore, jashtë në holl.
Përveç dy gazetarëve të RTVSH së, ku njeri përgatiste reportazhin e radios e tjetri ishte i atazhuar me një ekip regjistrimi te televizionit, ne të tjerët bëheshim apo nuk bëheshim kater a pesë persona. Kryesisht nga të gazetave të mëdha. Tre prej tyre ishin " koorespodentë vullnetarë " që pagueshin me honorare.
Edhe pse këto përbënin lajme në vetvete, nuk mund që të shërbenin tjetër veçse si një "dekoracion" i shkrimeve që nisnim ato ditë. Në atë kohë të pazakonte ishin normale incidentet që nisnin e mbaronin me armë, pra, të zakonshme për te mos thënë të rendomta, që në një farë mënyrë nuk mund që as të të " trondisnin " në faqet e gazetave, jo vetëm të përditëshme.
Dy pjestarë të një grupi artistik, këngëtare jo të njohura, por që bënin pjesë në shoqërim të këngëve qytetarë të trevës së tyre, një buzëmbrëmje ishin ndalur tek "Rrapi i Bezistanit". Nuk kishin pritur shoqëruesin. Ishin bërë " preh " e tre djemëve të rrinj që natyrisht bënin të fortin përpara tyre. Ato ishin nisur nga hoteli për të kaluar në teatrin e qytetit, ku do të jepnin edhe koncertin. Ishin në dy grupet e fundit që do ta mbyllnin atë aktivitet. Pjestarët e tjerë një çast më vonë udhëtuan me një furgon drejt qendrës së festivalit, të shoqëruar edhe me një makinë policie, ku në dritaret e saj dukeshin gryka kallashi.
Por vajzat kishin qëlluar me fat. Një çast më vonë ndërsa djemtë i qesëndisnin me thumba duke i mbajtur aty edhe pse këto u luteshin atyre " pasi kishin shfaqien ", kishte mbritur menjëherë Noke jevgu, i armatosur deri në " dhembe "
- Ç’keni me vajzat? Lerini që të shkojnë në punën e tyre. A nuk i shihni që janë të ardhura në qytetin tonë? Pse kështu bëhet me mysafirin që të vjen në shtëpi?
- Bëjmë shaka. Bëjnë tamam si naret kur zbresin për herë të parë në qytet- tha jo pa ndrojtje njëri prej djemëve në gjysëm erësirën e Rrapit. Ai donte që ti jepte ngjyrën e një shakaje që bëjnë zakonisht djemtë çapkënë me vajza të turpshme, duke i konsideruar edhe fshatare. Por Nokia nuk u a kishte ngrënë. Kishte shtrëmbëruar fytyrën menjëherë e ishte shfryrë sikur të kishte brenda një brengë.
Ata e njihnin Nevruzin që pak e nga pak po bëhej një nga të fortët e qytetit. Ja dinin edhe kokën, mbase... Kishin hapur udhë.
- Mos na e fëlliqni qytetin more kodoshë- u hakërrye i armatosuri, i cili një muaj më vonë do të gjente vdekjen në periferi te Elbasanit.
Vetë i kishte sjellë përpara derës së teatrit dhe u a kishte dorëzuar policëve. Tregojnë, se këta të fundit e kishin falenderuar shumë " zotin kriminel " që ishte treguar aq xhentil. Bashkpunim më të saktë e më miqësor nuk ke ku e gjen, në asnjë vend të botës.
Sidoqoftë ajo mbrëmje e parafundit të atij festivali me folk qytetar, për mua pati edhe një diçka të këndëshme. Ishte një trill që më lindi në çast. Ndërmjet konkurimit të dy grupeve u ula në një prej tavolinave të lokalit në sallën e Barit e cila korespondonte me atë të shfaqieve nëpërmjet një porte me dru are e të punuar bukur e shije artistike. Më vjen edhe Mustafa Mehja, këngëtari i njohur elbasanas që në fakt e kam mik.
- Façe- i them- mos u mpreh për çmim të parë në këtë aktivitet. E merr pa asnjë mëdyshje Bujari
Tjetri me shikoi drejt e në sy. Heshti një çast.
-E ke të saktë këtë njoftim? Se ju gazetarët rrëmoni brimën e dreqit.
Unë bëra sikur isha i saktë dhe se vendimi ishte marrë që atë mesditë duke i thënë se ishte burim tepër "konfidencial"
-Nuk më besohet. Me një këngë sllave që këndoi ai nuk mund që ta marrësh dot këtë çmim. Dhe ku? Këtu në Elbasan.
Dhjete minuta më vonë e gjeta Bujar Qamilin në lloxhën e katit të dytë me dy a tre shkodran të tjerë. Nuk më njihte. Takoheshim për herë të parë përballë. I thashë si në " koofidencë ", që " Façia më tha se keni kënduar një këngë sllave në këtë festival dhe si rrjedhojë nuk mund që të jesh në listën e fituesve që do të shpallë këngëtarin më të mirë." Mustafai është konkurenti kryesor dhe i përkëdheluri i jurise njëkohësisht".
Vuri buzën në gaz
-Ani...Kënga " Erdh pranvera " nuk është aspak sllave. Por Façes i ka mbaruar benzina tash...
Të nesërmen bëra " telefonin e prish ". E gjeta Mustafanë që në mëngjez në klub. Në mesditë pritej që të jepej një shfaqie më numrat më të mirë e në fund edhe çmimet. Elbasanasi ishte në ethe. Skuqej e zverdhej. Por edhe shkodrani Bujar dukej tepër i prekur ne sedër. Ndërsa i pari qëndroi pas skenë deri në përfundim të programit të madh artistik i dyti, shkoi përsëri në lloxhën e katit të dytë.
Unë nuk e dija dhe nuk e kisha idenë se vërtetë juria nuk do te ishte kundër ndaj "thashethemit" tim, për ti dhënë çmimin e parë të atij festivali Mustafa Mehjes. Ky i fundit, sapo dëgjoi emrin, u hodh si një fëmijë pas kuintave.
Dy ditë më vonë, ndërsa vija nga Tirana në maloren e " Qafës se Krabës ", dëgjoj në një emision të " Radio Tiranës ", Bujarin që akuzonte Façen e elbasanit se e kishte vlerësuar si këngë sllave " erdh pranvera " duke folur pastaj për origjinën e motivin folk të saj.
U kisha nxjerrë punë gazetarëve të radios
Edhe pse festival me kallashnikov, ai mbeti për në të gjithë, një eveniment qytetarie i organizuar në një kohë të paduhur, e jo në një vend të tillë.
...Një qytet i kulturës si Elbasani

Thursday, 28 July 2011

Gramshi, ” Vlora pa det”

12 – 13 Prill 97


Së bashku me Sulejman Haxhihasanin telekronistin e RTVSH - së kishim disa ditë që mendonim për të hyrë në Gramsh. Lajmet që vinin në Elbasan nga kjo zonë flisnin për plaçkitje mallrash e njerëzish përgjatë gjithë segmentit nga banda e fshatare në shumë pika. Tepër vështirë. Madje edhe furnizimet me mallra nga bisnesmenët vëndas ishin ndërprerë që prej dy javësh. Ndonjë shofer gramshiot furgoni taksi që mund të përshkonte atë rrugë që lidh këto dy qytete në një hapsirë kodrinore e malore, na tregonte se punonte vetëm mbi baza njohje por edhe për shkak të një taksë që paguante kapuçonet e zi të pritave. Këta të fundit ishin zotër të vërtetë të kaosit. Të shvishnin e të shvasnin gjithëçkah. Madje flitej edhe për një çift që vinte nga Tirana që kërkonte të shkonte tek njerëzit e tyre në këtë qytet të cilët ishin gjetur të vrarë e të përdhunuar. Nuk e di se sa është e vërtetë ky fakt që u lakua në ato momente por që më vonë nuk u hodh dritë për ta zbardhur gjithëçkah.
Sidoqoftë, në këto raste kishte edhe shumë hamendësime e thashetheme. Gjëndja ishte tepër e nderë.
Për herë të fundit kisha qenë në Gramsh pas mezit të shkurtit. Një miku im bisnesmen elbasanas më takoi një mbasdite ndërsa po dilja nga shtëpia e më ftoi që ta shoqëroja deri në Gramsh. Kërkonte që të merrte këstin e parë të një malli që kishte transportuar disa ditë më parë.
-Situata po degradon dita ditës. Pastaj flitet që sonte në Gramsh do të ketë protestë që do ta trondisë atë qytet. Nuk dihet se çdo të sjellë e nesërmja.- tha miku im duke e tretur vështrimin përtej timonit në një rrugëtirë mes gropave të shumtë. Me një furgon mallrash nxituam për tu gjendur aty përpara se të vinte mbrëmja. Klienti i mikut tim, një tregtar pike shumice, kishte lokalin diku pranë shtëpise së kulturës së Qytetit. Ne morrëm rrugën që vjen nga agjensia e devijuam hyrjen drejt qëndrës e cila ishte e mbushur plot policë. Ndërkohë që miku im po numëronte paratë e thata tek tregtari gramshiot unë dola pikërisht në qendër. Diku në rrugën që të sjell nga fusha e sportit dëgjova që brohorisnin. Pas pak dallova një turmë me flamuj që kërkonte të zbrazej në shesh. Policia që donte ta mbante aty pasi ata kishin marrë leje për të protestuar vetëm në fushën sportive në një moment u hap. Pranë ish turizmit të qytetit hidhnin parrulla e individë tentonin të shkëputeshin përpara. Midis tyre edhe fëmijë shkollash. Një rresht me gra valëzonin dy flamuj e në formë trekëndëshi zuri qendrën. Turma i ndoqi menjëherë pas. Komandanti i policisë V.Qato në qendër me sa duket u tha mvartësve të tij që të largoheshin e të organizoheshin përpara ish komitetit të këshillit të rrethit. Në trotuar isha edhe unë që ndiqia nga larg. Dy policë me kërkuan që të largohem.
- Eshtë në të mirën tënde - më tha një prej tyre që me sa duket më njohu.- Ata do të jenë shumë shpejt këtu. Nuk dihet se çdo të bëjnë. Turme është. Këtu nuk njeh qeni të zonë...
Ndërkaq turma erdhi fare pranë. Një grup të rrinjsh i u drejtuan një makine që parkonte në trotuarin përballe dhe e përmbysen. Nuk e di se e kujt ishte ajo makinë
Tregtari elbasanas kishte mbritur përpara meje e më kërkonte që të largoheshim shpejt.
- Këtu situata po degjeneron çdo sekondë. Hej! nuk mund që të ikim më vonë. Shih, shih atje, po i vënë flakë një makinë. Eja mo...Unë do të nisëm tani menjëherë. Kemi lënë makinën tek shtëpia e kulturës
Hodha sytë edhe një herë nga turma që në ekstazë thërristë për paret e humbura duke sharë presidentin e kryeministrin e vendit. Një djalë i gjatë e i mbushur ishte vënë përballë turmës e kërkonte që ta qetësonte. Ai lëviste duart lart, e gjysëm portreti nën një ndriçim që vinte nga djegia e makinës, dukej në atë natë që kishte zbritur shpejt mbi qendrën e qytetit, sikur vinte nga një tjeter kohë e largët. U duk sikur e ndaloi vërshimin e turmës për më tej. Më thanë që e quanin Luke Hoxha. Dukej se i dhimbsej qyteti. Por turma ishte ngjeshur në rrugën midis dy institucioneve, këshillit e asaj të bashkisë. Komandanti i policisë qëndronte aty disa hapa më tej si një monument kulture i ngrirë. Fjalët e njeriut të shendoshë që dukej se kishte marrë tashmë komandën e asaj mase njerëzish të cilët ndjeheshin ende te irrituar ma sa duket po i a dilte mbanë. Disa njerëz u shkëputen nga turma e morën përpjetë nga lagjia "Xhile e Liç". Dukeshin paqësor. Lëviznin ngadalë dy e nga tre.
Tregtarit elbasanas i u sos durimi.
- Ah! ç'po më bën...
Vonë afër mesnatës u kthyem në Elbasën. Kuptova se Gramshi këndej e tutje do të ishte një pikë nevralgjike për gjithë prefekturën e Elbasanit.
Më pas u duk sikur e haruam atë qytet ku zjenin revoltat. Të gjitha lajmet që botuam më pas në shtyp deri në shpalljen e gjëndjes se jashtzakonshme i merrnim nga shoferët e furgonave taksi. Këta të fundit jo vetëm që ishin tepër të besueshëm për ne, për shkak te njohjeve që kishim ta por edhe kumtsjellesit më të shpejtë çka ndodhte përgjatë ditës e natës aty. Ata udhëtonin në atë periudhë deri në orët e mbrëmjes, e çdo taksi a furgon, sillte pothuajse nga një lajm.
Në fakt situata regjeneronte çdo moment. Nje ditë më vonë na erdh njoftimi që u dogj komisariati i policisë. Kishte pasur tentativa për institucione të tjera. Gjithë ato ditë populli i Gramshit ishte prezent në shesh duke protestuar. Flisnin oratorë pa mbarim. Grumbulloheshin tek tregu fillimisht pastaj zbrisnin në qendër. Një miku im nga ky qytet më ka thënë më vonë se "për 23 ditë kemi lëvizur drejt sheshit". Mbase kanë ndikuar edhe pamjet që çdo natë jepnin televizionet e huaja për qytetin e Vlorës ku tragjedia e rrezimit të piramidave ishte në përmasa fatale. Faktikisht në Gramsh ishin prezent që të gjitha këto firma, me përjashtim të "Kamberit" e ndonjë tjetër.
Një i afërmi im që i lexonte reportazhet për këtë qytet i quante gramshiotët në intimitet e në bisedat tona në familje, " Vlonjatët e Gramshit ". Ai kishte punuar diku në atë qytet.
Sipas statistikave që mlodha më vonë në prefekturë, rezulton se depozitimet në sportelet e tyre ishin më të larta se sa nga ato si një qytet si Elbasani, prej më shumë se 135 mijë banorësh? Ç'do shtëpi në fshat kishte depozituar shuma kryesisht nga shitja e bagëtive, fenomen që ishte në masë në të 9 komunat e rrethit pa përmendur këtu edhe prurjet e rrefugjatëve. Rreth 5O mijë banorët e zonës prisnin të ushqeheshin vetëm nga përfitimet e këtyre derdhjeve. Në firmat rentiere hynë edhe bisneset që kishin nisur të gjallonin pas rrëzimit të komunizmit. Preferuan kapitullimin. Shumat e tyre pritej që të jepnin një bilanc më pozitiv se sa ai që nxirrnin vetë në këtë treve tej të varfër...
Në bisedat me kolegët në Elbasan gjithmonë Gramshi trajtohej si një pikë ku nuk mund që të hyej me asnjë çmim. Në një nga ato ditë rasti e solli që të njihesha me një djalë rreth të tridhjetave. Bjond e i shkurtër. Me thanë që ishte emëruar shef komisariati në atë qytet. Me origjinë ishte nga fshatrat e "Lumit të Vlorës" por ishte rritur në Sulzotaj si familje e internuar nga rregjimi komunist. Në Gramsh kishte qenë vetëm një herë, atëhere kur ishte emëruar dhe pas dhjetë orësh ishte larguar për të mos u kthyer më.
Luante bilardo gjithë ditën aty në qendër të Elbasanit me dy shokë të tjerë që edhe ata si ai ishin emëruar në policinë e Gramshit me detyra të tjera.
I kërkova që të shkonim bashkë në atë qytet. Më tha se "do të më kthente përgjigje sa të vinte shoferi i tij që ishte për momentin në Maqedoni". Pas tre ditësh më tha se "çdo gjë është gati për nesër në mëngjez"
Morëm edhe Sulën. Benzi ishte krejtësisht i blinduar me armë. Shefi e drejtonte vetë. Përpara shoferi që bënte edhe truprojën e shefit, një djalë i ri dhe i shëndoshë, kishte nxjerrë nga dritarja qytën e një mitrolozi të lehtë. Poshtë këmbëve të mija e të Sulës ishte një arsenal me kallash tre pistoleta e disa bomba thërmuese ofensive. Për çdo moment ishim "instruktuar" nga shefi për të marrë armatimin e të qëllonim kundër "objektit që do të na sulmonte"
Sula nuk pranoi.
-Për luftë mua nuk më ke - tha ai
Une nuk fola.
-Mirë atëhere, do të bësh detyrën e furnitorit. Do të na japësh ne armatim e municion kur të luftojmë..
Sula as me propozimin e dytë nuk ishte dakort. Ktheu kokën duke e tundur nga unë si për të më thënë" Ç’farë më bëre...". Valixhen e kamerës e mbante tek këmbët, ngjitur me gjujtë e mbështetur pas sediles së shefit...
Sidoqoftë në Gramsh hyjmë pa as më të voglin incident. Në çdo zonë të banuar ku hynim, truproja e zbrazte mitrolozin nga dritarja. Kështu bënim sa herë vinim përpara ndonjë kthese që konsiderohej "strategjike" për bandat e rrugës.
Qyteti që në pamjen e parë të jepte përshypjen e një shkatërrimi total. Shumica e dritareve ishin pa xhama, kryesisht ato të institucioneve në qendër. Ishte krejtësisht i qetë e pa njerëz. Sheshe e rrugë të zbazura. Për dyqane as që bëhej fjalë. Një klub në cepin e ish turizmit, kishte dy kliente të vetmuar që nxitonin të pinin kafet. Kalova pranë ish komisariatit të rrënuar e të nxirrë nga flakët. Pranë ish portës kryesore në kollonën e djathtë të saj ishte varrur një llamarinë e ngjyrosur me të bardhë e mbi të ishte shkruar "Shitet". Sula filmonte. Edhe në shesh afroi kamerën e tij pranë gjurmëve të zjarreve e shkatërimeve masive. Në qytet nuk kishte asnjë polic. Ata mungonin. Shefi që na solli qëndroi në një klub tek axhensia së bashku me truprojen e tij. I zoti i lokalit i dha besë e mbrojtje "Unë mbroj nëpërmjet teje shtetin o njeri. E dua se kemi mbetur kështu si zogjtë e klloçkës. Si në komunitetin primitiv"
...Në mesditë u kthyem tek axhensia ku na prisnin. Së bashku me një poet, mësues i letërsisë në këtë qytet zbritëm rrugën që nga bashkia. Dikush e thërriti Pozaet Qosen në trotuar që m'u dukën sikur dolën nga dheu. Pas pak pashë që miku im debatoi me ata tre te rrinj. Nuk më vajti mendja për të keq. Sula ende fokusonte me kamerën e tij skena nga qyteti. Në një çast qëndroi tek posta e filmoi shtëpinë e kulturës që edhe ajo nuk i kishte shpëtuar trazirave.
-Nxitojmë - na tha Pozaeti.- Ata që u prunë ju këtu bënë mirë që nuk u futën. Paska ndodhur një grindje edhe tek agjesia me miqtë tuaj. I kanë kërcënuar. Madje u kanë dhënë edhe një ultimatum" Të mos vinë më në qytet"
-Shefin?- pyeti me dyshim Sulejman Haxhihasani.
Tjetri tundi kokën e na tha që "të nxitonim". Ne duhej që "të largoheshim një orë e më parë nga qyteti se... "
-Kërkojnë kamerën tuaj. Më propozuan mua që t'u shoqëroj deri jashtë qytetit si për të filmuar ndonjë gjë e aty ata të bëjnë plaçkitjen.
Sula përsëri me shikoi drejt e në sy. Sikur donte të me thoshte "Pse më solle këtu..."
Shefi qëndronte në një tavolinë në cepin e djathtë. Truproja mbante ende në dorë mitrolozin e lehtë. Pas disa çastesh u nisëm drejt Elbasanit, në rrugën e kthimit. Shoqëruesi e mbushi mirë me municion dhe filloi ta zbrazë në hapsirë nga dritarja. Arma dukej sikur kishtë marrë një grip të rëndë e kollitej me intervale të vogla...
Gjithë atë natë nuk më zuri gjumi. Kisha hedhur në fletë reportazhin dhe sërrish mendoja për atë. Por edhe për atë qytet që e kam vizitur shpesh e ku kam shumë miq të mirë e të sinqertë. Nuk e meritonte. Ai tashmë jetonte zhgënjimin e vet. Skenat që pashë ishin tronditëse e kobndjellëse. Qyteti zëre se nuk ish. Për një vizitor që shkel për të parën herë kjo do ti dukej fluide dhe anormale në anormalen që po jetonim ato ditë. Sikur këto skena të ishin shkëputur nga celuloidi i nje filmi që flet për "ditën e fundit"...Egzistenca e diçkaje të frikshme që kishte mbetur si një lloj qyteti brenda inegzistencës së tij....
Një dore e fshehtë u kishte vrarë ëndrërat gramshiotëve. Kishte përmbysur gjithëçkah në këtë lloj "lufte". Mbase nuk ishte punë primitivizmi këtu. Por jeta këtu dukej sikur kishte ndalur. Dekor i një vdekje të trishte e gri. Ndoshta ndikonte edhe ai fund marsi i flakërritur që pas protestave gjëmmëdha përgjatë gjithë shkurtit solli.....Shqiptarët u ndodhen përpara depove të mëdha të municioneve e të arsenalit pa patur kohë që të shqiptojnë fjalët magjike te Ali babait "hapu suzam" e që tashmë sundohej nga një zymtësi në një qiell të mbarsur që nuk lindëte dot. Gramshi kishte jetuar tragjizmin e tij.
Më dukej se nuk i kisha thënë që të gjitha. Ishte vërtetë një moment i rrallë për jetën e një njeriu që tenton që të hyje brenda magjisë, makthit e ëndrës se keqe qe ka pushtuar nje qytet vrastarësh.Vështire është që të gjesh e të shkruash epilogun e një protesturagani që vërshoi e shplau qytetin.
Stacionet e huaja televizive vazhdonin me "kokëfortesi" të jepnin pamje nga qyteti i jugut. Thuajse atje gjithëçkah ishte Shqipëri. Dhe Vlora portret, ishte bërë kësisoj interprete e "zëdhëndesja " e saj. TVSH ja nuk jepte pamje qytetesh. Kamerat e saj fokusonin herë zyrën e presidentit e atë të këshillit te ministrave, por edhe sallën e madhe te kuvendit popullor ku deputetët e të vetmes forcë politike rrekeshin për të nxjerrë nga mitra e përgjakur ligjin e të shpallurit "gjëndje e jashtëzakonshme"
Kur u ula të nesërmen përpara makinës së shkrimit në redaksinë gazetës "Elbasani" përpara se ta faksoja për redaksinë më kaluan përpara syve si në një ekran gjithë skenat e një natë më parë nga qyteti bregdetar. Më dukej sikur kisha qenë edhe unë aty dje. Sikur e kisha vizituar e skenat i kishte filmuar shoku im Sula. Sikur Vlora ishte Gramsh dhe Gramshi, Vlora pa det...
Kjo analogji midis dy qyteteve rrebelë, nuk kishte nevojë më për koment
Që në fillim e vura këtë titull për reportazhin e një qyteti që kishte perjetuar pikë për pikë ngjarjet e qytetit bregdetar të jugut... e pastaj shkrova qetësisht.
Në fund të atij "viti të mbrapshtë" e dorëzova në konkursin e gjinive të gazetarisë...

Tuesday, 26 July 2011

Shitësja e qumështit bën dashuri

6 Prill 97

Kishte ardhur nga fshatrat e Korçës, por ishte martuar në një fshat të Elbasanit. Filloreta K ishte e paditur nga i shoqi në gjykatën e rrethit, i cili kërkonte zgjidhjen e martesës. Ndoshta ishte padia e parë e kësaj pranvere me gjëmime armësh, kaos, e terror të gjithanshëm fizik, e psikologjik. Por në institucion nuk i a kishin pranuar padinë ende. Që prej tre ditësh Myftar K, nga një fshat i periferisë së qytetit, vinte në mëngjez herët duke shpresuar se, “ do të mund që ta ndante bashkshorten ” , që sipas tij, i a kishte ulur nderin përtokë. Avokati i vetëm që ishte në një prej kioskave aty pranë gjykatës, një meso burrë i heshtur dhe i hollë, i a kishte bërë kërkesën, por nuk mendonte se çështja do të shkonte shumë shpejt në gjykatë, pasi ajo nuk po funksiononte që prej fillimit të Marsit.
Gjyqtarët vinin e paraqiteshin në mëngjez. Mbylleshin në zyra e pastaj, aty afër mesditës, largoheshin një nga një në heshtje. Tek dera gjithmonë përveç rojes civile të institucionit, Shabanit, ishin edhe dy policë të shërbimit. Të armatosur dhe me jelekë antiplumb, duke ekspozuar në gjoks, edhe nje koleksion karrikatoresh rezervë. Thuhej se po aq policë ndodheshin gjatë natës brenda ambjenteve të këtij institucioni, në roje të të gjithë dosjeve që kishte gjykuar kjo gjykatë ndër vite, në këtë rreth.
E njihja prej kohësh këtë avokat. Që kur punonte si jurist, në një ish ndërmarje në periferi të qytetit, dy dekada më parë. Atë mëngjez e kishim lënë që të pinim një kafe në klubin përballë, i cili rinte hapur deri në mesditë. Kërkoja një asistencë juridike për një copë tokë të një të afërmi tim. Problem shitje.
- Ulu e më prit, sa të mbaroj me këtë klient – më tha. – Eshtë një miku im – i u drejtua njeriut që kishte përballë, si për ti dhënë një lloj garancie. – Do të vazhdojmë.
- Çfarë të vazhdojmë. Eshtë dita e tretë që vij nga fshati dhe nuk po bëhet asgjë – tha burri që kishte hall.
Ishte bërë spec në fytyrë
-Ke zgjedhur kohë të vështirë për gjyq – foli qetësisht avokati për klientin e tij.
Por ai ishte gjithë mllef. Nuk mund që të duronte më.
- A e mban në dyshek gruan që shkon me të tjerët ? – tha Myftar K
- Natyrisht. Ti ke të drejtë. Po sot nuk funksionon shteti ligjor. – i u përgjigj mendueshëm avokati, duke ngritur kërkesë padinë që ende nuk ishte rregjistruar në gjykatë. - Pritet një urdhër i dytë për paditë civile.
Tjetri u duk se shfryu. Rrudhi ballin e gjërë e të sheshtë
- Nuk mund që ta fal më. E kam bërë një herë këtë gafë. Më kishte rënë në kokë. Kjo punë ishte parë që nga divorci i parë i ish sime shoqeje. Por unë kaqoli…Ai tjetri për këtë punë e la. E kapi gafil me një shofer në metalurgji, se atje punonte disa vite më parë. Por hajde të më mbushje mëndjen mua në atë kohë. Si ata që i zë rakia. E mora dhe e çova në shtëpi. Më tha që do të më bënte të lumtur, por jo që nuk më bëri, por më la në vatër një djalë e një vajzë dhe pa qejfet e veta. Shkoi me burra të tjerë. Në fillim nuk kam dyshuar. I besova. Verbërisht.
Tundi kokën sikur donte të shkundëte diçka prej saj. Ndoshta ato, që i konsideronte si kujtime të hidhura gjatë jetës bashkshortore, me gruan që gjeti në metalurgjik. Heshti për një çast, e pastaj në një fragment sekonde, rrudhi buzët në një mënyre krejtësisht të pavullnetëshme, dhe uli sytë në dysheme.
- Ish shoferi i kooperativës i vinte vërdallë. - Tha me një zë të mekur e të ngadaltë, sikur ta peshonte fjalën. Dukej i dyzuar në çast, dhe heshti përsëri. Avokati ishte i pavëmëndshëm. Mbase bënte kinse ashtu. Klienti i tij kaloi vështrimin nga unë. Ndoshta edhe unë i u duka indiferent. Pastaj sikur të kishte marrë zemër, vendosi që të vazhdojë rrëfimin. Do të thoshte diçka delikate, nga ato të rrallat, që burrat i mbajnë fshehur brenda vehtes për shoqen e jetës. Madje i kyçin për të mos dalë më që andej. Kjo në fakt, është bota sekrete. Misteri. E pathëna. Sa herë që dyshimet, por edhe provat e çojnë atë në pusin, ku gatuhet pabesia femërore. Por Myftar K donte që të bënte burin ndryshe. Këtë herë në ball dukej se i rrihte një tik. I a dallova në cepin e djathtë të tij. Pulsonte.
- I gjeta një herë në buzëmbrëmje duke u fjalosur pranë ledhit. Nuk kam gjë, më tha në shtëpi. Thjesht muhabet. Të një fshati jemi. Por unë e di që ai është problematik dhe qejflli femrash. Beqar i stazhionuar, por parapëlqen gratë e martuar. E zura një ditë nga jaka. Jo më tha, nuk e bëj atë unë me ty. Pastaj ti shiko gruan. E thotë populli ; po nuk e luajti bishtin…nuk i vete mbrapa asnjë. Filloreta qante e derdhte lot. Me thosh se ishte e pafajshme. Vura dorën në zemër. E fala. Njerëz jemi. Prej mishi dhe gjaku jemi gatuar. Por kjo e këtyre ditëve nuk durohet. Gjyqi le të më ndajë. Të shikojë edhe fëmijët. Gjithmonë sipas ligjit.
Myftar K lëviste çadrën sa në një dorë tek tjetra. Ishte nervoz. Nuk përqëndrohej. Kuptova se këtë pjesë të historisë së tij me Filloretën, nuk i a kishte thënë as edhe avokatit. Ky e ndiqte me indiferencë. Ndoshta nga që, histori të tilla kishte takuar shumë gjatë eksperiencës gjyqsore, afro dy dekada.
- Sidoqoftë ne e kemi bërë kërkesën. Në rastin më të pare, që do të filloj puna këtu në gjykatë, do ta depozitoj. Ti e ke paguar edhe taksën. Mbase duhet që të vish ndoshta nga java që vjen. Nuk ka asnjë pengesë tjetër - tha avokati me zë të ulët, sikur donte që ta qetësonte klientin e tij, e pastaj u kthye nga kompjutri i tij i ndezur, ku në ekran dallohej një tekst i lënë përgjysëm
Tjetri doli jasht. Qëndoi një çast në prag të derës, dhe hapi çadrën. Pastaj u vu në udhë. E dallova që shkoi në fund të rrugës e u kthye poshtë, në segmentin që të nxjerr në bulevardin e vetëm të qytetit.
- Mbase i bën mirë – thashë unë ashtu kot, duke patur parasysh të ftohtin e këtij fillim prilli, që duhej ta freskonte atë, e ta qetësonte klientin e shokut tim..
- Histori që nuk mbarojnë.
Avokati tentoi që të hedhë përsëri disa rradhë në kompjutër, e pastaj sikur të ishte kujtuar për prezencën time aty, më hodhi një vështrim si një i fajshëm.
- Më fal. Gati të harova fare. Mund që edhe ta pijmë kafen tani, se pas pak e mbyll klubin ai përballë. Tre a katër orë në ditë e mban hapur. Ç’farë të bëj i ziu njeri.
U ngrit në këmbë, dhe pastaj stivosi një dosje, dhe e futi pas pak në sirtar. E kyçi. E kuptova që duhej të ngrihesha për kafenë. Duhej që të flisja për një pronë, e cila do të shitej ato ditë « me pare në dorë ». Nuk mund që ta mbaje, sepse nga çasti në çast aty, mund që të vinte dikush, e të hidhte themele shtëpie për gjithë natën. Hajde pastaj që të merreshe vesh më, përveçse me kallashnikov. Këta të mite, nuk i a thonin kallashit. Dukeshin që të gjithë me « namuz » e të urtë, si një shqerrë.
- Ti i ngeshëm je. I papunë. Gazetën u a dogjën, prandaj bëj ç’të bësh, hidhu edhe këndej nga unë këto ditë. I vetëm jam. Asnjë nga kolegët nuk e merr rrezikun në sy.
Kafet erdhën shpejt. Ishim të vetëm në mes të sallës që ndodhej në katin e dytë. Përballë kishim shkallët.
Jashtë nuk lëviste asnjë. Ndonjë që na shfaqej në syprinën e xhamtë, nxitonte për tu mbyllur brenda në shtëpi. Avokati filloi e të më tregojë që të gjithë rrugën, që duhej të bënim ne me blerësin e pare, që na ishte paraqitur. Na propozoi pastaj edhe noterin, ku do të hartohej akti noterial i « dhurimit », por edhe një rrugë tjetër pak më të gjatë, por, që ishte e « sigurtë fare ».
Nuk e di pse, por mua më rinte mëndja tek fshatari, që kërkonte ndarje nga bashkshortja. Shoku im i tavolinës e kuptoi .
- Mik i dashur, mbase nuk e njeh, por ajo vite më parë çante skenat kur ndërtohej metalurgjiku. E kam parasysh si tani. Kishte ardhur nga fshatrat e Korçës e punonte në një kantier. Atje njohu edhe djalin e zemrës. Më duket se ishte myzeqar. Nga ata që kishte sjellë ai gjigandi, që ka mbetur sot atje në fushë, lakuriq. Por me sa duket, nuk ishte e prerë vetëm për një mashkull. Si pelë e hasdisur. Hajt e ta mbaje. Kishte zot ? Ç’ne. E la ai qyqari. Ky i tanishmi thotë se e kishte zënë me një tjetër. Kush i di mirë këto punë. Korçaria e la këngën, dhe pranoi që të jetoj në fshat. Ja këtu afër qytetit. As katër kilometër. Në kohën e metalurgjikut kishin autobuz, por tani i janë rrikthyer punëve të fshatit. E kam parë këto vitet e fundit që shet qumësht. Edhe tek mua sillte para ca kohësh, por tani preferoj qumësht që vjen nga Llixha. Ma sjell një mesoburë. Bajrami. Në akt padi, Myftari thotë se e ka kapur në flagrancë, të djelën në mesditë. Ka dyshuar fillimisht. Filloreta ndante qumësht në lagjen jugore të Elbasanit. Aty buzë rrugës që të çon për në Librazhd. Ishte një i moshuar. Më duket se ka qenë oficer. Familjen e ka të gjithë në Greqi. Vetë rri këtu e ruan shtëpinë. Po çfarë do të bëj qyqari. E ndjen vetminë dhe e zëvëndëson me dashurinë. Në ditët që plumbat binin nga qielli si pikat e shiut, ajo nisej herët që pa gdhirë mirë, pa patur frikë. Kthehej pasditeve vonë. I ishte vënë pas. E kishte ruajtur në distancë. Pastaj tek shtëpia e ushtarakut, që nga ora nëntë e deri në mesditë. Kishte hyrë brenda…
- Po mirë, ky Myftari ka ndonjë fakt ? - pyeta unë e qesha nga e gjithë kjo romance, që më kujtuan novelat e Cvajgut, të cilat po i rilexoja ato ditë, kushedi për të satën herë.
Avokati heshti. Dukej si i lodhur. Shtrëngoi fort sytë e pastaj vendosi dy gishtrij sipër qerpikëve të mbyllur. Mbase ndjente ndonjë dhimbje në kokë. E tundi atë dhe heshti përsëri. U duk se nuk merrte as frymë. Por ky për mua ishte vetëm një iluzion.
- Ka sjellë një letër. Tip deklarate e bërë nga korçarja dhe e firmosur në fund. Ajo pranon që të ketë shkuar me ashikun plak. Këtë e ka bërë se e donte prej disa kohësh. Kështu thuhet në tekst. Hajde që ta gjesh të vërtetën. Gjykata duhet që ta provojë me thëniet e saj.
- Paska sakrifikuar – thashë unë e vura përsëri buzën në gaz. – ka shkuar çdo ditë rregullisht përmes plumbave, tek dashuria e saj e re.
- Preteksin e ka patur. Atë të shitjes së qumështit, se me atë e mbajnë shtëpinë këto fshatra përreth. Një rrugë e dy punë - tha avokati që në çast i u hap goja. – Jam pa gjumë. E ku të zë ai. Gjithë natën e kam mëndjen këtu tek zyra. Ime shoqe më thotë se jam bërë depresiv. Si thua ti ? Të mos bëhesh në këto kohë ? Por gruaja ka merak shëndetin tim. A po nuk kam edhe diabet.
- Sidoqoftë, ka guxuar në qoftëse ka patur dashuri të sinqertë.
- Llaf e ke atë ti ? - më tha avokati, e nuk m’i ndau sytë, si për të hetuar në se e kisha me të vërtetë. - Po kjo është poshtërsi. Madje e pastërt. Ngrihet gruaja nga dysheku dhe shkon të ngroh dyshekun e tjetrit. Kohë e poshtër për pushllëqe.
Dukej se tjetri përballë meje ishte nxehur tashmë. Ishte shkundur nga ajo përhumbje që e kishte kapluar një çast më parë.
- Ti mendon se gjyqi do ti divorcojë këtë Myftarin dhe shitësen e qumështit ? – pyeta këtë herë seriozisht
- E kërkojnë që të dy, përderisa në deklaratë pranon se ka shkuar me tjetrin. Por nuk ka qenë dashuria ajo, që e bëri korçaren që të braktisë burrin dhe fëmijët e saj, për një të moshuar, a pënsionist që rri vetëm në shtëpi. Më duket se i a ka thënë mirë ai shoferi i kooperativës. Si ajo shprehja e Mirush Kabashit tek një film. Bisht qeni mbetet bisht qeni. Nuk drejtohet asnjëherë.
Një gjysëm ore më vonë kisha marrë rrugën për në shtëpi. Nxitoja. Të rrallë ishin ata me të cilët shkëmbehesha përballë. Këtë herë e kisha harruar fare shitësen e qumështit, dhe aventurën e saj si për të sfiduar këto ditë makthi, terrori e pasigurie, që na kishin pllakosur të gjithëve, duke dhënë e marrë dashuri, qoftë edhe për një çast të vetëm.
Ajo kishte bërë zgjidhjen e saj.

Friday, 22 July 2011

Qyteti hyn në botën e mistershme të njerëzve të krimit

Prill 97


Asnjë nuk e di me saktësi se si u ngrit për të bërë pastaj ligjin në Elbasan, grupi i të fortëve që shtypi i etiketoi si banda K. Thonë se shkak janë bërë disa pëllumba që kishin lidhje me një djalë që i kishte shumë përzemër e që njihej në qytet për pasionin e tij. Disa të tjerë shkojnë madje edhe me larg. Larje hesapesh e mbyllje llogarish të vjetra. Gjithesesi goditje e dy të rrinjve që udhëtonin një buzëmbremje në lagjen veriore të qytetit e cila njihej se ishte ndërtuar komplet me kontribut vullnetar e që banohej kryesisht me të ardhur si punonjës të metalurgjikut, shënoi kësisoj me sa duket dhe grupimin e parë "luftarak". Instikti i hakmarjes për jeten e shokut u bë "filozofia" e atij bashkimi.
Në qendër u vunë dy prej figurave më të panjohura në fushën e krimit në atë qytet. Djem që përveç familjes e komshijve aty rrotull, nuk i njihte njeri. Ai që më vonë u cilesua kapua e njeriu "mit i krimit" D.K me sa dukej vinte nga emigrimi në vëndin fqinjë, Italisë. Me një trup prej atleti e sy që reflektonin një blu të thellë e të errët e një fytyrë gjithmonë të qeshur për shume banorë aty mbeti si një enigmë përfshirja e tij në rrugën e krimit. Tjetri një djalë 21 vjeçar, mesatar nga trupi e një fytyrë të hequr paksa poshtë se bashku me një tis që i shkonte një mjekre të rrethuar me një push të lehtë e të zi, mbante nofkën "Çupi". Emri tij i vërtetë ishte krejt ndryshe. Ai kishte të bënte me emrin e një mali në afërsi të Gjirokastres. Djalë i një ish polici, roje të metalurgjisë i ardhur nga fshatrat e thella të "Lumit te Vlorës".
Nga fundi i Marsit të 97 tës në një pallat pranë drejtorisë së policisë së Elbasanit u rrethua ai që cilësohej si kapo nga djem të lagjes veriore te qytetit. Pas disa orësh shkëmbime zjarresh midis dy grupimeve i forti që do të bënte emër më vonë jo vetëm në këtë qytet, rrezulton që të ketë dalë nga shtëpia i veshur si grua. Të paktën kështu komentohej ajo ngjarje në qytet për shumë kohë. Madje edhe sot e cila qarkullon si legjendë nëpër Elbasan e rrethinat e tij. Pas kësaj u duk se qyteti hyri në botën e mistershme të krimit.
Ky grupim u sistemua pastaj në afersi të kryqëzimit të Cërrikut që perkonte me jugun e Elbasanit. Në lindje, njerëzit me ngjyrë krijuan " Bandën e zezë " . "Mandela" ishte pseudonimi i një ish faturinoje urbani në vitet e monizmit. E.P me një trup të gjatë e të ngjallur paksa i konvertuar në tregtar mielli i njohur edhe për militantizmin ndaj njerezve të pushtetit e ngriti grupin e vet mbi një histori të dhimbëshme vrasjesh të njerezve brenda një fisi. Armik kryesor i tij ishte e mbeti "Banda e Cërrikut" e quajtur si banda e Arianit të Shegës.
Veriu i Elbasanit mbeti i pathyeshëm e në dorën e një grup qytetarësh që patrullonin në tre postablloqe për të ruajtur komunitetin nga bandat. Kështu flitej kudo nëpër ato të pakta kafene të qytetit aty në qendër të cilat kishin një lloj guximi për të rezistuar deri dy orë pas mesditës.
Ne gazetarët që numeroheshim në atë kohe me gishtat e dorës të mbetur pa asnjë gazetë për shkak se ato nuk funksiononin në atë periudhë dilnim e takoheshim tek " Bar Artisti " ose tek " Kapidani ". Sulejman Haxhihasani telekronisti i Televizionit Shtetëror së bashku me Pëllumb Zekthin koorespodentin e ATSH së ishin më të " privilegjuarit " mes nesh. Ky i fundit ishte në korent të të gjitha hapave që ndërmerte atë kohë " Komiteti i Shpëtimit " me qendër në godinën e Prefektures. Së bashku me Tomor Jolldashin, drejtor i gazetës " Elbasani " e Sulën aty pranë ish " Dinamos " u bëmë padashur dëshmitarë të një lloj manifestacioni force të katër djemëve të rrinj në një makinë të hapur. Marsi gri ende nuk kishte dalë. Atë ditë kishte rezervuar diell, por që nuk të ngrohtë e veçse shkëlqente.
Vetura, një benc-mercedes i zi kaloi tre herë me shpejtësi para nesh përgjatë bulevardit "Qemal Stafa " të qytetit. Në një moment ata qëndruan. Ishin përballë asaj që ne i kemi thërritur vazhdimisht " mobileria " për shkak të moblave që shiteshin dikur aty. Dikush ngriti një " skorpions " drejt qiellit dhe zbrazi " për qejf " tre karrikatore që duket se me krismat e tyre bënë që në harkun e disa sekondave qepenat e pak dyqaneve që ishin hapur aty përreth të mbylleshin me zhurmë. Por edhe njerëzit nxituan që të fshiheshin përreth. Kishin qenë më shumë se sa duhej kurreshtarë.
-Eshtë ai - tha Sulejmani.
Ne heshtëm. Ishim përballë " Arkës së Kursimeve " që tashmë kishte ulur poshtë qepenat nën hekurat e rënda
- Eshtë ai- tha përsëri telekronisti me një zë të ulët qe dukej i ngjyrosur me një ndjenjë frike. - së bashku me shokët e tij të grupit.
Ishte hera e parë që e shihja të fortin, njeriun për të cilin thuhej se ishte " legjenda e krimit " në një distance që nuk i kalonte te 30 metrot.
Kjo skenë më mbeti në mendje.
Dikush nga shokët e tij në atë veturë të zezë u ngrit e thërriti:
- Ej, lëvizni. Ç'me rini aty si guakë.
Ishte njeriu që zbrazi skorpionsin
- Po na drejtohet ne - tha nën zë Tomori, e bëri të hedhë hapat ngadalë dy metra përpara nesh.
-Këta u bënë tani edhe zotër të qytetit. Eja të ikim. Këta janë vetë shteti sot. Të shpetojmë kokën - tha një mëso burë me një xhakavento lëkure që na kaloi në atë çast pranë
Pas pak e dija qe qyteti do të zbrazej si zakonisht ndonëse mesdita sapo kishte kaluar. Me shumë se frika, pasiguria për jetën i bënte që të gjithë banorët që të "vetëburgoseshin" brenda në shtëpitë e tyre.
Ndërsa kaluam me nxitim në trotuarin e majtë të bulevardit të qytetit duke lënë pas edhe teatrin " Skampa" dallova një mesoburrë që mbante nën sqetull dy bukë.Vinte nga fura e Xhevatit. Mbase ishte klienti i fundit në atë mesdite diell lënëse që nxitonte për në shtëpi i " qete " se të paktën kishte siguruar ushqimin e familjes deri ditën e nesërme. Tek rruga " Toma Kalefi" një berber banor i lagjes aty pranë hypi mbi një biçikletë të vjetër e të dalë boje " Mifa " e u fut në rrugicën më të parë duke lënë nga pas dyqanin kyçur me dy dryna të mëdhenj e të qarkuar me zinxhirë
Me mendimin se do te dëgjoja pas pak BBC ëer të mësuar lajmet më të fundit në vendin tim nga të pakta agjensi që transmetonte pas asaj shurdhmemecërie të medias Shqiptare, shpejtova hapat drejt kryqëzimit të Cërrikut
Qyteti heshtëte si një botë përtej varrit. I ndrydhur e i mpakur, sikur të kishte veshur,një mantel mistik gjaku

Tuesday, 19 July 2011

LIRIA ME NALLANE

18 Mars 97
Ishte shfaqur befas. Asnjë nuk e kishte parë më përpara që të dilte në rrugë. Por ajo, me sa duket kishte vendosur, që të bënte sfiduesen. Herë, me një grusht plaçka që i vendoste në trotuarin, midis segmentit të udhës nga Bashkia, deri në kryqëzimin e Cërrikut, herë ashtu e vetme, qëndronte aty. E hajthme, dhe e dobët në trup. Mbante një fustan veror të çelur, ku sipër, kishte veshur një xhup kafe. Ngrinte dy duart lart duke mbajtur dy gishta lart, si në ritualin e një valle. I kishte kaluar te 40-ta.
Shumë pak e dinin, se ajo ishte e vetme, dhe se banonte pak më poshtë, Selvijave të Namazgjasë. Se nga kishte ardhur aty, asnjë nuk dinte që të të thoshte, qoftë edhe një fjalë të vetme. Të afërm nuk kishte, dhe asnjë nuk kujdesej për të. Shumë mendonin, që kishte qenë një paciente e psiqiatrikut, por kishte edhe të tjerë që flisnin nën zëse, kishte qenë personazhe në një dramë të madhe, e cila i mori krejt familjen dhe njerezit e dashur të saj. Ndoshta në kohën e monizmit. Ndoshta....
Dikush, që e ndiqte nga trotuari përtej, ndofta për ta ruajtur, se mos... Tregonte në intimitet për njerëzit që ndalonin këmbët, dhe bëheshin kurioz duke parë shfaqien e beftë, mbi trotuarin e mezit të rrugës, " kjo grua, ka ardhur këtu, nga Llixha.Atje, ka banuar më parë "
Pastaj, mbushej me frymë, dhe vështrimin nuk i a ndante Lirisë. Heshtëte për një çast,dhe me një zë gati të fikur, shqiptonte ngadalë
- Duan që ti marrin shtëpinë. Jeton në një dhomë të vetme. Ja, këtu pas farmacisë. Ajo ka gjetur mënyrën për të protestuar.
Por pas tre ditëve, burri nuk u duk më,tek vendi i tij, në trotuar. Nuk dihet ku shkoi. Ndonjë syresh, që bënte ecejakën çdo ditë, aty përballë shkollës me të njëjtin emër, " Toma Kalefi ", si rruga, tha: " që ai burrë, ishte ndonjë i afërm i Lirisë së Llixhave ".
Kështu i mbeti edhe asaj.
Po e vërteta e jetës se gruas, ishte e mbeti për të gjithë, një enigmë,e cila nuk mund, që të merrte zgjidhje. Ajo u shfaq aty kur qyteti u armatos i tëri, dhe njerëzit mbylleshin herët nepër shtëpi. Kur dalja nëpër rrugë, konsiderohej tashmë si një herëzi, ose e shumta, një marrëzi e pashembullt.
Por për Lirinë e Llixhave, rituali ato ditë fillonte që në mëngjez. Aty, pranë farmacisë Nr. 4. Me një trup mesatar, e këmbet zbathur, tërhiqte një palë nallanë prej druri, e të mëdha për këmbën e vogël të saj. Ndalonte në trotuarin e lulishtes, që ndante hapsirën e rrugës, "Toma Kalefi"
- Liri , ik që këndej - i thonte ndonjë kalimtar, me një ndjenjë keqardhje, ndërsa e shihte ashtu, në të ftohtin e mezit të Marsit.
- Përse? - kërkonte që të dinte gruaja e rrugës. - Unë kam të drejtën time. Ashtu, siç ke edhe ti, të drejtën tënde.
I hidhte një vështrim gati përbuzes, e pastaj lëvizte kokën prapa, për ti hedhur me sa duket flokët, mbi supet e holla e të varura. Pastaj, në indiference ja niste:

Tarnana e tarnaneeeee
Kemi nis një jetë të re...

-He-e-e.- Qëndronte për një çast, e i drejtohej ndonjë kalimtari, që e ndiqte me kureshtje.- Nuk të pëlqej?
Pastaj kthehej përseri tek kënga.
-E-e-e-e. Hej.
Rrofsh, e qofsh, moj demokraci
Që na fale, kaq shumë, liri
Unë Liria, të përshëndes,
Dal në rrugë, çdo mëngjezzzzz.

Tarnana e tarnaneeee
Kemi nis një jetë të re

Liria pastaj, nxirte edhe një shami, e kërcente duke u rrotulluar me dy gishtat lart, në të njëjtin vend. Hidhte këmbën, duke e përkulur mbi gjurin tjetër.
Dukej e vonuar në kohë.
Me sa dukej, këtë lloj teksti, duhej që ta kishte kënduar, shume vite më përpara. Mbase, e kishte mësuar edhe pak dite më parë, aty, e mbyllur në të katër muret e dhomës, ku e kishin sistemuar...
Por ajo, e përsëriste, sikur ta këndonte, në një ditë të shënuar, me një lloj solemniteti. Madje, duke u kujdesur deri në detajet më të vogla, si interpretimi, apo mënyra, se si i hidhte këmbët, në vallen që fillonte dhe mbaronte, brenda një metër katrorit. Nallanet e drunjta, kërcisnin nën ritëm, "trak e trak e truk e truk". Po ato e pengonin. At'her Liria, zgjaste duart ,duke u përkulur pak, dhe hiqte nga këmbët e holla, si të një fëmije, të vetmin mjet, që e ndante nga toka.
Sidoqoftë,... gruaja e braktisur, përshëndeste demokracinë...Kjo ishte, edhe filozofia e jetës së saj, këndej e tutje...Kishte zgjedhur kësisoj një mënyre. Mbase, ishte edhe proteste për ditët që po kalonim, e ku mungonte shteti demokratik, të cilin e kishim ëndëruar. Njerëzit vrisnin kaltërsinë e qiellit. Këtë e thoshte Lam Fishnjari, ai çunaku pesëmbëdhjetvjeçar, që banonte pranë ish ambulancës së vjetër.Mbase...
- A do buke?
Liria vazhdonte të këndonte
- A do cigare, ujë? Ç’farë do?
Gruaja jetonte në tjetër botë. Këndonte dhe kërcente, gjithmonë, me dy duart lart.
Lami kthehej, me një tjetër çehrje në fytyrë, e duarbosh. Pa e ndihmuar komshinë e tij, që e kishte mëndjen, në tjetër vend.
Kur dëgjohej kërkëllitja e ndonjë kallashi aty afër, ajo qëndronte për një çast, dhe ulte kokën e trembur. Pastaj, hidhte vështrimin e ndrojtur përreth, e pështynte në trotuar. Kthehej pas e ulej mbi bordurë. Lulet gati të fyshkura. I përkëdhelte me dorë, si një nënë e dhëmbshur, e pastaj ngrihej.
-Mos mi vrisni. Ato janë foshnja, që duhen rrit.
Lirine nuk kishte kush ta ngacmonte. Fëmijet, ishin mbyllur, që të gjithë, nëpër shtëpi. Të rrallë ishin edhe kalimtaret e rastit. Njerëzia përreth, e ndiqte nga dritaret e tyre të mbyllura, duke spostuar paksa perden. Ata mungonin edhe në ballkone. Këto të fundit, nuk ishin hapur, që nga dita kur të gjithë, u vërsulen tek depot.
Krasta përtej villte përsëri tym. Tregojnë, se zjarri ende nuk është shuajtur. Gruaja, e rrugës qëndronte aty pa lëvizur. Nuk dihet se kush e merrte, dhe e kthente, atje, në kthinën e saj.
Një herë farmacist Besimi, së bashku me dy farmaciste, që e kyçën lokalin e tyre, pikërisht në mesdite, shkoi pranë, dhe e mori
E tërhoqi prej krahu, dhe tentoi, që ta shoqëroj deri tek trotuari, përballë disa dyqaneve të mbyllur
Liria tundte kokën majtas e djathtas, e lodhur, dhe e heshtur
-Mos doktor...Nuk e jap unë, po nuk mora dashuri. A e di, ç'do me thënë? Pse, ku jemi këtu?
Mëngjezi tjetër ishte më i ftohtë. Liria këtë herë, kishte hedhur kraheve xhupin kafe. Me vete kishte marrë edhe një valixhe të madhe, të dalë boje, prej kartoni, e të grisur në një cep. E hapi me kujdes. Nxori disa ndresa të mbrendëshme gruaje. Kishte dhe fustane, e ndonjë bluzë të hollë. I vendosi në shesh. Ja aty, në pllakat e trotuarit.
Pastaj, sikur të ishte zgjuar befas, i a nisi:

Demokrate, qofsha
Demokrate, dhe jam
Ty kurban, tu bofsha
Më e mira, në Elbasan


Tarnane e tarnana
Lum ky popull, që mezi të ka

Tre kalimtarë që nxitonin, pranë kangjellave të shkollës, ndalen hapin për një moment.
- E ka në terezi ajo - bëri me kokë nga gruaja që këndonte e hidhte vallë, mu aty, në mes të rrugës - Elbasani po digjet, dhe torollakja... - tha me i riu
- Lene të shkretën. Kur nuk e ndihmon dot... Ajo, e ka një hall, si gjithë robt’ e gjallë të kësaj dynjaje. Lene e mos e mallko. Hyn në gjynah. Të kam rixha.- foli me i moshuari i burrave.
I treti, futi duart në xhepa dhe lëvizi këmbët, duke i përplasur në trotuar. Ndjeu të ftohtin. " Bërrr ", lëshoi nga buzët e mbyllura, dhe nxitoi të ecë përpara.
- Ec mo-o. Se s'ka lezet. Mos i jepni tjek kësaj pune
Të tjerët e ndoqën pas.
Liria u kollit atje në rrugë. Hoqi xhupin, dhe e palosi në dysh. Pastaj, me solemnitet, e vendosi mbi bordurën e lulishtes, duke u kujdesur që të mos prishte lulet..
Rregulloi flokët, duke i shoqëruar edhe me një lëvizje të trupit. Kishte hapur, gishtrinjtë e hollë, të zverdhur, në vend të një krehëri. I ndau flokët ngadalë në mes, e vuri menjëherë buzën në gaz. Sikur të ishte përpara një pasqyre të madhe, dhe krejt të padukshme.


Thonë, se ra murtaja
Mu në akç, të vendit
Thonë, se u prish dynjaja
E lojtën, prej mentit...


Valles, do t’ia marr
Valles, do t’ia them
Ku ka tym, dhe zjarr
Nuk ka, as kuvend

Ndërkohë, dy shitës paisjesh elektroshtepiake, që u ishin rrikthyer lokaleve, këtë herë për ti hapur, e morën dhe e futën në një prej tyre. I vunë përpara një reflektor
Gruaja e rrugës dridhej. Kishte ethe. Sytë ishin skuqur. I prunë edhe diçka të ngrohtë. Liria e Llixhës kaloi në konvulsione. Pështyu gjak
Nuk dihet se, si, u gjet aty afër një makinë, që ecte e vetme përpjetë rrugës. Ndoshta vinte nga Cërriku. Kishte kohë që nuk lëviznin makinat në këtë zonë. Që nga hapja e depove. E ndalën. Liria në fillim nuk pranoi që të hypte në veturë. Protestoi duke i mbajtur këmbët, jashtë derës. Dikush, u kujtua për valixhen e hapur, dhe rrobat e vendosura në shesh.
Kishte filluar që të vesonte lehtë. Një shi i imët ngriti pluhurin e tokës , e atmosfera aty përreth mbante një erë dheu. Rrëkezat e holla lëpinë vitrinat e pluhurosura, duke lënë gjurmë në të gjithë hapsirën e tyre, të xhamtë..
Liria, së fundi pranoi kur pa që rrobat, të cilat ishin tashmë të lagura, u futën brenda, në valixhe. U mbyllën përsëri. I premtuan se, do ti ruanin aty në dyqan.
Makina iku duke lëshuar nga pas një fjollë të lehtë tymi, dhe, sa të hapësh e të mbyllësh sytë, u gjend tek kthesa e Bashkisë.
Mbi Malin e Vashës filluan shkrepëtimat. Nga larg, në malesitë e krrabës, vinin jehonat e bubullimave që ndiqnin njëra tjetrën. " Gropa e Tezes " ishte pus.. Pikat e shiut u dendësuan. Selvitë e Namasgjsë, si rrufepritëse legjendare lëviznin majat,që kishin mbetur, rrobina rrymash të errërave, që vinin, herë nga lindja, e herë nga veriu. Disa laraska të trembura duke krokatur, dolën që andej, dhe zunë vend në strehët e çative të dy rrugicave, aty pranë.
Të nesërmenkur koha u duk se hapi, e një reze dielli përshkoi gjithë sheshin, që në mengjez, Liria e Llixhes, nuk u pa me ne rruge. Aty, ku qendronte zakonisht. Nje grua që nxitonte për në pallatin, pranë dalloi afër lulishtes në mes të rrugës, dy nallane. U kujtua që ishin të Lirisë së Llixhës. U përkul, dhe i mori në duar. Pastaj, shkoi tek njeri prej dyqaneve që ishte hapur, dhe ja zgjati pronarit të saj.
As të nesërmen Liria nuk u duk më tek vendi i saj...
Një muaj më vonë, kalimtarë të rastit kishin gjetur një kufomë gruaje, pranë Krastës. Dikush u kujtua, dhe tha, se mund që të ishte i Lirisë, por kjo, nuk u konfirmua asnjëherë.
Mjekët thanë, që Liria kishte marrë një të ftohtë të rëndë. Në ambjentet e ftohta të spitalit, ku mungonin bataniet, gjithëçkah ishte tëpër e vështirë, që të përballonte,e ta kalonte pa probleme. Ishte e pangrënë dhe anemike. Kronike nga keq ushqyerja. Ushqimi i mungonte vazhdimisht...
Nuk dihet se si u shfaq, dhe si iku ajo grua e dobët dhe e trishtë me nallane, në një kohë që ishte tjetërsuar. Mbase, për të sfiduar ato ditë. Ndofta, për këtë të fundit. Ku i dihet..."trak e truk, trak e truk"...
Qyteti kishte plot halle të tjera...

Tuesday, 12 July 2011

"Shën Bartolomeu"

5 - 15 Mars 97

Atë buzë mbrëmje u gjenda i vetëm në bulevardin "Qemal Stafa ", që e përshkon mes për mes qytetin, duke e lënë të vetmen kala historike, në krahun e djathtë të tij. Gjithë atë ditë, na kishte munguar dielli i Marsit. Qielli ngjyrë plumbi, dukej si një lehonë,që nuk lindte dot. Një erë e ftohtë, lëpinte degët e portokalleve buzë trotuarit, përpara " Hotel Skampës ". Vinte nga Krasta. Në çast ndjeva një të ftohtë therës në fytyrë. I ktheva kurizin. Qyteti ishte si i zbrazët. Një çift i ri nxitoi dhe u fut brenda portës së kalasë. Tek " Rrapi i Bezistanit ", një furgon taksi, që mesa dukej kishte pritur gjithë pasditen, për të bërë një rrugë për në Tiranë, lëvizi aty në shesh, e pastaj mori udhën për nga kryqëzimi i Kristoforidhit. Bëri përpjetë për në universitet.
Lëviza hapat nga qendra. Tek " Bar Artisti ", mendova se do të gjeja ndonjë prej shokëve të mij, ose kolegë. Nê krahun e djathtë, dy djem të rrinj vrapuan me një frymë, drejt e tek Rrapi.
-Po vijnë po vijnë...Vlonjatët kanë mbritur në Cërrik...
Qyteti heshtëte i zbrazur krejtesisht. Madje dukej që ai kishte ftohtë.
Në sallën e madhe, dhe të heshtur te "Bar Artistit", syu më zuri vetëm katër persona. Ishte boshatisur. E pazakontë për një lokal si ky në qendër të qytetit.
-Mbete i papunë - më tha pas shpine një person që u çua në çast nga tavolina, për të më ftuar që të ulesha.
E njihja si fytyrë. Kisha përshtypjen që ishte SHIK as, dhe në shumë raste kam menduar,se na kontrollonte. U justifikova se "nxitoja", dhe se aty kisha ardhur ", për të kërkuar një mikun tim ". E kuptova se nuk e hëngri. Më kapi prej mëngësh,e tepër miqësisht, më uli në tavolinë.
-Të pashë sot në Tiranë- më tha ai, për të hapur bisedën. - Isha edhe unë. Shkova që të shihja gjëndjen andej nga VEFA. Kam depozituar e jetoj me përqindjet. I pa punë si gjithë të tjerët. Për ne ish ushtarakët nuk ka as të ardhme më. Djalin e madh e kam refugjat në Itali. Sa mbahemi në këmbë...Por edhe kjo puna juaj, e pati pardje një kulmim. E pash dje të djegur. Kalova kot nga rruga " Qemal Stafa ". Siç të thashë, isha dhe tek VEFA. Ti me siguri që e pe sot...
Nuk i thashë ndonjë gjë konkrete. Bëra të shqetësuarin për një mik imagjinar. Pas disa minutash u largova, duke i kujtuar njeriut të tavolinës se, " ishte gjëndje e jashtëzakonshme, dhe se kjo duhej të respektohej. "
- Ke për ta parë që punët do të shkojnë, keq e më keq. E di pse të ftova? Sapo u ktheva nga Tirana në drekë, mora vesh që PD ja, ka armatosur sot drejtuesit e saj lokal, si dhe administratën. Ka hartuar lista që të paraqiten në Krastë, tek depua e municionit dhe e armatimit. Këtë ma tha kunati im sot. Më pyeti se nuk di si të veprojë. Punon në Bashki. Domethënë, që sot ka filluar armatosja, dhe se do të vazhdojë edhe nesër. Ndoshta ditë të tjera...
Kishim mbritur tek dera e lokalit, e ish oficeri po më shoqëronte duke më besuar një sekret,sikur të më kishte mik te vjetër. Nuk i u përgjigja. Mbërtheva paltesynë e dola jashtë në erë...
E nesërmja më solli sërrish tek kryqëzimi i Kristoforidhit. Një skuadër policësh kontrollonte gjithëçkah. Vetë shefi i krimeve, që kishte ardhur aty nga Laçi disa javë më parë, dhe që më kishte marrë në pyetje, në ditën e tretë të mbritjes së tij, ne një zyrë të drejtorisë së policisë së prefekturës, më këshilloi që të rija në shtëpi.
Vërtetë, që kalova në temperatura të larta e me konvulsione, si rrallë herë në jetën time, që atë mbrëmje. Ndoshta isha ftohur. Zura pastaj shtratin pa mundur që të thërras mjekun. Ku mund që ta gjeje atë në këto ditë?
Mëngjezi i 13 Marsit, ishte i veçantë për Elbasanin. Nën një qiell të ftohtë gri, zona e Krastës ku ishte dikur reparti ushtarak, ishte përfshirë nga flakët. Në dritare nga kati i tretë, dalloja njerëz që nxitonin për andej. Grupet e para të ngarkuara me armë, mbritën pas dy orësh. Tre djem të rrinj ecnin të rënduar nga pesha e armatimit, nëpër rrugën e hekurt, që të çon për në Librazhd. Nuk kuptohej destinacioni i tyre. Një orë më pas, poshtë pallatit, filloi që të " kollitej " një mitroloz i lehtë. Ishte Mal jevgu. Pas pak një kallashnikov hyri në dueto. Klubet poshtë në trotuare, buzë rrepeve, u mbyllen menjëherë. Nga ballkoni dëgjohej zëri i ndonjë gruaje që thërriste fëmijën e saj. Në rrugë pas kësaj, nuk dukej më asnjeri. Tek shinat e trenit, vinin here pas here grupe njerëzish me armë. Duhej që të ishin banorë të pjesës së poshtme të qytetit. Ndoshta edhe të periferisë, si ata të perëndimit, të lagjes "Fushe Mbret".
U duk që dita u thye shpejt. Nën atë qiell gri, ishte tepër vështirë për të përcaktuar, jo vetëm pozicionin që duhej të kishte dielli, por edhe kohën, e cila ecte me shpejtësi. Në buzë mbrëmje, nga qendra dhe lagjet veriore të Elbasanit, filluan që të dëgjohen krisma. Në fillim ishin të shkëputura, por kur ra perdja e zezë e natës, filluan që të ligjërojnë kallashët. Ishte vërtetë një tmer që të dëgjoje kërkëllitjen e tyre, si dhe të shikoje natën që të përshkruhej nga qindra fishekë gjurmëlënës, sikur të ishin fishekzjarre të vërtetë. Ime shoqe, tha: është ç’mendur qyteti.
Me sa duket të posa armatosurit, kishin patur " fatin e madh ", ta provonin e ta" shijonin " armën vdekjesjellëse, pikërisht nga duart e tyre. Madje, filluan që të imitonin aktorët personazh, që kishin më për zemër në filmat luftarakë, duke zbrazur karrikatore pas karrikatoresh.
Por, pas mesnata, u duk sikur i lodhi " herojtë ". Si me dorë u ndërpre gjithëçkah. Vetëm ndonjë i marrë, apo i dehur nga " suksesi ", zbraste në qiellin e natës ndonjë pistoletë, si për të kujtuar të tjerët, se kjo " lojë " nuk duhej që të përfundonte aty, por të vazhdohej sërrish, sapo të zbardhte dita.
Që atë mbrëmje, BBC njoftonte nëpërmjet koorespodentëve të saj,s e në të gjithë vëndin, ishin hapur tashmë depot e armatimeve. Kolegu im Aleksandër Cipa nga Gjirokastra, tregonte se kishin filluar edhe vjedhjet e bastisjet nëpër lokale, nga grupe njerëzish të pa identifikuar.
Mëngjezi ishte më ndryshe. Armët dukej se konkuronin ne trio e kuartete njëkohësisht, duke u alternuar. Vendosa që të vishem.
- Ku do të shkosh - më tha gruaja.- Ti je i sëmure.. Ke që dje me temperaturë. Kërkon që ta kthesh përsëri?. Eshtë ftohtë dhe ka edhe mjegull pak. Nuk të bën mirë për shëndetin.
E kuptova që tjetër vënd e kishte hallin.Ngula këmbë.
- Ju është djegur edhe gazeta. Nuk ke pse të shkruash. Ti tani je i papunë.
Sa dola në hyrje, komshiu im trup mbushur e i gjatë, një shofer furgoni taksi, zbrazi kallashnikovin duke shënuar qiellin. E mbaroi karrikatorin. U duk, se u shtrembëruar paksa në fytyrë. Madje edhe kokën e mbante anash. Pastaj, armën e vendosi ngadalë në sup. Unë qëndrova nën strehë, deri sa ai bëri anash, e shkoi pas një lokali aty. E pashë që zbërtheu pantallonat, dhe urinoi pa u ndrojtur, edhe pse përballë kishte pallate e dritare që mund ta shihnin, duke vendosur qetësisht duart pas një muri. Dy bura vrapuan menjëherë, sapo unë dola në trotuar, dhe e morën shoferin të gjakosur
- Ç’farë ka - pyeti nga lart nënë Nashi, burat që e kishin marrë ndër duar snajperin e kallashnikovit
- Eshtë plagosur- u dëgjua një zë
- Ç’pati baftëziu. Ai tani sapo e shkrehu..
- Plumb nga qielli nëne.
- Ka qenë ndoshta, ndonjë nga ato që gjuajti vete. Ata vërtetë që shkojnë lart në qiell, por nuk takohen me hënën. Kthehen në tokë. E ku do të venë tjetër kund?
Halli ishte, që në ato çaste, nuk gjëndej as edhe një makinë. Shoferi i mbështetur tashmë pas murit, midis dy burrave, kullonte gjak nga prapanica.
- Qyqia ç'të gjeti o baftëzi...
I plagosuri ktheu kokën lart, nga kati i katërt ku ligjëronte plaka në dritare, e i a bëri me shenjë, " mbylle më..."
Në kryqëzimin e Cërrikut, që ishte i pushtuar nga kallashët, pesë a gjashtë çuna, dukej se kontrollonin gjithëçkah aty. Ata herë pas here, i kthenin tytat nga qielli, e konsumonin breshëri pa pushim.Të dukej se ishin në një lodër, ku vetëm psikologjia e vdekjes, nuk mund që të egzistonte më.
Një meso burrë, ndoshta me të bijën e tij të vogel, nxituan për të kaluar në anën tjetër të trotuararit. Tek pallatet e lagjes "Shënkoll". Në kokë kishin venë nga një legen bakri të vjetër. U futën një çast më pas, në një rrugicë. Kishin gjetur një mjet "orgjinal" për tu ruajtur nga plumbat, që ktheheshin nga qielli. Vërtetë ishte vështirë, që të depertonin nën legenin e vjetër të nxjerrë nga raqurinat, që prisnin me vite të tëra në një cep të shtëpisë, në atë zonë me banesa të ulta e private.
Një muaj më vonë, një shoku im do të më tregonte se, kishte shpëtuar mrekullisht motra e tij që ishte infermiere, nga një plumb që nuk e përshkoi dot një legen të tillë, ndërsa shkonte në ambulancën e qytetit, për të shpëtuar jetë njerëzish.
Të nesërmen trokitën në derë. Gruaja na tha, që te mos dilte asnjë nga ne, sepse ishim meshkuj. Ndryshonte puna me femrat. Ishim marrë vesh për këtë, edhe me parë, por ne harronim. Bisedoi me dikë, dhe unë mendova se, do të ishte ndonjë nga komshijtë tanë. Vetë ndiqia televizorin. Intelektualë, por edhe mjekë të njohur në vënd, dilnin përpara të vetmit televizion shqiptar, këshillonin e luteshin që të mos benim si të marrë, me armët. Ti dorzonim vullnetarisht, e të hiqej dorë, për t'u kthyer normaliteti...Doktor Anesti Konduri, tregonte se po vinte nga spitali, ku kishte shpëtuar jetën e një njeriu, dhe si qytetar bënte thirrje,që të vetëpërmbaheshim të gjithë...
-Ishte një djalë i ri- më tha gruaja, që hyri në kuzhinën, ku rinim ne të tjerët. Kërkonte që të na shiste një kallashnikov. Kishte 6 copë me vete. Tha se kishte shitur katër atë ditë. Ç’ti bësh, e ka gjetur një mënyrë për të bërë tregëti.
-U sa qejf - tha djali i madh. - Pse nuk e morët një?. Pastaj, ai na numëroi emrat e familjeve të shokëve të tij, që e kishin tashmë nga një armë. I shihte kur qëllonin nëpër dritare. Ime shoqe, po i fliste të dy djemëve për fatkeqsinë që të sjell arma. Unë kërkova të dëgjoja emisionet e pasdites në radiot BBC, Dojçe Vele apo Zëri i Amerikës. Ishin të vetmet, ku mund që të gjeje një informacion më të saktë për gjëndjen a asaj ditë në Shqipëri, por ato nuk i kapa dot. Të kishin ndruar kanal transmetimi, apo edhe ato heshtën?. Ishte e paduruar kjo lloj shurdhmemecërie. Mezi në orët e vona dëgjova " Zërin e Amerikës ".
Gjithë ajo javë ishte me krisma të pandërprera. Qëllohej nëpër dritare e ballkone, por edhe poshtë cepave. Më trimat kishin arritur deri në bulevardin kryesor. Polici nuk kishte. Nuk egzistonte asgjë nga shteti. Ai dukej i thërrmuar krejtësisht
Natën e 13 Marsit, kishte qenë vetë drejtori i policisë me një benz të bardhë, që kishte nxituar drejt Tiranës ,ku kishte edhe familjen e tij. Më pas, policët nuk u duken nëpër ambjentet e drejtorisë së policisë. Tregojnë se tre oficerë, fanatik karriere, kishin qëndruar disa 24 orëshe, të mbyllur në dy zyra. Kjo për shkak, se respektonin ligjin e detyrën, që për ta ishte tepër e "shenjtë”. Këtë kartë, e përdorën shumë vite më pas, për të thënë që nuk e braktisën detyrën, ashtu siç bënë ushtarakët të përzgjedhur nga partitë politike.
As të burgosurit nuk ishin më nëpër qeli.. Por policia, u përzhit nga shpërthimet e disa granatave të dorës, që dikush i hodhi si për hakmarrje.
Komshijtë e mij, një çift mësuesish të mbyllur mbrenda, faleshin rregullisht 6 herë në ditë, si " ortodokse të mirë ". Luteshin që të mos i gjente asnjë e keqe.
- Ky është ilaçi më i mire për ta përballuar këtë situatë - më tha në intimitet gjitoni. Më propozoi, që të mos nguroja edhe unë familjarisht.
Komshiu tjetër kishte gjetur një zgjidhje orgjinale.Së bashku me gruan, edhe dy djemtë e tij, kishte filluar në këto ditë, të mësonte anglishten. Kohë më të mirë për këtë punë , zor se e gjeje. Si " profesore " për këtë lëndë, kishin gjetur një mësuese muzike fshati, që banonte disa metro më tej. Ajo vetë mësonte në mënyrë autodiktakte. Ndërsa kishte përvehtsuar mësimin e katërt, vinte tek komshiu im, dhe zhvillonte mësimin e dytë. Kështu, bënte edhe një përsëritje të lëndës, që kishte mësuar. Kjo avancë vazhdoi për disa ditë,dhe kur gjëndja u " përmisua ". Rezultoi pas një provimi të papritur, që lënda ishte përvehtsuar, vetëm nga gruaja e dy djemtë. Komshiu im u cilësua ngelës. Në një anë i kishte hyrë e në tjetrën i kishte dalë.
Një vajzë gjashtëvjeçare e komshiut, një kat më poshtë, më doli përpara ndërsa ngjisja shkallët.
-Xhaxhi, kush na e vrau qytetin?.
Ishte një pyetje, që nuk mund t'i përgjigjesha
Ndërsa Gëzimi i Tushit, kur bëra ballë tek dera e klubit të tij, në buzë të trotuarit poshtë rrapeve, uli supet si i zënë në faj:
-Kemi kaluar një " Shën Bartolome " të dytë. Inshalla mos paçim më ditë të tilla vrastare. Mos u kthefshin kurrë...
Pak ditë më vonë më treguan një histori ngjethëse. Nuk e di se sa është e vërtetë, por njeriu që ma tha ,betohej e stërbetohej për vërtetësinë e saj.
... Tre fëmijë të moshës dhjetë vjeçare, a ndoshta edhe më tepër kishin rendur për në Krastë që të merrnin armë, së bashku me lukuninë e njerëzve të etur, e që nuk dinin se ç'bënin në ato momente. Krejtësisht të marrosur. Ishin kthyer pas disa orësh. Poshtë pallatit kishin gjetur një shokun e tyre, që ishte vjedhur nga shtëpia edhe ai si ata, por që nuk kishte mundur që të shkonte në Krastë. Natyrisht shfaqia e shokëve të tij ashtu të armatosur " deri në dhëmbë " ,kishte sjellë për personazhin tonë edhe harenë fëminore, dhe gëzimin që të fal çasti që "është realizuar ndoshta një endër e vjetër"
Armëtarët ndjeheshin më krenarë. Një prej tyre u propozoi shokëve, që të bënte si Cok Norisi, në filmat e tij. Vendosi,që të merrte nishan, pikërisht shokun që priste afër pallatit.. Për një çast kishte marrë një prej pozove, ku luftëtari amerikan qëndon përpara një ushtari vietnamez, dhe e shkrep. Pas breshërisë që doli nga gryka e hekurt, përzier edhe me flakë, i shenuari u gjet i shtrirë në tokë, sa te hapësh e të mbyllësh sytë. Fëmijët qeshën me gjithë zemër, pa e ditur se ç'kishte ndodhur.
-Çou tani, mjaft bëre sikur u vrave - kishte thëne një prej shokëve të gjuajtësit. Të tjerët vazhdonin sërrish të qeshnin, e të gëzoheshin si fëmije.
- Gjak- lebetiti djaloshi, që ishte përkulur mbi trupin e pajetë të shokut të tij.
Të tjerët nuk e besuan.Vazhdonin që ti gëzoheshin edhe armës " pej verteti ".
Një grua nga ballkoni i katit të pestë, që e kishte pare të gjithë skenën, thërriti e alarmuar që andej.
Dy të tjerët i ulen sytë poshtë, dhe panë që në gjoksin e shokut të tyre, dilte gjak i kuq me gulçëm.. Katër plagë tashmë si burime të vërteta, nxirnin lëngun jetëdhënës, mbi kafazin e kraharorit që po shuhej dalngadalë...
Ishte një skenë që nuk mund të besohej.
Kishin kryer një krim. Shoku i tyre i mirë nuk jetonte më ...
Po ishte tepër herët. Ende, nuk kishte filluar lufta e vërtetë, ajo realia... Armëtaret që i drejtonin tytat lart, për të " vrarë kupën e qiellit ", i kthyen pastaj nga njerëzit. U gjetën kundërshtarët e armiqtë. Nga strofullat e mëndjeve njerëzore, dolën e u rringritën, makthe hakmarrjesh. U kërkuan qejfëmbetjet. U nxorën nga " arkivat " inatet e vjetra, por edhe mërite personale.
Armët u zbrazen këtë here në mish njeriu...
Kështu i përjetuam ato ditë...

Sunday, 10 July 2011

SKENAT DHE PRAPASKENAT E SHTYPIT

SHENIME ...



NGA DITARI I SHENIMEVE TE NJE PERIUDHE TE MBRAPSHTE


Në vend të hyrjes…



Në historinë dhe në jetën e çdo kombi ka gjithmonë një Trojë, madje edhe disa prej tyre, që përsëriten në hapsira e në kohë. Ka një kalë të drunjtë, natyrisht i dhuruar që futet brenda rrethinave, për të cilin gëzohet, ashtu si në epopenë homeriane. Pastaj...pastaj djegia, rrënimi e shkatërrimi fatal
Nuk e di në se e kemi kaluar më parë këtë lloj Troje, ose më saktë, në cilën distancë kohore, është shfaqur për herë të fundit tek ne. Sidoqoftë, ky lloj "fataliteti" vjen në jetën e një kombi, sa herë ky i fundit dremit. Futet në një gjëndje ekstaze. Thjesht, nuk është i kujdesshëm për veten e tij...Mbase...
Ajo që kaluam në 97 tën, e më pas, ishte vërtetë diçka e tillë. Nuk e di se sa jam i saktë për këtë, dhe se si do ta klasifikojnë më vonë historianët, duke mos u hyrë kështu në pjesë, por unë personalisht e kam përjetuar si të tillë.
Copëza kujtimesh gazetari të shkëputura nga ditari i atyre ditëve të vështira që kaluam.
Shekulli njëzet shpaloste ende fletët e fundit të tij në kalendar. Histori që më kanë emocionuar, por edhe ta ndjeja shumë herë veten keq. Kam përjetuar tmerrin përpara nje pistolete TT, ku një fjalë që do të thosha, mund që të më çonte në tjetër botë. Si shumë mjeranë që ikën aso kohe. Shpesh jam ndodhur në qendër të të fortëve, e që bënin ligjin në atë periudhë, ku nuk kishte shtet, për të marrë riskun, që për mua do të thoshte edhe jetën. Ndonjë kapriçio, qejfmetje apo ndonjë inat, mund që të të bënte shumë shpejt një viktimë në absurd. Kemi ecur të përgjuar si mbi një tokë të minuar...
Këto janë në thelb ato që përbëjnë tharmin e librit që do të kishit sot ndër duar.
Pas një fluturimi me avion të shoqërisë ajrore "Olimpik", që nisi një mbasdite mes Gushti të vitit 2001, në Rinasin tonë të dashur, duke kaluar fillimisht hapsirat helene, dhe pastaj, mespërmes Europës për në gjigandin" Sharl De Gol", të kryeqytetin fracez, nuk e kisha menduar asnjëherë, që do të bëhesha preh e grabitësve të shumtë që kontrollojnë gjithçkah, dhe survejojnë gjah të majmë. Kryesisht, nga ata të racës së milionerëve. Dhe pse nuk kam qen ndonjëherë i tillë, ja që, atë rast shërbeva si te thuash, si një karem i vërtetë. Ndonëse në çantë, nuk kam patur ndonjë vlerë monetare, më "fluturuan" tre dorëshkrime. Dy prej tyre romane të përfunduara si dhe një dorëshkrim me kujtime të periudhës 97...98...
Përvoja që kalova në historinë 7-8 vjeçare tek "Koha Jonë", ka qenë jo vetëm në planin personal nga më interesantët, por edhe sepse jetova e punova në një kolektiv tej profesional, e të përkushtuar pas gazetarisë së re post komuniste. Ishin vite kur shtypi i ri shqiptar kërkonte identitetin e tij, në një periudhë krejt tjetër.
Në atë kohë kam mbajtur ditar, ku kam shkruajtur me detaje gjithëçkah. Ditët kishin një intensitet të paimagjinueshëm, e nuk kishte kohë më për refleksione. Këto copëza, ku në thelb mbanin edhe mënyrën se si i përjetoja ato ngjarje, më dukeshin në rrafshin personal, si shumë intime për jetën time. Fletë pas flete, e ngjarje pas ngjarje, u grumbulluan në formën e një ditari, që gjithësesi mendoja se do të më fliste kurdoherë me një gjuhë krejt tjetër, sa here që unë do të kërkoja një kënd të qetë pas pune, për tu relaksuar.
Realisht janë shkëputur nga shënimet që kam mbajtur nxitimth në atë kohë. Nuk e kam menduar se do të shkruaja ndonjë libër, apo se mund që ti perdorja më vonë, si "për të rrahur gjoksin". Ka qenë një copëz jete në "cunamin", që përfshiu e na shkundi ndërgjegjen ne shqiptarëve në atë kohë. Na tronditi e na ...
Aty nga fillim viti 2000 vendosa që ti drejtohem edhe një herë këtyre shënimeve. Këtë herë për ti plotësuar, dhe natyrisht pasuruar, me analizën që i shihja tashmë nga një kënd tjetër. Por asnjëherë nuk kisha guxuar deri tek botimi, dhe publikimi ashtu siç bëri ta zemë Preçi e ndonjë tjetër, të cilët botuan edhe kujtime nga ajo periudhë.
Në fakt, kisha kuptuar se prania ime si gazetar, në një prej qendrave më të mëdha të "ciklonit" të krimit, që përfshiu atë zonë në atë periudhë ; edhe pse e rastësishme, më kishte dhënë kësisoj një material tepër interesant e të ngjeshur, që është i lakmueshëm nga çdo koleg, jo vetëm edhe nga ata që rrinin kafeneve të Tiranës.
Natyrisht, këtë dorëshkrim të pasuruar prej më shumë se njëqindepesëdhjet faqesh, tashmë e mora me vete.
E përjetova keq grabitjen në "Sharl De Gol" atë mëngjez mesgushti. Kisha kaluar natën së bashku me familjen nëpër stola, në pritje për të udhëtuar pastaj me tren drejt jugperëndimit francez, ku më kishin adresuar. Në një moment më kaploi gjumi aty në stol, ndonëse kisha vendosur këmbët mbi valixhet e shtrira poshtë. Pas asaj dremitje të lehtë kuptova se kishte ndodhur plaçkitja. Ime shoqe që nuk ishte në atë moment aty, këmbëngulte se vjedhësin e kishim ende përpara syve. Ai po na kontrollonte, dhe natyrisht ishte në pritje të një grabitje tjetër. Kishte mbaruar punë me çantën që më mori, dhe natyrisht duhej që ta kishte hedhur në ndonjë kazan plehrash aty rrotull, se bashku me disa kaseta filmike e diktofonin tim profesional. Gjthëçkah ishte në një gjuhë të huaj për të, dhe kësisoj nuk kishte asnjë vlerë, me përjashtim të diktofonit dhe një aparati fotografik, që ma kishin sjellë dy vite të shkuara një miku im cërrikas nga Danimarka. Mendonte se mund që të kishte ngatëruar çantën e duhur ...
Ka qenë një bisedë telefonike pesë vite më vonë, me një mikun tim shkrimtar A.B, që më bëri të "rreflektoj". Në romanin e tij për fëmijë të asaj periudhe, një histori e shkruar nga unë ishte vënë në qendër të librit. Vërtetë që më solli shumë kujtime, por edhe më bëri pas bisedës, që të mendoj "ndryshe"
Pas kësaj, kërkova që të më vinin shënimet e atyre kohëve, që pêrgjumeshin në një cep të dhomës sime atje në Elbasan. I u rriktheva serriozisht punës së kryer më parë. Këtë here ditari më shpalosi gjithëçkah. Si në një celuloid filmi të rriparë me qindra herë, më kaloi ajo periudhë me histori të mbrapshtë.
Sidoqoftë, gjithëçkah që do tu paraqes, janë kryesisht copëza të marrë nga fletët e atij materiali. Sigurisht kam përzgjedhur momente, edhe nga jehona e ngjarjeve që trajtoi shtypi i asaj kohe, në atë treve ku jetova edhe unë. Ndonëse si fakte, kanë mundur që të përfshihen në rubrika të kronikave të zeza të asaj kohe, unë jam përpjekur që të sjell pikërisht anën tjetër të medaljes. Si të thuash ; prapaskenën e shtypit. Të pathënat e atyre materialeve që përcollëm unë e miqtë e mij gazetarë, për ngjarje të mëdha të karakterit kombëtar.
Fillimisht kjo ka qenë edhe ideja për të hartuar këtë libër. Historia e antiplumbit tek gomari, djegia e "Koha Jonë", “kolera” në Gramsh, apo i tremburi i eklipsit, pazari i armëve të Gramshit e disa të tjera, ende edhe sot diskutohen në mjedise gazetarësh që kanë përjetuar atë periudhe. E përsëris, se rasti e solli që unë të isha në qendër të tyre. E ndjeva se duhej thënë e pathëna që e serviri shtypi.
Sidoqoftë, ky është krejtësisht një material i pabotuar dhe i pa publikuar më parë. Gjithëçkaje i kam qëndruar besnik, ngjarjeve dhe emrave. I kam shkruar me realizëm ashtu siç i kam konceptuar e përjetuar, veçse unë në planin personal. Natyrisht, pa marrë përsipër për të bërë analizën e ngjarjeve, dhe kohës që i polli ato. Kjo do të jetë një fushë e historianëve dhe analistëve, që gjithësesi nuk do të mbesë pa u ndriçuar.

Autori






























Si u dogj "Koha Jonë"



Mars 97


Nuk do të më shkonte kurrë ndërmend, se pikërisht, në atë mbasdite të 2 Marsit, do ta shihja për të fundit herë redaksinë tonë, në rrugën "Qemal Stafa"
Kisha udhëtuar nga Elbasani që në mesditë me makinën e një mikut tim fotograf, Spiro Zhupës, i cili i lante dhe i përgatiste fotot tek dyqani i Lulit. Aty, pranë ish "Florës" së vjetër, në qendër të Tiranës. Me vete kisha sjellë edhe një foto të rrallë, të bërë poshtë kodrës së "Tepës", pranë Urës së Zaranikës. Ishte një " shtëpi " prej plasmasi, ku jetonin që nga muaji Nëntor, një familje me një fëmijë. Kishin shitur shtëpinë, aty në lagjen " Haxhias ", dhe paratë i kishin futur në një prej firmave piramidale.
Priste që të merrte gati tre fishin e depozitës. Aq ishte " kandari " i piramidave në atë periudhë. Natyrisht, që kishte bërë edhe sakrificë duke jetuar që nga fillimi i dimrit, nën cipën e holle të një plasmasi, që përdorej zakonisht për sera ngrohje. Afati kishte kaluar, pasi hallexhiu, duhej që ti merrte paratë që në muajin Shkurt. Fillimi i protestave, e deklarimi zyrtar i rrëzimit të tyre, e kishte bërë ish puntorin e metalurgjikut të ardhur nga Fieri, që ta vuante kësisoj dramën, në një mënyre tepër tragjike.
Natyrisht, që së bashku me foton e rrallë, unë kisha realizuar, edhe një interviste, e shkrimi mendoja se, mund që të zinte një faqe të tërë. Ai realisht, kishte mbetur e jetonte buzë Zaranikës, nën qiellin gri të atij dimri të ftohtë. Pa asnjë shpresë. Si një asket i përvuajtur. Gjithëçkah që kishte pasur, i kishte depozituar. Ndjehej i mashtruar. Me lot ndër sy më kishte treguar në detaje historinë e tij, të gruas, dhe djalit 5 vjeçar. Shpresonte tashmë tek një emigracion, në Greqi, që " nuk dihej se ku, do ta kishte tymin "
Zamir Alushi, që bënte në atë kohë shefin e kronikës, më përcolli deri në fund të koridorit të katit të dytë. Poshtë. Po më priste Spiro fotografi me volksvagenin e tij përtej kangjellave. U përshëndeta edhe me rojen që bënte vazhdimisht shaka me ne të posaardhurit nga rrethet, duke na kujtuar batuta nga shkrimet tona. Dola në rrugë.
Kthimi për në Elbasan ishte i shpejtë. Nxituam, pasi vendi ishte në shtetrrethim, në Gjëndje të Jashtëzakonshme. Madje, ajo sapo ishte shpallë në Parlamentin shqiptar. Kjo, për ne gazetarët e "Koha Jonë", ishte diçka më shumë. Një kolegu im në jug pak ditë më parë, kishte qenë për disa orë nën shoqërinë e policëve. Ata donin të nxirrnin ndonjë kunj nga porositësi, që mund të ishte edhe jashtë rradhëve të tyre…
Mbrëmja na zuri buzë kalasë së qytetit. Nën reflekset e natës, ngjante me një dinoseaur gjigand e memec, që kishte ngulur kthetrat aty. I heshtur e mistik, sikur vinte nga një kohe përtej mjegullës të pesë shekujve që lamë pas, si një kujtim, e një vegim që nuk duhej haruar. Si zakonisht piva një kafe në qëndër, tek " Bar Artisti ", selia jonë e vjetër. Së bashku, me Tomor Jolldashin u nisëm për në shtëpi. Ishim komshij, në dy lagje përballe.
Në mëngjez nuk i besoja më veshëve, ndërsa dëgjoja nga nje radio e huaj për djegien e "Koha Jonë"
-Nuk është mirë që të shkosh atje - më tha një kolegu im në qytet. - Me siguri kaos, dhe nuk ke për të gjetur njeri, a kolegët e tu. A e kupton që ka dorë shteti, tek ju? Njerëzit në këto momente, nuk dinë ku kanë as edhe kokën...
Qafa e Krrabës ishte bërë, e pakalueshme. Shoferët që vinin nga Tirana tregonin se, në shumicën e rasteve, ishin bërë preh e grupeve që vendosnin gjoba atë mbrëmje. Një grua ishte përdhunuar, aty afër kilometrit 29-të, ku ndahet Elbasani me kryeqytetin. E kishin sjellë në qytetin tonë. Thuhej se ishte nga Korça. Pasagjerët e një furgoni të Elbasanit, tek vëndi i quajtur " pishat ", kishin ngritur duart përpjetë, për të zbrazur xhepat në llogari të dy maskave të zeza, që i kishin ngritur pusinë.
Frika tashmë kishte zënë gjithë shoferët e furgonave taksi. Ata që kishin qenë një natë më parë viktima, në atë segment rrugor, ishin tej të tronditur. Nuk guxonte njeri. Pasagjerët vinin aty, e kur merrnin vesh ndodhitë me grabitje, ktheheshin. Ata, që u duhej të ishin në kryeqytet, i u drejtuan trenit. Ky i fundit e bënte atë distancë, rreth 5 orë, por kjo për të vendosurit, ishte gjysma e së keqes.
Telefonat që deomos nuk punonin tek "Koha Jonë". Bisedova me dy kolegë tek "Albania" dhe "Gazeta Shqiptare". Të nesërmen në mëngjez, mora rrugën, për në Tiranë. Udhëtova nga Durrësi.
Pamja ishte pikëlluese. Shkrumbuar gjithëçkah. Vizitova katin e dytë. Hyra në sallën e gazetarëve .Mure të sterosura, dhe kompjutera të djegur e të shkrumbuar. Edhe dyert gjithashtu. Në gjysmën e një tavoline, në sirtarin e vetëm që kishte shpëtuar, gjeta dhjetë a dymbëdhjetë disketa, që në fakt ishin të paprishura, dhe që i kishin shpëtuar rrëmbetit, i cili kishte kaluar dy net më parë, në të gjithë godinën tonë. Me siguri, materiale që kanë qenë të disponuara për kompjuter, e ndoshta për numrin e ri që nuk mundi të dalë në 3 Mars. Ato, ende i ruaj, edhe sot e kësaj dite. Aty ishte edhe plani i disa faqeve të politikës, e të kronikës, si dhe atë të kulturës e sportit.
Ndjehej një erë e athët që të kujton acidin. Në se do të mund të qëndroje gjatë në dhomë, edhe pse ajri frynte në dritaret e djegura, të shkatëruara krejt, ishte e pamundur të duroje atë aromë athtësie.
Ndërsa zbrita poshtë, ku ishin zakonisht zyrat si dhe redaksia e gazetës " Sport Ekspres ", gjeta Nikollën dhe Esat u Çuçllarin. Ky i fundit, filmonte me kamer, duke fiksuar gjithçkah kishte mbetur aty. Sapo kishin ardhur. Në një moment, botuesi mbështeti ballin mbi dorën e vendosur në murin që e kishin lëpirë flakët, aty ku kishte qenë zyra e financës.
- Po si mund që ta bënin këtë krim ?- tha ai, e në çast ngashëreu. Sytë e vegjël të Nikollës, si të bajames, ishin të lagur. Pastaj, u kaloi dorën flokëve, dhe një cullufe që ishte rrëzuar mbi ball.
Esati doli nga dhoma me aparatin në krah, dhe ngjiti shkallët për në katin e dytë. Nuk donte që të rrinte aty. Mbase, nuk donte që ta shihte Nikollën, në një moment dobësie. Vërtetë që më erdhi keq...
Ndërkaq, mbriti aty një prej shoferave të tij, së bashku me Ben Blushin, që kërkonte ti transmetonte diçka. Nuk ishte Anesti. Ai ishte keqtrajtuar, dy netë më parë në këtë godinë, ndërsa kishte ardhur pak kohë përpara, se të përfundonin flakët. Kishte gjetur zjarrvënësit. Pastaj policia. I rrahur dhe i keqtrajtuar ç'njerëzisht. A thua, që shteti kishte nxjerrë kunjin, me të pafajshmin Nesti? Roja kishte patur një fat më të hidhur. I lidhur, pasi ishte rrahur si një kafshë e vërtete, sipas që të gjitha rregullave inatçore, ishte gjetur diku nga Dajti, vetëm pak orë më parë. Flitej edhe për gazetarin Zamir Dule, i cili ishte ndodhur atë natë makthi në redaksi
Beni dukej i shqetësuar. Godina ishte e heshtur, dhe në dhoma përveç erës së përzhitjes, së aparateve e moblave, që paisnin dikur ambjentet të djegura e të shkrumbuara, ndjeje një zymtësi të frikshme. Një fllad Marsi së bashku me të ftohtin e Dajtit, hynte e dilte në hapsirat bosh të godinës
Blushi arriti ta nxjerrë Nikollën në sheshin e boshatisur, përpara godinës, e diçka filloi të tregonte. Mbase, kishte të bënte me vetë ngjarjen e kobshme, të dy netëve më parë
-Të zbresim - më tha Esati
Morëm në heshtje shkallët, që të nxirrnin tek dera e hyrjes poshtë në katin e parë. Në një moment, Esati, desh humbi ekujlibrin, duke shkelur në një perçiklas gjysëm te djegur. Pastaj së bashku i zbritëm një nga një. Natyrisht me kujdes. Gjurmët e flakëve ishin edhe aty
-Kam më shumë se tridhjetë minuta rregjistrim - i tha kameramani Nikollës. - Kasetën mund që ta mbash e ta ruash mirë. Në fakt, vënde të sigurta nuk gjen sot, jo. - dhe qeshi.
Unë e njihja prej vitesh Esatin, kur punonte për TVSH, në rrethin e Librazhdit. Tani i papunë, e që shpresonte, vetëm tek ndonjë dasmë. Por edhe ato mungonin tashmë. Nuk i a kishte ngenë njeri më atyre. Njeri gazmor dhe i shakasë. Gjithmonë në ambjetet tona bënte humor, në dialektin e Korçës. Ishte si të thuash, jo vetëm i pëlqyeshëm, por edhe një shok i mirë në kuptimin e vërtetë të fjalës. Kështu e kam përcaktuar gjithmon në shoqërinë tonë
- Kaq telashe sa u ke hapur ti, zor se shpëton, pa ndonjë gjëmë të dytë.
Nikolla e shikoi drejt e në fytyrë, si për ta "blerë".
- Mos e kthe në humor, Esat, të lutem. Nuk është koha sot.
Ben Blushi ishte larguar me makinën që e solli. Nikolla Lesi kishte mbetur i vetëm përsëri në obor. Asnjë nga listorganika e "Koha Jonë", nuk ishte më aty. Për një pjesë të tyre, thuhej se ishin ndaluar, në polici. Roja ende nuk ishte aty. Atë detyrë, e kishte marrë përsipër një tjetër, që nuk dihet se kush i a kishte rekomanduar Nikollës. Ai i vërteti, dihej se ku kishte përfunduar. Esati më tha me zë të ulët, se mbase ai, mund që ti kishte njohur njerëzit e natës, që erdhën e i vunë flakën gazetës. Flitej se ishin derdhur disa bidona me benzinë, që i kishte sjellë në terrin e natës, për njerëzit që kishin marrë përsipër misionin e djegies së gazetës, një furgon i cili kishte qëndruar disa metro, më poshtë në rrugë.
Në katin nëndhe, kishte edhe disa dhoma, ku flinin një grup gazetarësh. Atë natë të zjarrvënies, kishin shpëtuar, edhe tre prej tyre. Gazetari Zamir Dule ishte zhdukur. Për të thuhej, se ishte lançuar nga zjarrvënësit, dhe që identifikoheshin, me segmente të caktuara të SHIK ut. Për të tjerët nuk dihej ndonjë gjë e saktë Policia, ende nuk i kishte thërritur, për të dëgjuar dëshminë e tyre. Mbase nuk i interesonte, sepse mund që edhe ti dinte emrat e atyre, që vendosën flakët.
Sidoqoftë, afër mesditës, Nikollën erdhën dhe e moren me një makinë policie. Nje burrë i trashë me tipare të zeza, qëndroi tek dera e jashtme e godinës. Me sa duket, i dha të njohur botuesit.
Me Esatin, kishim qëndruar brenda në koridorin e zbrazur, ku era vazhdonte të na sillte arome thartire. Në një moment, Nikolla qëndroi në mes të oborit, dhe u kthye nga ne.
- Ju faleminderit - na u drejtua.- Do të shihemi së shpejti Aleko. Lajmëro edhe kolegët e tu të rretheve. Do ta nxjerrim sërrish gazetën. Dhe, do të bëjmë më të mirën, më profesionalen. Do të luftojmë, dhe do të fitojmë, mbi dhunën...
U duk që u emocionua shpejt. Fjalët e fundit, tingëlluan me një ngarkesë, që e ulën tonin e krejt frazës.
Më mbeti në mëndje ai moment, dhe në ngjarjet e mëvonëshme. E kam konsideruar gjithmonë, si një premtim që po mbahej, edhe pse tashmë gjithë stafi e botuesi i "Koha Jonë", e kishte paguar tepër shtrejtë në anën morale, por edhe në atë materiale. Nikolla ishte njeriu, që ëndëroi të " krijojë " shkollën e vërtetë të gazetarisë, në periudhën post-komuniste. Për të bërë të ndryshmen, nga ajo që ishim mësuar, për afro një gjysëm shekulli, ku jeta jonë paraqitej në të kundërtën e saj, sikur rridhte mjaltë.
Nikolla Lesi e gjeti sërrish kurajon. Tridhjetegjashtë ditë më vonë, me të njëjtin staf, në 11 Prill, gazeta "Koha Jonë" është " rrinxjerrë nga shkrumbi e nga flakët, ku e kallën forcat e errësirës, për të shkuar përsëri tek lexuesi, që e konsideronte në atë periudhë, pa asnjë mëdyshjemëdyshje, si " kryegazetën e ditës ". Këtë herë, botuesi në faqen e fundit, nuk kishte nguruar për të shënuar gjithë stafin, dhe emrat e gazetarëve në rrethe. Mbase për sfide.
Mbase ...