Monday, 7 November 2011

Në dheun e Arbrit

 
  Bëhej luftë në dhé të arbrit.

Pushtuesi vinte që nga larg me ushtri të madhe dhe të armatosur mirë për luftë. U mblodhën gjithë arbërorët dhe dhanë besën. Fise-fise e grupe-grupe, u rreshtuan me flamurët e tyre në atë betejë, jetë-vdekje. Ishin trima që të gjithë. Duhej që të mbrohej Arbëria. Por trimi në luftë njihet, si dhe frikacakët, po aty. Në ballë të sheshit u vunë shqiponjat. Ishte një fis në qendër të Arbërisë, që në flamurin e tyre kishin vënë një shqiponjë. Edhe në parzmore mbanin nga një të tillë. Pas tyre, luanët, me nga një luan të ngritur në këmbë, që valëvitej në flamur …Kështu me radhë, i gjithë formacioni luftarak arbëror.
           Shenja u dha që në mëngjes, sapo ishte zbardhur. Në fushë ishin të pabarabartë, në njerëz dhe armatime. Të ndryshëm edhe në ideal. Të ardhurit vinin të zaptonin toka, vende dhe njerëz. Arbërorët të mbronin Arbërinë nga pushtuesit. Por lufta nuk pyet aspak për ideale, as edhe kush ka të drejtë. Fiton gjithmonë më i forti dhe ai që ka zemër në fushë.          
Kështu ndodhi dhe në atë shesh beteje. U përgjakën, këmbësorë dhe kalorës, harkëtarë e hedhës të ushtave, zjarrvënës e lajmëtarë. Herë në një krah shkonte fitorja, herë në tjetrin, por pa u vendosur ende gjithçka. Po vinte mbrëmja dhe luftëtarët vazhdonin të qëndronin duke u bërë ballë furive të sulmit, që shkonin e vinin përmes fushës si dallgë deti. Kur u duk se asgjë nuk do të ndryshonte më fillin e kësaj beteje, një grusht trimash, që ishin në ballë, u sulën si shqipe, pa i u dridhur syri e u gjendën para tendës së komandantit të pushtuesve. Syri i Zi, kështu thirrej shefi i rojeve të fushimit, përkuli paksa gjunjët dhe zuri pozicion luftimi në pritje të arbërorëve. Ishte i thatë dhe mjekra e hollë i varej poshtë një pëllëmbë. U bëri zë të tijve që të qëndronin, por kur ktheu kokën, pa që ata po përlesheshin me vendasit. Ndërkohë, para tij, u shfaqën të tjerë. Ngriti jataganin dhe kuptoi se luftëtarët e vunë në shenjë. Tani nuk mund të ikte, as të dredhonte. Vendosi që të luftonte si një trim i vërtetë. Komandanti e mbante si krenarinë e trimave të tij, ishte shpresa e fundit. Por këtë herë, Syri i Zi, nuk mund që ta bënte më rezistencën. I pa që erdhën si një valë lumi, dhe u dalloi në gjokse shpendin e madh fluturues të hapësirave të lira. Një prej tyre i u gjet fare pranë. Hoqi mburojën nga gjoksi. I vetëtiu shpata. Këtë, “shpresa e fundit”, e pa vetëm në një fragment. Pastaj i u duk se shpendi e vuri poshtë. Ndjeu kthetrat e tij. Iu duk se e ngriti pezull. Pas kësaj ra në tokë si një pupël që era loz me të.
Një çast më vonë arbërorët hynë brenda në çadrën e madhe të komandantit armik. E sulmuan dhe e goditën duke ia marrë jetën. Pas kësaj gjithçka u ndal si me komandë dhe të mundurit dorëzuan armët. Një pjesë e braktisën sheshin e luftës e u fshehën pyjeve e grykave për t’i shpëtuar arbërorëve, luftëtarëve të Arbërisë
            Pas ca ditësh shkuan tek mbreti i tyre, dhe i thanë;
           - Na mundën shqiponjat. Ata e vranë edhe komandantin, që i besove  ushtrinë. Ishin trima dhe të papërmbajtur. Luftonin si shqipe të vërteta.
          Mbreti në fillim nuk e kuptoi. I pa drejt e në sy, sikur donte që t’u thoshte: Ç’po më thoni?! Pastaj u habit. Një çast më pas tundi kokën mosbesues.
           - Unë u nisa në Arbëri. Po ju me kë keni luftuar kështu? A mos u sulmuan fise të tjera në rrugë, e nuk u lanë që të zaptonit ato vise arbërore, ashtu siç ishte edhe plani ynë?
            - Jo madhëri - tha një prej të shpëtuarve, që ishte paraqitur para mbretit me tre humbës të tjerë. - Ata që na mundën në Arbëri, kishin skalitur në mburoja e në gjokse nga një shqipe. Dhe në flamurin e tyre  të kuq, kishin vënë nga një shqiponjë të zezë, që valëvitej pa ndërprerje në betejë. Ai vend i ka me shumicë.
          Mbreti përsëri tundi kokën. Këtë herë në pikëllim.
       - E kuptova. Ju paskeni luftuar me shqiponjat dhe u kanë mundur njerëzit e shqipeve.
          Pas kësaj, ky mbret i gjithëpushtetshëm dhe që ishte tepër larg, Arbërinë e quajti Vendin e Shqipeve. Banorët e saj i thirri, shqiptarë. Që do të thotë; njerëz që jetojnë me këta shpendë.
Të nesërmen, thirri oborrtarë e ambasadorë të huaj, që ishin në oborrin e tij, e u tha pa krenari.
          - Ne humbëm me shqiptarët, njerëzit që jetojnë me shqiponjat.

           ...Që atëherë thonë se i mbeti ky emër.

No comments:

Post a Comment