Sipas një poezie të poetit Agim Shehu
Kishin bërë rrugë të gjatë deri tek inglizi.
Ishin dy burra Shqipërie. Njëri ish luftëtar e tjetri ishte diplomat . I gjatë vinte luftëtari, si një copë shkëmb Arbërie, me një brez të kuq në bel, tirqe të bardha borë. Kishte sy që shkëlqenin si të shqiponjës. Në kokë mbante një qeleshe, që i jepte më shumë hije. I heshtur. Lis. Diplomati, më i shkurtër, me flokë të zbardhur, e mjekër po aq të bardhë, plot zjarr-Ballkani. Një pallto të gjatë e të zezë, e cila e tregonte fjalëpakë, të urtë e të mençur. Një intelektual i vërtetë i asaj kohe, i cili vinte nga një vilajet Turqie, për të ndryshuar fatet e vendit të tij.
Vinin tek lordi i Anglisë. I priste në pallat.
Eh!.. Kishte halle e mjera Shqipëri…
Duhet që të dorëzonin armët. Kështu u thanë tek dera .
U ngrys luftëtari, pa e ditur se ç’mund të bënte pas kësaj kërkese të papritur për të. Në çast, sytë i shkrepën çikë.
“Lëre”, diplomati i tha me qerpikë.
Dhe ua la nagantin tek dera Isa Boletini. Poshtë, nën brez, të voglës sytë i shkreptinin. Dukej se morri zjarr. Si një strall mali që përflak, sapo i del shkëndija e parë. E ndjente që kishte vënë faqen tek trupi dhe veshin tek gjaku.
Isës në çast i u bë sikur i tha “ je edhe për mua”.
Burri u drodh. Ndjeu që t’i kalonin në trup mornica. Pastaj, të heshtur shkelën në sallonin e kuq. Vanë tek dera e lordit, duke lënë nga pas kumbimin e hapave në atë sallë të mermertë, si një shesh mejdani, ku bëhej politika. Herë-herë qerpikët e dy burrave, si gërshërë përplaseshin, thua; dritë të huaj sytë nuk u qasnin.
Një shërbëtor ua hapi kanatet e derës. U përkul para të porsaardhurve e pastaj me dorën e djathtë i ftoi që të futeshin brenda. Atje ku priste ftuesi. Shkelën pragun. Përpara ishte ai, një burrë që nuk e kalonte mesataren e me një fytyrë që zgjatej poshtë dhe dy vetulla të zeza e të trasha. Nuk ishte i mbushur në trup, por ajo që mbetej nga vështrimi i parë, ishin basetat e mëdha e të gjata, që shkonin deri tek mjekra. Dritat e një shandani, që qëndronte në cepin e djathtë të skrivanisë, e tregonin burrë shteti, ashtu siç ish.
Tha Lordi i Madh me humor të huaj, që Isës iu duk, “gaz i hidhur”;
- Ja, edhe të çarmatosur, zotërinj shqiptarë.
Si një kallkan i ngrirë, ngriu fjalë e parë. Ismail Qemali, mosbesues, vuri lehtas buzën në gaz. Isa nuk lëvizi nga vendi. Nga fytyrë e anglezit, syri i mbet tek brezi. Aty ishin edhe të lordit. Një çast më parë kishte qenë naganti, që tashmë ishte lënë tek porta…Por atje, tani ishte e vogla. E fshehur. Ndjeu se zu të hasharitej. Mblidhte xixa zjarri, sikur priste luftëtarin.
Sytë e diplomatit të inglizit në atë moment, zjarr të hidhur shkrepën. Isa Boletini, brom nga brezi tjetrën. Tjetri u drodh si gjarpër pranë.
- Madhëri ! Shqiptarin kurrë s‘e gjen pa armë.- tha qetësisht luftëtari i maleve.
Për lordin, zbardhëlloi sermaja, shkreptiu fildishi. Për dy burrat e Shqipërisë; ndritën malet tona andej larg tek ishin. Dhe në çast u duk, se qelqe e shandanë në at’ sallë, dhanë dritë të ligë. Ismail Qemali qeshi këtë herë nën qerpikë. Naganti i posanxjerrë nga brezi, ishte tani mbi tavolinë. Rrinte ashtu siç i duhej. Dora nga i zoti dhe tyta…Eh!,..brenda nxinin halle. Kërkonte që të thoshte; Shqipëri e vogël, në tryezë të madhe.
- Bisedojmë – tha lordi urtësisht, dhe u bëri me shenjë dy burrave që kishin ardhur larg, nga një cep i Ballkanit.
Naganti i Isës ishte aty, mbi tavolinë, si simboli i lirisë.
E si mund që të ishte tjetër ai?
Francë-Paris, Maj 2003
No comments:
Post a Comment