Thursday, 23 February 2012

ESKURSION NË SHTËPINË E UJQËRVE

Se si ndodhi që një herë, kaprolli i vogël mëndjemadh, na u bë më i rëndësishmi dhe personazh i ditës, vetëm për një javë, në zonën alpine, pranë një qyteti bregdetar, këtë do t'ua tregoj unë tani. Por, edhe se si kafshët e asaj zone, ëndërronin pastaj plot zili, e kërkonin të bënin si heroi ynë. Po ç'farë ndodhi më tej? Nuk do ta zbulojmë që në fillim fundin e kësaj përralle. Përrallat prandaj janë përralla. Dhe tani, ju të dashur fëmijë, kini pak durim, e më ndiqni deri në fund me kujdes.
Fjala kishte marrë dhénë. Vetëm një javë më parë kaprolli i vogël mendjemadh, kishte mundur që të shpëtonte nga thonjtë e Ujkut. Në një vrap, për jetë a për vdekje, vogëlushi fitoi mbi egërsirën. Dhe kishte ndodhur, vërtetë si me qingjin e gjorë në përrua. Por këtë herë, grabitqari, kishte dalë i humbur ."Pse më turbullon ujin?". "Unë jam poshtë teje, dhe vija e ujit vjen atje lart, që nga ti", tha edhe Kaprolli. Po nuk kishte pritur më. Në një turravrap ishte hedhur drejt e në lëndinë.Ujku,që nuk e kishte pandehur se Kaprolli,do t'ia hidhte kështu, mbeti në vend i hutuar. Pastaj,drejt e në ujë, që kishte valë shumë. Në bregun tjetër doli më poshtë. Pikërisht aty, në rrëzë të shkëmbit të pjerrët. I duhej që të ngjitej në lëndinë. Nuk ishte lehtë. Por heroi heroi ynë, kishte fituar në kohë. Ai ishte tani në zonën alpine. Atje, ku tufa e dhive të egra dhe e kaprollëve, ngjitej nëpër shkëmmbinj të thepisur. Në rrugë që vetëm ato dinë t’i zgjedhin
Ngjarja ishte e pazakontë, dhe gjithë kafshët gëzuan. Dhitë e egra gjithashtu. Në kullotën alpine kishte filluar nje festë e vërtetë. Çdo ditë,vinin kafshë nga pylli me dushqe,atje poshtë. Kërkonin të njiheshin. Ta përgëzonin heroin tonë. Ngjarja u kthye në një gëzim gjithëkafshëror." Ja që dhe ujkut, mund edhe që t'i shpëtosh", thonin disa. Një palë tjetër; "Ujku nuk është aq i zoti sa ç'e kemi kujtuar".
Gëzimi nuk përmbahej midis kafshëve të pyllit, dhe atyre të kullotës alpine. Pa u ngritën edhe dolli për kaprollin që fitoi mbi bishën e egër. Vinin e pyesnin. Kishte plot kuriozë.
Nëna që priste urimet, qëndronte gjithë ditën mbi një shkëmb. Shikonte të ardhurit, e lumturohej që kishte sjellë në jetë një krijesë si Kaprolli,që ishte bërë tashmë, hero për të gjithë. Çamarrok, i thonin në ato anë atij. Trazovaç. Por ja që nofka gati u harrua. E nderonin tani. E respektonin. Ndërsa historia tregohej e tregohej pa mbarim mes kafshëve, një derrkuc mendjemadh erdhi një ditë me një frymë.
- Të lumtë o vëllaçko. Na ke nderuar që të gjithëve. Ti je vetë krenaria jonë. Kemi me se të mburremi tani. Përballë atij që nuk na kursen.
Pas tij edhe një ketër.
Pas ketrit edhe një sorkadhe.
Pas sorkadhes edhe një lepur.
Pas lepurit edhe një iriq.
Pas iriqit edhe një...
Kështu u bënë plot një skuadër. Bëmat e kaprollit çamarrok i kishin bërë kafshët, që banojnë në zonën e lartë të Malit të Cikës në jug, trimoshë, e të shkujdesur.
- Jo - tha një drenushe plakë. - Ujku nuk është ai që tregoni ju këto ditë. Ai është e mbetet, një egërsirë e rrezikshme për ne.
- Ou-u-u. Ti mendon kohën që lamë pas - i u drejtua një drenushe e re.- Ka ardhur koha e ne të rinjve.
- Le të bëjmë një shëtitje së bashku, buzë përroit të madh. Të shohim vendin, ku Ujku, u turpërua nga çamarroku ynë.
- Eshtë me rrezik. U këshilloj, që të mos shkonimë atje. Pastaj, aty pranë është edhe guva, ku banojnë ujqërit. Unë vetë i kam parë foletë e tyre. Shoh gjak në këtë rrugë, që do të merrni. Nuk do t'ua falin guximin, jo. Ajo që ndodhi me kaprollin, është vetëm një rastësi - foli një breshkë e vjetër
- Ç'na thënke. Ngadalë-ngadalë, se na bëre për të qeshur - foli çamarroku që kishte hipur në një gurë të madh, përballë kafshëve të pyllit.
- Nuk do të ndodhë më asgjë, edhe në se,do të takojmë në udhë egërsirën, - tha lepuri këmbëshpejtë.
- Jo, unë nuk vij. Siç e dini, i kam këmbët tepër të shkurtëra për t'u ndjekur ju.
- Ua-a-a. Thuaj më mirë se ke frikë. Kështu. Mos na fut mbroçkulla këtu. - u hodh me zjarr derkuci, që më sa dukej, ishte edhe organizatori i kësaj shëtitjeje. - Pse të mos bëjmë një eskursion?.Ç'të keqe ka këtu?.
Dhe vërtetë ashtu bënë.
Lepuri, Ketri, Sorkadhja, Derkuci, së bashku me Kaprollin çamarroke dhe të tjerë, u vunë në udhë. Vërejtjet dhe këshillat e panumërta të prindërve,dhe të kafshëve të pyllit, i lanë pas.
Pranverë ishte. Dielli ndriste atje lart plot nur e hijeshi.Gjethet e vogla e të gjelbërta të posa dala, lëkundeshin lehtë në ajër. Një fresk përzier me një vapë, vinte poshtë pyllit me dushqe. Herojtë tanë ishin në udhë ende. Secili ëndërronte që të bëhej heroi i ditës. Etja për lavdi, duket se i kishte bërë më shumë trima, se ç'ishin ne realitet. Kaprolli çamarrok ... po në ballë. Mezi prisnin që të vinin tek përroi, i cili gjarpëronte që nga maja e malit, deri poshtë në luginë. Sillte ujë bore. Ajo po shkrinte tani kudo.
Po herojtë e përrallës sonë, nuk u pritej që të mbrinin një orë e më parë. Lepuri këmbëshpejtë, nuk heshti më, po i a nisi një kënge.
" Ej-ej...ujku është egërsire, ho,ho,ho
- Ne prej tij, nuk duam t'ia dijmë, po mor po.
U përgjigj derkuci, që po pëlciste nga vetëkënaqsia. Të tjerët filluan menjëherë që ta shoqërojnë.
"Jemi trima,dhe frikën se njohim, jo", tha ketrushi ziliqar.
Të gjithë si në një kor,
- Jo,jo jo,
Mirëpo, këtë zhurmë e kënge, na e dëgjoi edhe një buf nate, që qëndronte në majë të një dege.
- Ç'është kështu?. Ç'po më shohin sytë? Që të gjithë aventurierë e që i gënjen mendja. Mëndjemadhësia shkon kaluar, e nuk kthehet hiç. Nuk e dinë se ç'i pret ata të gjorë...Hajde, eskursion. Dhe ku? Në shtëpinë e ujqërve. E rrallë dhe e padëgjuar ndonjëherë...
Ndërkaq ishin afruar. Përroi rridhte i qetë atje më poshtë. Zëri dhe kënga e kafshëve kishte mbritur më përpara, se vetë ata, përballë shtëpisë së ujqërve. Një ulkonjë që qëndronte e shtrirë pranë fëmijve të saj, i ngriti veshët për një çast, pa e ditur se ç'po ndodhte me herojtë tanë. Pastaj i vendosi fëmijët e saj në një kthinë të errët. Doli jashtë ngadalë.
U ul në bisht. "Ç'të këtë ndodhur, që këto kafshë të reja vinin aq serbes, prane folesë së saj? Bile edhe me këngë. Dëgjoi edhe një herë fjalët e saj, e nxori gjuhën për të lëpirë buzët e thata nga vapa, në shtëpinë e saj. "Qenka një gjah i majmë", tha ngadalë, sikur donte t’i mbushte mendjen vetes së saj, e që, nuk po u besonte vërtetë syve. Ishte një rast i rrallë.
Mendoi që t'iu punonte një reng.T'i mashtronte për pak,e pastaj,t'i godiste një nga një rrufeshëm.Dhe kështu bëri.U largua për pak nga shtëpia.Zuri një kodër përballë,ku i ndiqte më mirë,lëvizjet e mysafirëve të rinj.Vërtetë, kishte tri ditë,që nuk kishte vënë mish në gojë.Babai i fëmijëve të saj,kishte dalë që në mëngjez herët,për të siguruar ndonjë gjëkafshë .Por me atë skuadër kafshësh,do të mund,që të siguronte ushqimin e një muaji
Pinë ujë në përrua e u freskuan mirë, sepse rruga i kishte lodhur ca. Filluan të lozin me njëri tjetrin.Me stërkala. Kush të lagte me shumë. Zërat gazmore oshëtinin deri thellë në pyll. Dikush prej tyre, dalloi lart në breg një kokë të vogël fëmije ujku. Kaprolli çamarrok e tregoi me gisht. Të gjithë filluan të talleshin me atë. Ai kërkonte të ëmën që i braktisi pa u thënë një fjalë. Dridhej me një zë të hollë e te çjerrë. Derkuci nuk priti më. U sul për një aventurë të re. Shkoi pranë, e filloi që të tallej me vogëlushin e egërsirës. Të tjerët nuk qëndruan indiferentë. U mblodhën të gjithë përpara shtëpisë së ujqërve. Vogëlushi duke qarë nga frika, u fut në folenë e tij. Kafshët e pyllit qeshnin. Nuk kishe ku e gjeje një argëtim si ky.
U dukej vetja se kishin fituar edhe ata mbi egërsirat, ashtu siç kishte bërë një javë më parë, kaprolli çamarrok.Tani si fitimtarë ishin të kënaqur. Kishin realizuar ëndrrën e tyre rinore. Mbi të gjitha, këtë heroizëm, do ta tregonin breza pas brezash kafshët e asaj zone.
Lepuri nuk priti. Futi kokën në folenë e ujqërve, e dalloi tre fëmijë të tjerë ujqërish, që dridheshin nga frika atje brenda. Kuisnin me një zë të çjerrë e të dhimshëm.
- Mos u trembni. Nuk u ngacmojmë. Hi-hi-hi-i-i. Ne jemi herojtë e pyllit. - tha ai me një ndjenjë krenarie.
" Ne jemi që të gjithë heronj"
Edhe pylli ynë trima ka
- Nuk pyesim për ujk e ulkonjë"...filloi këngën ketri tek porta e shtëpisë së ujqërve, por zëri i ngeci menjëherë në grykë.
Vetëm tre hapa më larg, një ulkonjë, që vinte vërtik drejt e tek herojtë tanë, e zuri menjëherë për gryke. Të tjerët që nuk e kishin mëndjen aty, nuk po kuptonin se ç'ndodhi në atë çast të vetëm.
Ndërkohë, ketri ra në tokë pa jetë, nga dhëmbët e mprehtë të ulkonjës.Derkuci mëndjemadh ishte viktima e dytë. Ai sapo kuptoi, që të gjithë, ishin kthyer, nga heronj në gjah të majmë për ujqërit, bëri një kthesë të menjëhershme. Por ulkonja e kishte kapur në grykë, dhe e vuri poshtë ndër këmbë. Kaprolli çamarrok, e sorkadhja, u varën poshtë në përrua. Uji ishte përballe. Doemos që ishte edhe i thellë.
Filluan të notonin shpejt e shpejt.
Ndërkaq, ulkonja që kishte mbaruar punën me derkucin, duke e lenë të shtrirë pa jetë,në rrepirë që zbriste poshtë tek valët, u hodh drejt e në përrua me një kërcim akrobatik. Ashtu siç dinë të bëjnë vetëm ujqërit. Këtë here viktimë ishte sorkadhja e re. Mëndjelehta nuk pati më kohë as që edhe të kërkonte mëshirë. Egërsira e kishte fundosur poshtë valëve të ujit . E mbërthyer midis kthetrash ujku, ajo mbeti atje, e shtrirë dhe e pa lëvizur.
Kaprollit çamarrok, që posa doli në anën tjetër të përroit, i u duk vetja se i ndihu përsëri fati.Ulkonja kishte ende punë me sorkadhen. Nuk pati kohë as që edhe të shkundej. U sul me vrap, ashtu siç kishte bërë, një javë të shkuar. Kuptoi se liria ishte afër.Dhe filloi të besojë vërtetë. Pa bërë as disa dhjetra hapa, menjëherë u gjend përballe një bishe, që vinte vërtik, e drejt e tek ai. Ishte vërtetë një ujk stërmadh. Pikërisht atij që i iku një javë më parë. Jetonte më ulkonjën në një guvë. Këtë herë e kishte punën pisk. Brirët e vogla e të njoma nuk bënin punë. A do ta falte egërsira ne se i lutej? Pasi gjahu për ta ishte tashmë tepër i bollshëm. Kur ja, ai menjëherë qëndroi përballë. I kishte bllokuar që të gjitha shtigjet. Qëndroi edhe kaprolli çamarrok.
-Ku je o trimosh. Munde ujkun, ë-ë-ë. Ja ku jemi përsëri ballë përballë. Do të më mundësh?.Ha-ha-ha...Një herë, mund që edhe ti ikësh një ujku, a egërsire si une, por të dytën herë, kjo nuk ndodh kurrë.
- Po unë, po unë... jam i vogël, e nuk mund që të matem me një bishë, si ty. Pastaj ty të njohin. Nuk ka nevojë që të flas unë...
- Këtë herë do të të ha. Kështu, pylli do të ketë një trim më pak. Kafshët, nuk do të kenë më kohë të bëjnë festë, e të mburen.
- Po ti - i - i... më fal. Të lutem, më fal këtë herë. Po bisha e vuri shpejt ndër thonj.
Çamarroku nuk u bë më i gjallë.
... Kështu përfundoi, eskursion i kafshëve në shtëpinë e ujqërve, të dashur fëmijë. Një kaproll i vogël çamarrok që mundi t’i shpëtonte një herë egërsirës së pyllit, një derrkuc mëndjemadh, një drenushë mëndjelehtë, e një lepur, së bashku me ketrin ziliqar, doemos që i priste një fund i tillë.
Pas kësaj, në pyll, nuk u fol më. Thonë, që nuk pati më, as edhe një mburrje. Që nga ajo ditë, në majën e "Çikës", jeta rrjedh sipas gjithë ligjeve të saj.

Bordo, Janar 2005

No comments:

Post a Comment