Friday, 23 December 2011

KTHIMI I BABAIT NE SHTEPI

KTHIMI I BABAIT NE SHTEPI


Avioni i shoqërisë "Lufthasa", që udhëton çdo ditë nga Frankfurti, për në Tiranë dhe anasjelltas, atë pasdite-gri dhjetori, u duk mbi aeroport, si një zog i stërmadh e i lagur. Një zhurmë, që u dëgjua si një gulçimë e mbytur në fund të pistës, bëri që shumë nga të ardhurit, të dilnin nga baret e klubet përreth, për të parë me vëmendje përtej rrethimit e kangjellave. Ndoshta të afërmit që duhej të vinin në këtë linjë të largët, nga veriu i kontinentit. Braçe Feratozi, një mesoburrë e me shtat të lartë atleti, doli nga furgoni blu, që mbante targat e një qyteti pranë kryeqytetit dhe hodhi nxitimthi sytë mbi rripin e betontë, që dukej si një vijë horizonti, e cila e ndante jeshilen e tokës nga e kaltra e qiellit. Pikërisht aty, ku avioni tronditi pistën një çast më parë. Ai kishte pushuar përballë terminalit kryesor dhe të vetëm të këtij aeroporti, i cili në fakt, ngjan si i harruar në mes malesh që e rrethojnë në të katër cepat e horizontit.
Disa njerëz, që nxitonin të dilnin nga barku i mjetit që dukej krejtësisht i alumintë, zor se dalloheshin nga furgoni i Braçes, i parkuar vetëm dy metër larg portës, ku dalin automjetet që lëvizin përbrenda pistës. Një gjysmë orë më vonë me udhëtarët e fundit, që dolën nga godina njëkatëshe e aeroportit, u shfaq edhe Luke Darëzeza së bashku me miken e tij Ulrikë, me të cilën bashkëjetonte në Gjermani. Pëllumb e kishte emrin, por Luke e thërrisnin në fëmijëri. Ashtu dhe i kishte mbetur.
Braçia, që nuk nguroi t’u dalë përpara e t’i përqafonte me mall, pasi shtatë vjet më parë, ishin ndarë me lot në sy, i drejtoi shpejt për tek furgoni i tij që lagej nga një shi i imët, i cili kishte filluar papritmas, nga një qiell që tashmë ishte bërë krejtësisht i plumbt.
-Jemi vonë e do të na zërë nata rrugës. Siç e di mor kushëri, këtu tek ne tani në dhjetor, dita është tepër e shkurtër. Pastaj kemi rrugë, e ata na presin me padurim. M’u lutën që të vinë e t’u presin, por unë i dhashë karar vetë kësaj pune.
-Mirë jemi - tha Lukia. - Kanë mall. Edhe mund të merrje ndonjë.
Ulrikë Fon Setman, 55 vjeçarja nga një qytet i vogël pranë Frankfurtit, pronare e tre butiqeve që e vizitonte për të parën herë vendin e vogël në jug perëndim të Ballkanit, ngriti sytë nga qielli që gjerbonte e buzëqeshi, ndërsa dy burrat bisedonin me zë të lartë, e vazhdonin të sistemonin bagazhet e shumta që kishte sjellë ajo. Plot dhurata për të gjithë pjesëmarrësit e të afërmit e burrit të saj shqiptar, të cilët do t’i njihte për të parën herë, pas martesës prej gjashtë vjetësh me Luke Darëzezën, refugjati që pranoi të ulej në një cep të zemrës së saj, e cila ishte tepër e zhuritur, duke i kthyer dashurinë, që e kishte varrosur së bashku me të "mirin Manfred", burrin, gati 10 vjet më parë. Zakonet e shqiptarëve tani zëre se i njihte mirë, sepse përreth dy muaj me radhë, Lukia i kishte përshkuar fisin e të afërmit me hollësi, jo vetëm familjen e motrës së tij të vetme, e cila kishte tre fëmijë jetimë, pas vdekjes së burrit, dhe që kishte një detyrim moral, por edhe material, ku çdo muaj i postonin rregullisht nga 1000 marka. Ulrika përveç një liste, që e mbante në çantë me emra e adresa, kujtonte me detaje çka kishte paketuar për secilin.
Rruga deri në kryeqytet iu duk se kaloi shpejt, e ajo dalloi nxitimthi edhe një autostradë, që në fakt nuk i pëlqeu. "Ku rrugët e Gjermanisë, e ku këto këtu". Të dy burrat kuvendonin në shqip, dhe ndonjëherë Lukia, nxitonte sikur të ishte kujtuar për ndonjë gjë, pyeste në se i pëlqenin Ulrikës që po e sillte nga veriu i kontinentit, nga ato që kishte parë gjatë rrugës . Qytetin e ndanë mëdyshas e në rrugët nën një shi të imët dhjetori, të përzier me një borë të shkrirë, nuk lëvizte njeri. Tirana iu duk e shpëlarë dhe e çngjyrosur krejtësisht, që në fakt, nuk i bëri ndonjë përshtypje të madhe. Pak më shumë se një orë më vonë furgoni i Braçes hyri në një qytet tjetër. Ajo nuk mundi që ta shihte dhe ta shijonte nga xhami i përparmë i makinës, pasi Lukia e njoftoi se, kishin mbërritur tashmë në qytetin e tij. " Do të kem kohë më vonë ta sodis e ta shëtis këtë qytet, që më ka lindur të dashurin e zemrës sime, Luken " mendoi nxitimthi sa për t’u qetësuar edhe për të mbledhur pak veten, sepse kuptoi që kishte emocione. " Të tjerë njerëz ...tjetër psikologji. Ballkanasit janë popuj me temperament e, në një farë mënyre, të pagdhendur e të pa kulturuar me shoqërinë e sotme njerëzore". Kështu kishte lexuar shumë vite më parë, në atë të rinisë së hershme, në një libër që fliste për gjeografinë e këtyre vendëve. Pastaj mendimi se si do ta prisnin të afërmit e Lukes, pasi ajo kishte tashme 20 vite diferencë..." u duk se morën sërish udhë edhe këtu. Mjaft kishte vrarë mendjen e gjykuar për të tjerët atje në Gjermani, që nga dita që vendosën të vijnë për një vizitë në Shqipëri, së bashku me Luken e saj, të cilin e donte dhe e nderonte shumë.
Furgoni qendroi tek hyrja e një pallati, diku në lagjen veriore të qytetit, dhe Ulrika gati sa nuk përplasi kokën në xham, pasi Braçia ndaloi shpejt e pa kujtuar. Një fëmijë i vogël që e kishte ndjekur makinën në metrat e fundit para derës së hyrjes, gati sa nuk mbeti viktimë poshtë rrotave. Lukia ndjeu që t’i njomeshin sytë, e ashtu në një moment disekuilibëri aty në furgon, gjeti rastin të fshinte një pikë loti, që po e tradhtonte në cepin e syrit të majtë. Disa gra që dolën menjëherë përpara, larguan fëmijët e vegjël, që u mblodhën si trumcakë tek dera e makinës. Braçia lëvizi dorezën dhe dera u hap. Një çamarok me flokë mbi veshë nxitoi të futej brenda dhe t’i hidhej në krahë Luke Darëzezës, duke lëshuar një piskamë " babë, mor babë..." U shkreh në vaj. Të tjerët bënë zhurmë. Dhe ndonjë prej grave që kishte dalë për të pritur mysafirët nga Gjermania, mbuloi fytyrën me dy shuplakat e duarve. Nisi që të qajë me fjalë, për kurbetin e kohën që i ndau njerëzit, si kokrrat e orizit të hedhura në shkretëtirë. Fjalët prekëse të gruas, që kishte qëndruar në mes të shkalleve dhe që më tepër, dukej se dridhej e rrotullonte kokën me një zë, që dilte nga thellësia e kraharorit, bënë që të lëshohej në tokë e zalisur, pikërisht ajo qe, Luke Darezeza e kishte prezantuar përpara gjermankës, si motrën e tij. Një fëmijë tjetër, rreth 10 vjeç, u lëshua sipër saj duke qarë e lebetitur. Dy burra, që zbriten vërtik shkallët, komshinj me sa duket, së bashku me Braçe Feratozin, ndërhynë për të qetësuar gjendjen. Dikush tha që "malli të bën hatanë". "Kjo botë kështu u bë...kashtë e koqe"
Në shtëpinë e motrës, pak çaste më vonë, Lukia u ndje disi më mirë. Edhe gruaja nga gjermania, e cila pasi pyeti nëse i kishte marrë rregullisht çdo muaj markat, dhe se a mund të përballohej jeta në vend, duke premtuar se do ta rriste përsëri kuotën, u duk se ishte çliruar tashmë nga ajo ngarkesë e lartë emocionale, që i kishte nisur që në Gjermani. Njerëzit përreth po i pëlqenin, ndonëse nuk kuptonte asgjë nga ato që dëgjonte. Ndërsa të tjerët ishin bërë më gazmorë e të shpenguar në komunikim, pikërisht kunata, motra e Lukes, e cila mbante pranë tre fëmijët që Ulrikës iu dukën të bukur, si yje, qëndronte tashmë tre hapa larg, e heshtur dhe e pafjalë. Ndjehej sikur nuk ishte aty. Sikur nuk ishte ajo që u zalis një çast më parë. Ajo po bluante në kokë diçka që mbetej pa thënë, ndonëse në mes të gjithë njerëzve të shtëpisë, kishin nisur shakatë dhe kujtimet e gëzuara që, me sa dukej, ishin harruar e mbetur pas disa vite. Ndofta që para ikjes së Lukes.
Braçe Feratozi, që kishte edhe frenat e shtëpisë në dorë për momentin, kërkoi që të sapoardhurit të qetësoheshin, pasi kishin bërë rrugë të gjatë, por edhe se pas dy apo tre orëve do të fillonte edhe darka e pritjes. U duk se fjala e tij zuri vend. Ndonjë i largët e dy komshinj u ngritën në këmbë, për t’ia lënë fjalën grave, që do të përgatisnin tavolinën e mbrëmjes. Lukia dhe gjermania bënë shpejt nga një dush dhe lodhja u iku si me magji. Në mes të njerëzve të shumtë, ku ndjehej një atmosfere gëzimi dhe plot urime për kthimin e Lukes pas shtatë viteve, nga "ai i shkrete kurbet që të bluan edhe kockat e trupit", Zana, nëna e tre fëmijëve që i ngatërroheshin nëpër kraharor refugjatit të ardhur nga Gjermania, dukej si e tjetërsuar. Mome Sala, një plakë, tek të 70 – at, komshi një kat më lart, e çfajqsoi tek dy gra të tjera të ardhura rishtas nga tre kate më sipër .
-E ka nga malli për Luken. Nuk është lehtë të rritesh tre fëmijë. Dhe kur se? Në këtë kohë që nuk ke ku të lidhesh koqen e kripës. Punë jo. Lekë jo. Qeveri hiç. Ah! e mjera, zëre se rrojmë e zëre se nuk rrojmë. Si u katandisëm kështu të gjithë."
Aty nga ora 20, Braçe Feratosi dha urdhër që të shtrohej darka, dhe njerëzit e ftuar zunë vendet pa fjalë. Dy kushërinj të Lukes, që kishin mbërritur në momentin e fundit por që ishin planifikuar më parë, tre komshinj me të cilët Zana ndante të mirat dhe të këqijat e kësaj jete, për të rritur tre fëmijët pa burrë, çifti Feratozi dhe një shok fëmijërie i Lukes, që kishte mbërritur në shtëpi në mesditë për të pritur refugjatin nga Gjermania me një kitare, e cila duhej ta ndizte me tepër atmosferën. Kjo ishte e gjithë gjindja në tavolinën familjare të mbrëmjes. Bëheshin gati një duzinë e gjysmë. Njerëz donte ajo mbrëmje.
Sidoqoftë, darka dhe mbrëmja shkoi si më mirë s’ka, plot hare e këngë, por edhe me mall për kurbetlliun Luke, që mbeti asaj Europe. Fëmija si fëmija, here uleshin në karrike, e herë zinin rradhën për t'u ulur në prehrin e Luke Darëzezës. Ky i përkëdhelte në flokë pasi i puthte me mall kudo në fytyrë. Gjermanka nxirrte herë pas here karamele e çokollata nga çanta, të cilën e mbante pas vetes, për të qerasur ata që i quante si nipërit e burit të saj, Luke Darëzeza. Nga ora 22.00 një prej komshijve, Momë Xheku, nuk u përmbajt dot, e pasi uli kokën në tavolinë, filloi të qajë me dënesë për fëmijët që po rriteshin jetimë me baba gjallë. Kjo skenë preku edhe tre persona të tjerë nga të ardhurit, dhe darka e gëzimi, u duk se po rrokullisej tëposhtë. Ndoshta mund të kthehej në një vaj të vërtetë. Situatën e mori në dorë shoku i Lukes, kitarexhiu, i cili me një zë basi nisi një nga serenatat korçare, " jam, jam i mirë , s'jam, s'jam i mirë, dhe në jam i mirë, jam për veten time. O-o-ooooh." Pas atij zëri pasoi një çast më vonë një heshtje tronditëse. Të darkuarit nuk e menduan se pikërisht në këtë çast kritik mund të niste një këngë. Kuptuan se ishin hutuar, e pasi kitarexhiu kaloi në rreshtin e dytë të këngës korçare, filluan ta ndiqnin dalëngadalë. Në fillim sa për ti shkuar pas avazit, por kur kaluan në rrefren, të gjithë u intonuan e filluan ta shoqërojnë serenatën, edhe me të përplasurit e duarve sipas ritmit.
Kur u duk se ç'do gjë shkoi në vendin e vet, dhe asnjë më nuk e kishte mendjen tek psherëtima, e lotët e komshijes atje në cep të tavolinës, nëna e tre fëmijve Zana, u ngrit e heshtur pa zhurmë nga tavolina, dhe u fut në një prej dhomave, duke lënë pas një dridhje të lehtë të supeve e dy duart që mbuluan fytyrën, pikërisht përpara se ta hap derën. Kjo i ra në sy vetë Ulrikës, e cila ishte padyshim, kryemiku i kësaj mbrëmje mes shqiptarësh. Pa rënë në sy te të tjerëve, me gju poshtë tavolinës preku të shoqin si për ta kujtuar se, pikërisht ai duhej ta qetësonte Zanën që braktisi e përlotur tryezën e mbrëmjes. Lukia, që dukej se ishte përhumbur i tëri pas rrjedhës që po mernin ngjarjet atë moment, nuk e kuptoi sinjalin e gruas së tij gjermane.
- Shko qetësoje Zanën, motrën tënde - i tha në gjuhën e saj.
Refugjati u dha menjëherë tek dera e dhomës, por Zana u kthye sërish. Ishte aty në mes. Në fytyrë kuptohej një njollë që kishte përskuqur cipën e hollë, e cila zinte pak më shumë se mollëzat e faqeve, ballin e buzët, që në fakt dukeshin të mavijosura. Mbase i kishte krijuar shtrëngimi i dhëmbëve, që kërkonin të mbanin ndoshta një duf, i cili ziente përbrenda kraharorit, për të mos shpërthyer në atë tavolinë gëzimi për të ardhurit. Ndërkohë, kitarexhiu që e kishte përfunduar këngën, filloi sërish me një zë basi, "të rashë pas moj të rrashë pas, rrugës kur shkoje për në gjimnaz". Me shenjë u kërkoi të darkuarve për ta ndjekur përsëri nga pas. Lukia u trondit. Pamja që u shfaq vetëm një hap larg tij i u duk e përçudnuar. Portreti i Zanës, ishte i paparë ndonjëherë, dhe krejtësisht shpërfytyrues. Nuk mund që ta besonte. Kuptoi që gruaja me të cilin kishte lindur tre fëmijë, dhe vajzës së ëndrrave rinore, të cilën e kishte marë në shtëpi pa lejen e prindërve të saj, dukej se vuante shumë për të. Për hir të dashurisë me Luken kishte ndejtur 5 vjet pa folur me prindërit, por pastaj, mëria nuk zgjati aq shumë pasi tre vjet me vonë, Zanës i vdiq babai në një aksident në uzinën e qytetit. Nëna si nëna, kishte kapërcyer pragun e derës, ndonëse vëllezërit nuk e pranuan vajzën për ta qarë babain e saj, pasi ai e kishte lënë vetë amanet për të mos e kapur drasën e arkivolit, vajza e tij e vetme qe i kishte ikur nga shtëpia atë natë, pa ja dëgjuar fjalën. E gjitha kjo skenë i kaloi Luke Darëzesës përpara syve në disa fragmente sekonde. Provoi të zgjasë dorën drejt saj me dhimbje e shpirt të lenduar. Kuptoi se kishte bërë budallallëkun më të madh të jetës së tij, me mbritjen në Shqipëri pas 7 vjetësh, në krah të një gruaje tjetër të huaj, që e paraqiti përpara të afërmëve, si padronen e mikeshën e tij. Ajo telefonate në mes të Tetorit e kishte tronditur së tepërmi. E kishte bërë ndoshta për të parën herë në jetë të derdhë lotët si fëmijë, kur dëgjoi që të tre fëmijët e tij nga kabina telefonike, ti luteshin që të vinte sa “për ti kapur vetëm një herë në qafë”. Pastaj le të kthehej përsëri.
Shtyu derën ngadalë e ndjeu një dhimbje në kraharor. Zana tani ishte shtrirë në një prej shtretërve të fëmijve. Qante me dënesë përmbys. Fustani i mbrëmjes ishte zhubravitur. Lukia e mbylli derën e i u afrua ngadalë. Zana që e ndjeu praninë e tij, ktheu kokën nga ana e murit e vazhdonte të derdhte lot hidhërimi. Lukia i vuri dorën ngadalë në sup, por Zana lëvizi për ta kundërshtuar .
- Largohu, largohu...
Zëri u duk se doli i çjerë, si një gurgullimë nga kraharori që ulej e ngrihej pa pushim. Psherëtiu thellë e pastaj mblodhi gjunjtë përpara, e vendosi kokën midis dy pëllëmbëve. Duart u njomën nga rrëketë e lotëve që rridhnin pa pushim. Tek dera u dha Braçe Feratozi që e tërhoqi Luken, i cili qendronte si i ngurosur para krevatit të fëmijve të tij.
- Braçe të lutem më ler një herë vetëm, pasi siç e sheh, Zana nuk është mirë. Mbase ajo ka nevoje një çast për mua - tha Lukia, e tentoi që të largojë duart e kushuririt të tij, që qendronte vetëm dy pëllëmbë larg. I dha të kuptonte se duhej që të dilte nga dhoma.
- Në këtë moment nuk është mirë. Tavolina është bosh . Atje u presin. Jeni zotët e shtëpisë. – tha tjetri, sikur donte që të justifikonte këtë herë, prezencën e tij të papritur aty mes tyre
Lukia, nuk donte që të tjerët të kuptonin të fshehtën e vendosur disa vjet më parë, midis tij e Zanës, pak kohë më pas kur mbriti në Gjermani. Tentoi të shkëputej nga kushëriri. Shkoi pranë gruas që vazhdonte të qante përmbys me dënesë.
- Braçe, po u drejtohem përsëri, të lutem . Më le për një çast vetëm me Zanën.
- O-o-ou-u-u. Do të keni kohë për në krevat. Atje diskutoni e nxirni mallin për njeri tjetrin. Luke, po të pret pronaria. Dhe nuk është mirë kështu siç bëni ju.
Në zërin e Braçes dallohej lehtë një dozë humori, që me sa dukej e bënte për të nxjerrë çiftin nga ajo gjendje, të cilën e shprehte vetëm me një, "nuk është mirë"
- Hajde kokë. Ç'farë flas unë, e ku e ke hallin ti. - tha Lukia që kishte filluar të ndronte edhe tonin. - Ngrihu moj, mjaft qave. Mirë e ka Braçia. Nuk është momenti tani për lotë e psherëtima. Të kanë ardhur gjithë ata njerëz.
Braçia që dukej sheshit që i u bë qejfi nga fjalët e kushuririt rrefugjat, i hodhi dorën në qafë atij, e tha i lumtur
- Kam thënë unë. Je king fare.
Tjetri doli dhe mbylli derën. Dhoma dukej e ftohtë dhe e lagësht si lotët e një gruaje të ve. Zana vazhdonte që të dëneste, e herë pas herë në ndonjë çast, bënte ofshama gruaje, që të këpusnin shpirtin. Heshtin fjalët në zgjim tingujsh.
- Mos bëj kështu – tha Luke Darzeza. Të kemi sjellë para sa të të mos të dhemb më koka. Çohu dhe rregulloi shtratin e gjumit asaj.
Pastaj, i ktheu supet Zanës pa e ditur në se, duhej që të hidhte hapin tashmë drejt derës. I pavendosur qendroi disa sekonda. Lukes i u dukën se ishin sa për shtatë vite të tërë.
-Jo, jo, kurrë. – klithi në çast gruaja dhe u ngrit në këmbë. Shtrëngonte fort dy grushta që dridheshin nga një konvulsion i brendshëm. Flokët i kishin zënë gjysmën e fytyrës, e vareshin poshtë si thekna të shpërfillura. - Nuk do ta bëj. Mos të të gënjejë mendja. Ti rregulloj shtratin një tjetre që të shkoj e të flej me burin tim, me babanë e kalamajve të mij?. Këtë nuk mund që ta bëj asnjë femër, dhe grua në botë. Deri këtu, jo. E papërballueshme. Shporre. Shporre po të them, shtrigën që të ka mbërthyer për gryke, e të mban peng. Nuk më duhen paratë e saj që mbajnë erë parfume shtretërish, ku fle me burra të grabitur, të cilët nga pas kanë një familje, fëmijë, e një jetë të tërë të lënë përgjysmë. Shporre… dhe ktheu tek fëmijtë e tu, tek mua, që më ke lënë këtu si një qyqe të vetme, pa ditur se si do të jetë e nesërmja. Për ca para të qelbura…të cilat nuk mund që të të mbushin zbazësinë, që të le mungesa e burrit. A e di se çdo të thotë kjo për një femër ?
Luke Darzeza u kthye tek Zana.
- Po ne e kishim bërë një marëveshje. Nuk mund që të qendroja atje pa asnjë dekument, ilegal dhe i paemërt. Bashkë kishim vendosur që një ditë kjo histori të mbaronte. At’here kur unë, të kisha marrë të drejtën e qendrimit dhe nënshtetësinë, dhe të kisha siguruar një të ardhme për të gjithë ju, të cilët u pres si dita që pret lindjen e diellit në agim. Ky ka qenë një sekret midis ne të dy, të cilin, ata atje, jasht kësaj dere nuk e dinë, dhe nuk kanë për ta mësuar, asnjëherë.
- Jo, kurrë, mos u bëftë. Shporre atë kuçkë gjermane, Shporre…Mos ta marr e ta hedh poshtë nga dritarje – ulëriu Zana, ndërsa qante me dënesë.
Lukia, nuk dinte se ç’të thoshte. Nuk ishte i gatshëm që të merrte asnjë vendim, atë çast. Shfryu duke lëshuar një vërshëllime të lehtë mes buzëve, si i besdisur nga ato që po dëgjonte nga shoqia e tij e jetës.
Ajo dridhej e lëkundej si një gjethe e zverdhur vjeshte përpara se të preke tokën. Luke Darzezës iu duk në çast se fytyra e saj u nxi si një thëngjill i pashuar mirë. Sytë të dalë vendi, të zmadhuar e kokërdhoke, rrotulloheshin duke ekspozuar të bardhën e tyre. Gruaja befas i u sul atij, e gishjtrinjtë e mbledhur ia vendosi në fytyrë. Pastaj i tërhoqi poshtë me nxitim, duke lënë me pas vraga të kuqe e të mavijosura, në të gjithë pamjen e saj. Burrit i u duk sikur i kaloi një vetëtimë përpara syve, që e verboi të gjithë. Lëshoi një « oh ! » dhe në çast u përkul nga dhimbja. I digjte gjithçkah. Mendoi se fytyra i u ndez flakë
Ndërkohë u hap dera, dhe aty u shfaqën përnjeherësh tre persona nga të tavolinës, dy kushurrinj e një prej grave të tyre
- Ç’keni ?- pyeti Braçe Feratozi.
- Pse bërtisni ? Gjithë bisedat tuaja dëgjohen tek ne. Gjermanka është e shqetësuar. Nuk po e mban më vendi. Të tjerët presin që të ktheheni, ashtu si burrë e grua qe jeni. Mallin mos e ktheni në ulërima.
Po Zana vazhdonte që të thërriste, e të lëshonte fjalë e rrokje të pakuptimta, duke lënguar e mallkuar fatin e saj të mbrapsht. Gruaja që posa hyri e kapi në kraharor. E mbërtheu, por Zana ishte kthyer si një bishë që nuk mund ta ndalje dot. I vendosi thojtë. Tjetra largoi për një çast fytyrën, edhe pse dukej e mbaruar tashmë puna, por nuk e lëshoi.
Luke Darzeza u drejtua, dhe të pranishmit panë që fytyra e tij ishte e tjetërsuar, e fryrë dhe me rremba gjaku. Nuk foli. U kthye nga dera në përpjekje për të dalë, por aty u gjendën menjëherë dy fëmijët e tij.
- Babi, - tha më i vogli dhe hapi krahët për ti u hedhur në qafë. Dukej se ngashërente dhe ishte gati që të shpërthente në vaj, por Lukia nuk reagoi. Beri sikur nuk e pa. E haroi. Dhe kaloi pragun me kokën të ulur, për të shkuar deri tek banjua. Donte që të mos e shikonin ata të tavolinës, por kjo nuk do të ndodhte ashtu.
Ulrika u ngrit nxitimthi, e shqeu sytë. Vuri gishtat e thojtë në gojë, dhe klithi duke lëshuar një thirrmë
- Luuuuuukkk
U dëgjua zhurma e një sendi që ra poshtë tavolinës, dhe një tingull që vibroi në atë hapsirë dhomë memece. Ishte kitara. Gruaja komshije përballë kitaristit vuri dorën mbi ballë. Një burrë nxitoi që të ndihte Ulrikën, e cila qendronte në këmbë si një pikëçuditëse, dhe e pafjalë, pas kësaj. Ajo u lëshua në duart e tjetrit si e zalisur. Dy karrike u rrëzuan njëherazi, pasi njerëzit që ishin ulur mbi to, u çuan shpejt. Brenda një minute e gjithë darka ishte kthyer në një kaos të vërtetë. Pas pak, Braçia nxori nga banja Luken që kishte lagur komplet kokën, me një peshqir të hedhur në supe, dhe që nuk kishte mundur që ta fshinte dot të tërë. Nga brenda dhomës vinte ende një ulurimë gruaje, që i kërkonte Zanës të « përmblidhte vehten », dhe se i kishte ardhur buri si, « një div e një yll i vërtetë »
- Po ç’bëhet këtu – tha kitaristi duke vënë dorën në ballë. - Eshtë koha për këngë. Të gëzohemi që të gjithë se ka ardhur trau i shtëpisë, shoku dhe miku ynë Luke, nga emigracioni, nga veriu i Europës .
U kuptua menjëherë që nuk ia kishte ngenë njeri këtij artisti, që qëndronte si një qiri në këmbë, në tavolinën e zbrazur nga darkëtarët.
Gjermankën nuk kishin vend ku ta vinin. Karikja e saj ishte rrëzuar përmbys mbi dy karriket e tjera. Në momentin që e pa Luken, tentoi që të rringrihej sërish, por nuk e mbajtën këmbët. U dorëzua komplet në krahët e njeriut që e mbante nga pas, ashtu gjysëm e shtrirë. Bëri ncq-ncq-ncq e dha ulërimën në gjuhën e saj
- Çna gjeti-i-i…Mos i duhen para? I thuaj motrës që i kemi sjellë dhjetëmijë marka dhuratë, por edhe se do, ti a rrisim kuotën mujore, deri në njëmijë e pesëqind. Të mos i dhemb më koka. Të mos e ndjejë as mungesën e burrit të vdekur.
Braçe Feratozi që nuk e kuptoi aspak se ç’tha pronaria e Lukes, i tha kushuririt :
- Bëj detyrën e burrit. Qetëso gruan, por edhe këtë gjermankën që bën si një sorrë e lagur. Eja që të mblidhemi që të gjithë në tryezë.
Pastaj Feratozi u nis drejt tavolinës, e cila ishte e zbrazët nga të ftuarit, dhe pjatat ende të tejmbushura me asortimentet e një pritje malli
Po kur u mendua se gjithçkah do të normalizohej, e darka do të rrifillonte pikërisht aty ku kishte ngecur disa çaste më parë, në derën e dhomës u shfaq Zana. Dukej e plakur, e hequr, dhe e shprishur brenda pak minutash. Ishte transformuar në një bishë të vërtetë. Të tjerët që ishin në dhomë ngrinë. Ashtu siç ishin. Nuk lëvizën veçse kthyen kokat andej nga ishte shfaqur ajo. Pa mundur që të shprehnin asgjë. Luke Darëzeza ishte midis derës dhe tavolinës. I heshtur e me kokë të ulur, sikur kërkonte që të fshihte pikërisht fytyrën e përçudnuar, e të gërvishtur si me thonj maceje, ku dalloheshin qartë hematoma e rrëkeza gjaku gjysëm të shplara.
- Grifshë. Fare e keqe. Ngriu e dil nga jeta ime. Mos ma shkatërro atë. Shporru nga vatra e fëmijve të mij, të cilët nuk mund që ti joshësh e gënjesh dot. As edhe me para. Shporru përpara se të të mbys me këto thonjë e duar të pafajshme. Larg nga kjo shtëpi. Larg…
- Zana, moj motër, qetësohu – tha sërish gruaja e Braçes në gjermanisht.
Tjetra i hodhi sytë e ato i u duken gri, e pa nuancë jete, si të një magjistrice të vërtetë. Por Ulrika që qendronte vetë në këmbë, tani shtrembëroi fytyrën si për të thënë se “Nuk po të marr vesh se ç’far flet “. U duk se në çast ra një heshtje , por në fakt ishte e gënjeshtërt. Zana u duk se u sul përpara po Braçia e ndaloi në momentin e fundit. E kapi për krahësh dhe e shtrëngoi fort.
- Shporruuuuuuuu që taniiiiiiiiiiii. Ç’pret. Jashtë – tregoi derën e zonja e shtëpisë. Djali i vogël që i u afrua menjëherë nënës së tij, mblodhi shuk letrën që vizatonte një çast më parë, dhe e hodhi me zemerim drejt gjermankës, pa thënë dot asnjë fjalë.
- Eja ! – tha gjermanisht që atje tej Lukia, duke i u drejtuar Ulrikë Fon Setman, dhe shkoi që ta marrë. I largoi kariken nga pas dhe e tërhoqi drejt vetes. Asnjë nuk foli. Asnjë nuk reagoi. Madje edhe Zana që qante nën zë duke mallkuar fatin e saj.
Në heshtje Luk Darzeza e Ulrika dolën në koridor. Veshën palltot të varura në portmonto. Dhoma ishte tashmë si një skenë e ngrirë në celuloid ku nuk ndjehej lëvizja.
- I thuaj Braçe, atij që ka braktisur shtëpinë, ta lejë zuskën jasht e të kthehet tek fëmijët e tij.
- Ajo është e huaj. Duhet që ta çoj në një hotel. Eshtë grua, nuk mund që të lihet jasht fillikat. – tha tjetri e ngriti supet pa ditur se ç’mund që të bënte më
Lukia kishte dalë me gjermankën në obor, përpara pallatit. Binte një borë gjysëm e shkrirë. Kitaristi si të ishte zgjuar në çast, u duk sikur u shkund. U kthye nga Zana dhe Braçe Feratozi, e tha :
- Po dal. Do ti shoqëroj deri në një hotel këtu afër. Nuk duhen lënë vetëm.
Asnjë nuk foli. Asnje nuk i tha në se ishte mirë apo i keq ky veprim i menjëhershëm. Tjetri doli ne koridor dhe rrëmbeu paldesyne gri, e lëvizi portën e daljes që ishte e pambyllur.
Pas kësaj gratë që ishin aty ngritën tavolinën e pangrënë. Rregulluan e sistemuan shpejt dhomën, ndërsa Zana qendronte gjysëm e zalisur mbi një kolltuk të dalë boje, aty në këndin e djathtë, pa komunikuar me njeri
- Ku iku babai? – pyeti djali i madh. Por atij nuk i dha përgjigje njeri.
I vogli në çast filloi që të qajë
- Unë e dua babain. E kam xhan. Ai është babi im
I qetësuan. U thanë se babai i tyre do të kthehej shpejt, që atë natë. Do të flinte me ta, e të gjithë do të shuanin mallin e gjatë të emigracionit. Ai nuk do tu mungonte më mes tyre. Ky argument i bëri të vegjëlit të besonin e të prisnin deri në mëngjez, kthimin e Luke Darzezës në gjirin e familjes.
Braçia dhe e shoqia atë natë e kaluan aty. Asnjë nuk vuri gjumë në sy. As edhe të vegjlit. Zana nuk lëvizi nga kolltuku. E shpërfytyruar, ngashërente herë pas here, sikur donte që ti mbushte mëndjen vetes se tashmë e keqia kishte kaluar. Shpresonte në një kthim të normalitetit familjar…duke mallkuar gjermankën, e cila do të kishte ditën e çastet e fundit të atij pengu, që i kishte bërë babait të fëmijve të saj
Pritja zgjati deri aty nga ora nëntë e mëngjezit. Pritej që të vinte Lukia.
Por ai nuk po jepte asnjë shenjë jete. Braçia doli e mori mikrobuzin e tij, e u fut në rrugën e ngushtë të lagjes, bri pallateve me tulla silikate të ndërtuara që nga fundi i viteve 60 te.
Kur shkuan me kitaristin në hotelin që i kishte sistemuar mbrëmë, mësuan se gjermanka dhe Lukia, kishin dalë ende pa gdhirë në sheshin e mikrobuzëve që bënin rrugën e kryeqytetit
- Lukia mbrëmë nuk ma zuri në gojë këtë largim të menjëhershëm – tha njeriu që i kishte shoqëruar në mesnatë, - por ai medeomos që sot duhet që ta ketë përcjellë Ulrikën për në Rinas, dhe do ti duhet që të kthehet. Nuk mund që të rrije gjithë jetën në emigracion. Eshtë e kuptueshme kjo. Ta haj dreqi, të vjen pak ligsht se si ndodhi ajo me Zanën. Një depresion i akumuluar dhe që shpërtheu nga dashuria për të shoqin, e mungesa shumë e gjatë e tij në familje. Eshtë grua e urtë, por ja që malli i patreguar të tret e të shkatëron plotësisht, duke të çuar në një disekujlibër të vërtetë mendor. Qofshin me aq.
Por Braçe Feratozi vendosi në çast.
- Do të shkoj ta gjej e ta marr në Rinas.
Fiku cigaren me këpucë mbi asfalt dhe hypi në makinën e tij. Të 70 kilometrat deri atje, i bëri sikur jetonte tjetër botë. Sillte dhe rrisillte ndër mend skenat e mbrëmshme, dhe i dukeshin krejtësisht të pakuptimta. Pa asnjë shkak. I vinte keq që ishte fyer pronaria e kushiririt të tij. Kur i solli i u duk fisnike. I kishte dalë në krah Zanës për ta qetësuar, sepse e kuptonte gjendjen e rënduar psikologjike të saj, pas asaj mungese të gjatë të Lukës.
Kur erdhi pranë aerodromit ishte pothuajse mesditë. Nga larg mbi qiell dalloi konturet e një avioni që dukej si një zog migracioni, dhe që mori kursin për në veri të kryeqytetit. Zbriti poshtë dhe shkoi të kontrollonte dy a tre lokalet e baret përreth, se mos ishin në pritje aty. Nuk kishte shumë njerëz e udhëtarë në atë orë, pastaj mori drejt portalit të një godine të sheshtë. Në një pemë të zhveshur dalloi një gjethe të zverdhur vjeshte që luante me dimrin. Në zyrën e informacionit i thanë se Lukia e gjermania, sapo kishin fluturuar me linjën drejt Frankfurtit. Sipas tyre, për pasagjerët kishte qenë një kthim i shpejtë, e i detyruar.
Braçe Feratozi doli jashtë i pafjalë, e me një pezm në zemër. Tentoi të ndezë cigaren, por ajo nuk mori zjarr. Hodhi me inat poshtë në asfalt fijen e djegur.
- Si iku ky njeri, e la fëmijë, grua, shtëpi, e katandi ? pyeti veten.
Pështyu pastaj cigaren, si diçka të padëshërueshme, dhe pa asnjë vlerë. E mblodhi brenda pëllëmbës së tij për ta hedhur tek koshi i plehrave, dhe bëri instiktivisht një hap. Qëndroi një çast dhe hodhi vështrimin lart. Iu duk se qielli kishte mbetur si një pikturë e papërfunduar

Paris: Mars 2010

1 comment:

  1. Všechna uznání patří tomuto úžasnému sběrateli kouzel, který si zaslouží emulaci, a také Katherine, mé nejlepší kamarádce. Egwaliho, který představil můj drahý přítel v okamžiku, kdy jsme si všichni mysleli, že se to stalo, se stalo opakem. Věřte mi, že jsem nevěřil kvůli mému odlišnému setkání s řadou čarodějů a webových stránek, to vše, aby se můj půvabný manžel na pohled vrátil ke mně, nepochybně mějte na paměti, že musí existovat spolehlivé místo, pak přišla kath s článkem doktora Egwaliho a po přímluvu u lékaře bylo kouzlo a byla to pro mě a děti úplně nová taška lásky. Dnes jsme se od té doby znovu oženili a žijeme krásně a teď jsem opravdu opravdový věřící, děkuji ještě jednou Dr. Nebuďte rezervovaní, vaše také může být výjimkou..Jedná se o jeho kontakty pro každý případ.Whatsapp: +2348122948392 / Mail: dregwalispellbinder@gmail.com

    ReplyDelete