Sunday, 29 May 2011

Cerriku i Kin Dushit

Cërriku i Kin Dushit



Njeriu që ishte përtej në trotuarin përballë kinemasë së qytetit, qëndroi për një çast dhe ktheu vështrimin këndej nga ne. Pashë rrezëllimin e xhamave të syzeve të tij e refleksionin e dritës që hodhën ato atë mëngjez të së dielës
- Eshtë ai, shkrimtari, që e kanë sjellë në Cërrik - tha Meti i gjate që po na tregonte historinë e romanit "Lenko" që posa kishte lexuar ato ditë.
-Kush, kush? - pyeti Din Daiu, që i mbante flokët gjithmonë të rrezuara, mbi ballë.
Altopolanti po transmetonte "Radio-Postën" e muzika në shesh kishte sjellë një "rumbo" të Agim Prodanit. Njeriu që më tregoi Meti, kishte veshur një xhaketë të zezë dopiopetë e një palë pantallona gri. Dukej se sodiste gjithëçkah. Madje në lëvizjet e tij ishte më shumë se sa kurioz kur kontrollonte me vështrim gjithë sheshin, dhe pastaj rrugën përtej, në fund të lulishtes e cila të çonte për në Elbasan. Mbante një pale syza miopësh, e me sa duket, kishte shumë probleme me sytë. Këtë do të ma thonte vetë disa kohë më vonë, kur bisedonim si dy miq të vjetër,në një cep kalldrëmi të pazarit të Elbasanit, kur sapo kishte dalë nga burgu.
Kisha lexuar librin e tij "Një emër në mes të yjeve", dhe natyrisht për atë moshë që isha atëhere, nuk mund që ta mendoja e ta shijoja, të paktën edhe si lexues. Ndonëse, letërsia më dukej se më kishte marrë për dore e për të më çuar në portat e zemrës së saj. Fshehurazi, hidhja ndonjë varg që i kushtohej në heshtje ndonjë vajze çapkëne të klasës sime, por edhe të një tjetre, dy vite më poshtë, që kishte sytë jeshile, si të bajames se pa bërë. Muzika ishte tjetër gjë. Me kishte rrëmbyer të tërrin, si një dashnor i përvëluar, kur luaja në bateri me orkestrën e shtëpisë së kulturës së qytetit.
E ndoqa për një çast, ndërsa ecte qetësisht si i humbur në atë mjedis. Ishte si i hutuar. Ne një moment, u hapi udhën në trotuar dy fëmijve, që vraponin me zhurmë pas njeri tjetrit.I ndoqi me sy, e pastaj, vuri buzën në gaz si i zënë në faj. Isha ndarë me Metin dhe Dinin duke u thënë se kisha provat lart në sallën e klubit, dhe ata, e kishin besuar. I pështetur pas një prej kollonave të saj, dukesha sikur prisja dikë aty, ndiqia shkrimtarin. Pas Dhimitër Shuteriqit, Tonin Milotit e një tjetër shkrimtar ushtarak që na i kishte sjellë në shkollë, mësues Hyjniu, nuk kisha parë e njohur shkrimtarë të tjerë, ndonëse nuk lija libër pa lexuar, nga ato për fëmijë, por edhe për të rrinj që botoheshin atëhere.
Kin Dushi mori kthesën, dhe u nis drejt e nga posta e qytetit. "Me siguri që do të flasë në telefon " mendova. Dhe vërtetë, që ai pas pak, ngjiti shkallët qetësisht dhe u fut në postë. Por atje u vonua, dhe unë, nuk mund që të prisja për ta parë nga afër, ndonëse më tundonte dëshira .Ne fakt, më erdhi turp që të shkoja deri atje, dhe preferova që të kërkoja ndonjë shok tjetër, në atë shesh që ishte si i boshatisur. Mbase u pendova për gënjeshtrën që i thashë Dinit dhe Metit, me të cilët ishim në një lagje. Një pjesë e mirë e qytetit, kryesisht nga puntorët që punonin në rafinerinë e naftës, ishin në një punë vullnetare, për të mirëmbajtur ambjentin e jashtëm të uzinës. Sidoqoftë, ky çast, më mbeti në kujtesë si diçka e veçantë, në jetën e atij qyteti të vogël, që dukej si një kamp i mundimshëm punë. Por edhe njohja e parë, me njeriun që do ti ndiqia më pas, trajektoren e tij të trishtua, drejt rënies. Do të njihja mirë mekanizmin, që e çoi atë në humnerë, njerëzit që e gjurmonin, por edhe ata...kolegët, që i a kishin shitur shpirtin djallit, të cilët ndihmuan hetuesit e shkruan pastaj, pretencën e një prokurori, që në çdo tre fjalë, përdorte "Partia dhe shoku Enver".


* * *


Herën e dytë, e takova në një prej sallave të Shtëpisë së Kulturës, në katin e dytë. Ishte mes disa amatorëve të grupeve artistike. I kishin vënë karriket përballë njeri tjetrit, e vazhdonin të flisnin, e diskutonin gjatë. Zura vend pas derës. Kuptova që Kini po fliste për një njeri, që me sa dukej, e njihte shumë mirë, dhe që u a kishte propozuar më parë, për regjinë e një numri të ri estrade, me të cilën cërrikasit, do të konkuronin së shpejti në një aktivitet kombëtar
- Të jeni të sigurtë, që fjalën time Fehmiu, nuk do ta bëj dysh. Jemi miq prej shumë vitesh, atje në Tiranë. Ka ide, dhe kjo, është e rëndësishme. Ta sjellim njëherë. Por, edhe ju duhet që të punoni në linjë partie. Jeni qytet puntorësh.
Kini fliste shkurt. Ishte mbështetur në karrike e duart herë pas here i vendoste mbi gjunj. Kishte veshur sërrish xhaketën e zezë dhe pantallonat gri. Këtë herë i a dallova mirë edhe fytyrën. Pak e zgjatur, e me një mjekër, që nuk rrumbullakohej aty në fund.
Pas tetë a nëntë ditëve, mbriti edhe Fehmi Hashafi, që më vonë realizoi filmin « Kapedani ». Ishin bashkë me Kinin kur na mblodhën në sallën e sipërme të shtëpisë së kulturës se qytetit…Materialin letrar e kishte marrë përsipër vetë shkrimtari. Kur zu e erdhi nata të dy të sapoardhurit nga Tirana shkuan në të vetmin restorant të qytetit që kishte sipër një hotel. Aty punonte një invalid me kollonën të përthyer si një kosore. Ky i priti dhe i shoqëroi pastaj pas darke, përpara se Fehimi të pushonte në një prej dhomave të këtij hoteli, në katin e dytë. Dukej që Kini kishte zënë shoqëri me hotelxhiun, pasi fliste me të dhe bënte shaka si me një të afërm. I pashë nën një dritë të zbehtë llambe që ishte vendosur mbi një shtylle të drunjtë dhe që mezi ndiçonte dhjetë metro katrore. U përkula mbi parvazin e ballkonit tim që nuk ishte më shume se njëqind hapa larg nga hoteli që mbante emrin « Shkumbini ». Tre burrat ishin të vetëm në atë lakuriqsi rrugë e cila nga ne konsiderohej si « bulevardi i qytetit ». Qeshnin e bënin shaka e gazi i tyre vinte deri tek unë.
Cërriku asaj kohe mbyllej shpejt në shtëpi. Qytet puntorësh ku shumica punonin me tre turne në rafinerinë e naftës. I krijuar në mezin e viteve 50 të, at’here kur hodhi shtat edhe uzina e vetme në këtë pellg të fushës së Shkumbinit, nuk numëronte më shumë se katërmijë banorë, së bashku me fermën dhe SMT në, një lagje e vogël që zinte fill në të dalë të rrugës që të çon në Gramsh. Kini kishte ardhur si i dërguari special i revistës « Ylli ». Shkaku ka qenë krejt tjetër. Mund që ta lexonte vetëm ndonjë i vemendshëm. Edhe pse nuk u bë i ditur asnjëherë aty mes nesh ai, nuk munguan edhe thashethemet që qarkullonin nën zë.. « E kanë kapur nudo, krejt lakuriq, së bashku me disa artistë të tjerë në një orgji shtëpie miku ». Kështu me tha një xhuxh thatim që punonte si përgjegjes turni në uzinë. Komunist. E kisha komshi, dy pallate më tej. Mbante gjithmonë nga një libër në sqetull. Lexonte shumë. Kjo ishte edhe ajo që na bashkonte të dy. Shkëmbenim libra. « E kush të tha ty – më pyeti Hamza Nuredini, fizarmoniçisti i estradës që ishte edhe banori i të njëjtit pallat me mua, kur i thashë me naivitetin e një djali të pa rritur mirë, në një dite provash për premierën e re. -Ik e fshij prapanicën me atë burrë. Spiuni i m…
Me donte dhe më rrespektonte Hamzai që ishte shëngjinas nga Lezha. I duhesha si baterist në orkestër, por Kinin e çmonte shumë. E donte si vëlla. Deri në fund rinin që të dy në sallën e shfaqieve. Kini si zakonisht në karrike i ulur diku nga rradha 5 a 6. Ndiqte provat. Priste sa të mbaronim deri vonë, afër mesnatës. Fehimi kalonte sa në njerën anë të skenës në tjetrën. Kontrollonte batutat. Kur ndërhynte Kini, që ndjente se i a kishin « hëngër » fjalët e skeçit, rregjizori lëshonte zërin si të basit, « stop ». Kur mbaronte gjithëçkah, vinte i heshtur e drejt e në skenë Kini.
-Hamza, na merr ndonje gjë.
Tjetri vendoste qetësisht rrypat e fizarmonikës dhe pastaj ngrinte supin e djathtë. Një mbrëmje fizarmoniçisti qëndroi për një çast i heshtur me dorën sipër tastierave në mëdyshje për të vendosur. Pastaj lëshoi zërin e tij të pjekur si të një tenori profesionist. Ca fjalë të huaj që u rrokullisën pas një hapje të beftë të kacekur, dhe më pas melodia. Munda që të kuptoj vetëm dy fjalë, « …kapidan Nikolla… ». Hamzai vazhdoi që ta këndojë dhe ta ndjeje këngën sllave deri në momentin që mbylli përgjithmonë kacekun e veglës. Kini e kishte ndjekur i heshtur. Fehimi kishte bërë tre hapa pas dhe pastaj kishte zbritur nga skena. Si pa kuptuar. Në një çast të vetëm ra një heshtje. Asnjë nuk tha një fjalë.
-Kam qenë në kampin e Prishtinës, kur e kam dëgjuar për të parën herë këtë këngë. Duhej që të ishte ndonjë i burgosur maqedonas si dhe ne, që priste pushkatimin. Këndonte jashtë kapanonit tonë, në muzg. Unë u ngjita në dritare por nuk e dallova dot. Këngë trimërie dhe malli, por edhe dashurie në atë gjuhë. Një çast më pas mbritën rojet. Gjermanët ja mbyllën gojën. E rahën barbarisht. Ne këndej dëgjonim fshikullin e kërbaçit që zinte në mish. Kaput, kaput thërriste dikush në atë gjuhë. Pastaj ra heshtja. U dëgjua një klithmë « Ah, majko… » i thërriste nënës djaloshi këngëtar. Tre ditë më vonë filloi ekzekutimi, ai që mbeti në histori si pushkatimi i 104 – ve. E tmershme…
Kini heshti për një çast dhe pastaj vendosi pëllëmbën e dorës së majtë mbi ballin e dalë, sipër syzeve që ishin të trasha, për një miop si ai. Përtej, sytë e vegjël gri të poetit, u mbyllen. Mbase për të ruajtur brenda tyre ato skena të tmershme lufte. I a kishin vrarë shokët një e nga një. I a merrnin në një kazermë ku i kishin mbyllur pas një numërimi kokë më kokë. Thuhej se ishte për hakmarje, por asnjëherë nuk u mësua e vërteta. Kështu tha Kin Dushi të nesërmen kur na e ritregoi atë ngjarje. Ishim një grup prej 6- a 7 personash në sallën e bibliotekës. Ne të orkestrës, pasi aktorët vazhdonin provat e lodhshme përsëri me Fehmiun, poshtë në skenë. Hamzai, si gjithnjë ishte njeriu kyç që ç’bironte shkrimtarin, që kishte qenë gati pionier në luftën për çlirim
Mua më mbeti në mëndje. Sidomos skena kur një partizanes i kishin grisur këmishën dhe pastaj kishin thirur një prej të burgosurve që të vazhdonte më tej. Argëtoheshin disa ushtarë të rrinj. Madje edhe qeshnin.
Kohë lufte…


* * *


Një muaj më vonë ne pamë qytetin në revistë. « Ylli « kishte në kopertinë portretin e Petrit. Besimit, një prej naftëtarëve më të dalluar të uzinës. Reportazhi ishte në disa faqe. Ishte edhe Cërriku aty, me të vetmen rrugë që e përshkonte mes për mes. Njerëz e pemë pranë lulishtes në qendër. Disa ditë më parë kishte mbritur edhe një fotoreporter i « Yllit » që kishte bërë shumë shkrepje të aparatit nëpër qytet. Nga pas e kishin ndjekur të vegjëlit. Më kujtoheshin që të gjitha këto skena ndërsa dilja nga shkolla me shokët e shoqet e mij të klasës. Kohë drekë. Në trotuar nga larg qëndronte hotelxhiu. Dukej i shkujdesur, pa e patur mëndjen aty. Kini mungonte. Me pas thanë se « do të qëndronte disa ditë në Tiranë » dhe ashtu ndodhi.
Hamza Nuredini, tha ; Po ka nevojë njeriu xhanëm. Ka shtëpi e katandi atje. Hoteli nuk mund që ti a zëvëndsojë.
Botimi ishte ngjarje për një qytet si Cërriku ynë. Të gjithë flisnin për personazhet e reportazhit. Myfit Shehu, një tjetër i fotografuar dhe personazh i revistës ishte thirrur një ditë më parë në një takim me nxënës të klasës së pestë të shkollës tetëvjeçare « 8 Nentori »
- Po mban vlagë – tha Din Daiu, shoku im i klasës, që ishte një elbasanlli puro. – Na nderoi shkrimtari. Eshtë penë e fortë. I bëri personazhet si njerëzit më të rrëndësishëm të kësaj bote – pastaj u kthye nga unë sikur të ishte kujtuar për diçka të haruar. – E di ti që unë në shtëpi kam disa libra të vjetër të Kini Dushit?
Mbasdite u gjenda tek Dini. Një pallat më poshtë. Jetonte vertëm me nënë, Ferijen, mamija e qytetit, së bëshku me Përparimin të vëllanë dy vjet më të madh, pa baba. Thonë se kur Dini ishte vetëm një vjeç, babai ishte arratisur. Kishte qenë oficer. Nuk dihej asgjë më për të, por familja trajtohej me kleçkë e me ftohmë. Mbante mbiemrin e vajzërisë së nënës.
Në dy arka kartoni gjetëm plot tre libra. Ishin botime te viteve 50 të. « Udha e Velanit », pastaj një libër me tregime humoristike që kishte një kapak të verdhë e një karrikaturë te një njëriu mëndjemadh. I treti nuk kishte kapak. I grisur e me një fletë ku dallohej emri Kin Dushi. Nuk e mësuam asnjëherë titullin e tij. I pastruam nga pluhuri. Dini më tha se i kishin blerë në Gramsh kur ishin me banim para disa vjetësh si të internuar. Lexonte Ferija që kishte studiuar në Itali përgjatë kohës së luftës. Ishte nga një familje me tradita në Elbasan
Mendova që t’i a them e ti tregoja Kinit, sapo të vinte përsëri në Cërrik. Doja të dukesha se e kisha lexuar gjithë krijimtarinë e tij. I këtij mendimi ishte edhe Hajredin Daiu. Por ai kërkoi këtë herë që të fliste edhe me shkrimtarin. Ashtu vendosëm. Menjëherë i u futëm leximeve. Velanin e mora unë. Të tjerat kur të dorëzoja atë. Dini filloi me ato që i mbetën. Për dhjetë ditë i mbaruam. Por Kini nuk po dukej në qytet. Ishte mungesë e gjatë për ne.
Kur menduam se ai nuk do të vinte më në Cerrik, Meti i hollë dhe i gjatë që banonte tek pallati 24, na tha se e kishte parë Kinin përsëri në bibliotekë. Të nesërmen ne ishim përballë, në trotuarin përpara hotelit. Kërkonte hotelxhiun. Me atë kalonte kohën. Unë i u afrova. Doja që ti flisja për librat e tij që kisha lexuar me Dinin, por në çast u pendova. Nuk mund që ta tradhëtoja shokun tim. Kishim dhënë një fjalë. Zbrita nga trotuari e bëra që të ndroj rrugë. Sikur doja që të shkoja nga Mapua. E vura re që më pa. Madje vuri buzn në gaz dhe më përshëndeti me kokë. Ai më njihte tani…


* * *


Biblitekaria na tha; Kini do të bëj një film për Cërrikun. Do të shkruante skenarin. Ishte pëlqyer shumë reportazhi tek « Ylli ». Edhe ata të udhëheqies e kishin uruar. Ne që ishim në sallë nuk na mbante më gëzimi. Mora « Tom Sojerin që e kisha lexuar më parë dhe fluturova drej e para pallatit të Dinit, që ishte disa metro larg atij që banoja unë. I fola nga dritaria e banjos, se shtëpinë në katin e parë e kish, por ai nuk më dëgjoi. Mbase nuk ishte brenda. Nënë Feria gjithë ditën në maternitet rrinte, njëqind metër më poshtë. Kishte shumë lindje atë kohë. Vinin edhe nga fshatrat përreth
Dola përsëri. Në xhep mbaja edhe një vjershë që kisha shkruajtur ato ditë. I a kushtoja nënave. Meti e kishte pëlqyer, por unë nuk i thashtë të fshehtën time. Doja që t’i a tregoja shkrimtarit, Kinit dhe jo mësuesit tim të letërsisë, Hyjniut. Në shkollë atë kohë na kishte ardhur edhe një poet tjetë, Musai, por ai jepte mësim në shtatëvjeçare. Vinte dhe zhdukej si era në qytet, pa komunikuar me njeri. As edhe me Kinin. Kështu mendoja une, pasi sa zbriste nga autobuzi i linjës që e sillte nga Elbasani, vrapin e mbante në shkollë, tek godina e gjimnazit. Dhe anasjelltas kështu bënte. Ishte shumë i ri dhe aso kohe sapo kishte nxjerre edhe një libër me vjersha, « Ne njezet vjeçaret ». Do ta lexoja më vonë librin e tij dhe do të më rrëmbente.
Kini ishte ulur në lulishte me hotelxhiun. Me ta ishte edhe kuzhinjeri. Rallë e shihnim këtë njeri në qytet. Mbahej se lexonte, po unë nuk e kisha parë asnjëherë në bibliotekën e qytetit, që më ishte bërë si shtëpi e dytë. Ishte tridhjetvjeçar nga Elbasani, por në pamjen e parë nuk tregonte për aq.. Dukej se të tre ishin lidhur në miqësi. Gjithë pasditen u solla aty rrotull në pritje që të lëviznin nga vëndi të tre. Mendoja se do ta prishnin muhabetin shumë shpejt e secili do të shkonte në punën e vet. Po vinte darka dhe unë i kisha lënë pas dore mësimet për të nesërmen. Guzhinjeri duhej që të ishte në kuzhinë ato çaste, për të përgatitur darkën në restorant, por ata si për inatin tim ende nuk po lëviznin nga stoli.
Kur mendova se nuk do te behej më gjë, i pari e prishi vërtet kuzhinjeri. Ai i ra përmes lulishtes e u fut pas mapos për të dalë tek hoteli. Edhe hotelxhiu u ngrit pas disa çastesh. I dhanë dorën njëri tjetrit dhe u ndanë. Ky shkruante ndonjë gjë atë kohë tek revista, « Hosteni », por unë nuk besoja tek talenti i tij. Duhej që t’i a rregullonin ata të redaksisë. Vazhdonte të mesmen në shkollën e natës. Ishte në klasë me Hekuranin, shef reparti në uzine, e që më vonë u bë edhe antar i byrosë politike. Kini ecte qetësish. Mori rrugën për nga PTT- ja e qytetit. Me siguri që do te fliste me shtëpinë. Kështu bënte disa herë në jave. E ndoqa nga pas.. Në heshtje dhe paralel nga rruga e dyqaneve. Vendosa që ta pres kur të dilte nga posta. Ashtu bëra. Zura një cep për të mos rënë në sy nga kalimtarët e paktë që nxitonin për në shtëpi dhe në gjysmen e hijes së një llambe rruge që nuk ndriçonte mirë, m’u duk vehtja si guerilas i vërtetë
- Shoku Kin – i thashë me një gjysëm zëri dhe ndjeva që fraza më mbeti brenda në grykë.
Nuk më dëgjoi. As edhe më pa. Zbriti qetësisht shkallët e jashtme të godinës e u gjet menjëherë në shesh, para se të futej në asfalt.
I fola prap
- Shoku Kin, a ka mundësi ?-
Qëndroi në çast. Kthehu kokën e u afrua për të me dalluar më mirë. Pashë syzet e tij të trasha optike dhe heshta. Harova se ç’duhej që ti thosha.
- Ouu, poeti – tha ai gazmor dhe qeshi si i pafajshëm
E humba fare. U hutova. Nuk dija tani nga ta filloja. Ku e kishte marrë vesh ai të fshehtën time ? Që unë shkruaja vjersha pak veta e dinin, dhe njerezit e familjes sime.
- Më ka thënë, Poli, bibliotekarja për ty – tha sërrish shkrimtari buzagaz. Ajo ishte shoqe me ime ëmë dhe vinte në fundjavë tek ne për të pirë kafe. Ishim në një lagje. Katër numra pallatesh diferencë.
Nuk dija se si të bëja. Ta nxirrja apo mos t’a nxirrja fletën, ku ishte shkruar poezia e fundit, dhe që unë e konsideroja si kryeveprën time në ato çaste.
- Po nuk jemi ulur anjëherë bashkë. Jetojmë në një qytet dhe të mos flasim për krijimtarinë tonë ? Hë si thua ti, shkon kjo ?
Qeshi me gjithë zemër.
Në çast u ndjeva i ç’armatosur krejtësisht. Vendimin e mora menjëherë. Të mos e nxjerr poezinë. U ndjeva i turpëruar dhe i pafjalë
- Takohemi neser ? – pyeti Kini, - pasi sot vajti vonë. E lemë kështu ?
Pohova me kokë dhe kuptova se fjala më mbeti në grykë sërrish. E ç’mund që ti thosha tjetër shkrimtarit Kin Dushi ?


* * *



Gjithë atë natë nuk më zuri gjumi. Ashtu i pafjetur u nisa në shkollë. Pa mësuar lëndët e ditës. Sytë më ishin futur e fshehur në zgavra e mezi i hapja. Mësuesi i bioligjisë e vuri re, që në orën e tretë. Kisha dremitur në bangën-tavolinë dhe klasa kishte qeshur. Store.
- Shko në shtëpi – tha mësuesi qetësisht dhe ëmbëlsisht. – Qetësohu.
Me erdhi turp. Shoqia e bangës më shikonte me qesëndi.
Dini m’u bë krah
- Pse bëni kështu – i u drejtua klasës. - Njeriu ndodhet në një moment të tillë. Na ka ndodhur që të gjithëve. Mua po më duket sikur po e fyejme, Lekon
Kaq desha. U duka sikur u shkunda vërtetë nga literagjia ku kisha rënë. Nuk pranova që të shkoj në shtëpi. Isha vrarë në sedër. Po mësuesi nguli këmbë përsëri me dashuri. Ç’të bëja ?
U ngrita e dola në heshtje.
Nëna u bë merak, por unë e sigurova se përveç një dhimbje koke të lehtë, nuk kisha asgjë me rëndësi.
- Do të kap gripi. Ka kohën tani. Shtrihu dhe qetësohu një herë, pastaj, po të kesh gjë e bisedojmë edhe me doktor Xhevdetin.
U mbylla në dhomën ku flinim ne fëmija dhe gjumi më mori menjëherë në pushtetin e tij.
Kur u zgjova, kishte rënë mbrëmja mbi Cërrik, e qyteti si gjithë qytezat e asaj kohe, ishte zbrazur. Nuk mund që të lëvizja më. Më erdhi keq që nuk e kisha takuar atë mbasdite Kin Dushin. Ai më kishte lënë edhe takim. Do të mendonte se unë jam i pakorrekt. Po ku ta dinte ai ? Duhej që të me kishte kërkuar nëpër qytet. Njerëzve të shtëpisë nuk u thashë asgjë. E si mund që ta bëja këtë. Për ata mjaftonte që unë nuk kisha temperatyrë dhe se ndjehesha mirë, si njeri normal pa asnjë virus në trup.
- Dale, do të bëj ca petulla – tha e gëzuar ime ëmë.
Unë kisha zënë vënd në një kënd të kuzhinës, mbi minder, ku rinim zakonisht ne fëmija, sepse ai ambjent na shërbente edhe për të pritur të tjerët. Zakonisht, kur vinin si mysafirë a për kafe. Shoqet e nënës, por edhe shokët e babait, komshijtë.
Mendoja të nesërmen. Do ti kërkoja falje Kinit.
Këtë herë nuk do të isha memec më me të.



* * *


Të nesërmen Kini iku nga Cërriku. Krejt pa pritur. Kishte patur për të një telefon në komitetin e partisë. E kërkonte udhëheqia në Tiranë. Nuk dihej asgjë më tepër
Ma tha Hamza Nuredini sapo u mblodhëm për provat e numrit të ri të estradës. Me të parin kishim konkuruar në pallatin e kulturës së Maliqit në Korçë, në një festival estradash të klasës puntore, dhe kishim zënë vend të mirë, të dytë. Drejtuesi i institucionit, Gaqo Veshi, ai që njihej nëpërmjet pseudonimit Hyskë Borobojka, na kishte lavdëruar, por çmimin e kishte marrë për vete.
Regjizori ynë Fehim Hoshafi na kishte inkurajuar përsëri.
- Kanë favor dialektin ata – tha Miti Nito, një aktor që punonte si turbinist në TEC in e Cerrikut, i cili luante edhe fantazmën e kapitalizmit, si një skelet i vertete. Ky njeri më vone u bë edhe antar i komitetit qëndror dhe zbuloi grupin puçist në ushtri.
Jehona ishte shuar. Edhe qejfmbetjet tona ishin haruar.
Hamzai na kërkoi ne të orkestrës, që të mobilizoheshim përsëri. Filluam provat me Adile Agushin, një këngëtare me një zë magjik për ne. Punonte ne uzine si laborante. Vëllain e saj Gramozin e kisha shok klase. Ishin jetime dhe rinin tek motra më e madhe, Limja, e martuar me një furxhi. Fehimi i kishte premtuar për ta marrë në Tiranë, por ajo nuk kishte pranuar. Nuk mund që ta linte të vëllain vetëm. Por rregjizori kishte ngulur këmbë sërrish për asamblin e këngëve dhe të valleve, dhe përgjigja nuk ishte dhënë ende nga këngëtaria.
Erdhi dhe këndoi atë pasdite. Në repertorin e saj ishin këngët e Agim Prodanit, por edhe ato të Shqipërisë së mesme, që u jepte jetë Fitnete Rexha.
Kishte kaluar një javë dhe Kini nuk ishte dukur më në Cërrik. Unë që e kisha mëndjen aty, u bëra merak, ndjeva mallë. Kishim lënë një takim që nuk u realizua, dhe mezi prisja që ta shihja, një orë e më parë. Por ai erdhi, pikërisht atë ditë që unë kisha hedhur në një fletore të re disa vjersha për t’i a treguar në rastin më të parë. Dinit i kishte ikur dëshira e takimit. Ai më kishte thënë, se « atë njeri që e thërrasin në udhëheqie duhet që të kishte diçka ». Unë i kisha treguar për urgjencën e Kinit në Kryeqytet. Atë gjykim nuk duhej që ta kishte nga vehtja. Mbase e kishte diskutuar me Ferijen, nënën e tij, e cila kishte goxha eksperiencë në këto punë, kur të thërrasin në komitet….
Por unë nuk e kisha atë hall.
E pashë në buzë mbrëmje në bulevardin e qytetit. Ishte serrish me hotelxhiun që e ndiqte « cuq e cuq », si me hap breshke, i krrusur dhe me një gungë të dalë në krahun e djathtë të kurrizit, poshtë shpatullës, si kuazimondua i Hygoit. Ecte shtrember dhe këmbët mezi i hidhte. Isha me babain në ballkon. Më tregonte një histori fshati, andej nga Vlora, kur ishte i vogël. Zakonisht të mëdhejtë kanë qejf që ta kujtojnë fëmijërinë. Madje me nostalgji. Mbase për tu shkeputur një çast nga koha që përjetojnë, nga hallet dhe problemet që ndeshin në shoqëri, e ato të përditshmet.
Të nesërmen dola shpejt në shesh. E djela ishte zakonisht e qetë në Cerrik. Në mëngjez pak njerëz lëviznin në rrugë. Altopolanti shpërndante muzikë e dëgjohej kudo. Ishte ora e radiopostës. Mua më pëlqente ta dëgjoja aty në shesh. Takoja edhe ndonje shok që banonte larg lagjes sime, por atë ditë nuk gjeta asnjë nga moshatarët e mij. Kinin e dallova larg. Kaloi në trotuarin përbri lulishtes. Më pa. Qëndroi në një çast dhe ma bëri me dorë që të afrohesha. I a dallova që larg buzëqeshjen. Ashtu ishte ai. Gazmor dhe hokatar në jetë. Shkrurante dhe fliste me shume humor, si shkodran i vërtetë. Ndjeva se u emocionova së tepërmi. U ulëm në një nga stolat e lulishtes së qytetit. Por kjo kalo shpejt. Iku si me magji. Pas kësaj u ndjeva mirë. I lirshëm dhe i qetë…


* * *

Pasdite tek ime ëmë erdhi Polikseni, bibliotekaria e qytetit. Për kafen e zakonshme të së djelës që e pinin së bashku. Ishin vetëm. Kishte sjellë edhe të rejat e qytetit. Edhe për Kinin në Tiranë. Në fund i kishte qarë hallin sime mëje. Priste të hënën inventarin nga Bashkimet Profesionale, se andej varej kinoklubi i kulturës me bibliotekën. Ishte defiçit me libra. Ja kishin marrë një e nga një. Vetë pranonte se ishte e « pa kujdesshme ne punë ». Nënës sime i ra gjaku në fund të këmbëve për shoqen e filxhanit që i sillte të rejat e qytetit, pasi ajo vetë nuk dilte, po i pëlqente që ti dëgjonte. Sidomos nga një sjellëse e dorës së parë. Eshtë si një agjensi lajmesh, thoshte shpesh e qeshte si e zënë në faj, sa herë im ate e qesendiste duke e pyetur për shëndetin e saj
- Zgjidh në bibliotekën e tim biri. Merr ç’të duash – i th ime ëmë – sa ta kalosh kontrollin e pastaj ktheji, se djali është i marrosur pas tyre. I ka kapital. Veçse libra blen ai. Nuk më ardhur e përgatitur nxorri dy thasë dhe i mbushi dëng. Ç’zuri dora. Ngarkoi tre dhjetëvjeçar që luanin jashtë dhe i çoi drejt e në shtëpinë e saj që nuk ishte larg.
Të nesërmen pas drekës shkova në bibliotekën e qytetit. Si zakonisht, pa e ditur se gjysma e bibliotekës sime kishte përfunduar tek Poli. Nuk më kishte rënë në sy. Por edhe ajo heshti e nuk më foli për këtë. U tregua e përzëmërt.
- Kishe takuar, Kinin, atë shkrimtarin, dje ? Më thanë. Të kishin parë në lulishten e qytetit. Ti e ke lexuar romanin e tij të fundit « Një emër në mes të yjeve »
Pohova me kokë.
- Të tregoi se e kishte pritur kryeministri, vetë shoku Mehmet ? – më pa drejt e në sy, si një lozonjare e vërtetë.
Nuk dija se ç’ti thoja. Ne biseduam për letërsinë, për librat, për vjershat e mija që ai i lexoi me kujdes përpara meje, dhe pastaj « i analizoi » një për një. Natyrisht, që duke më dhënë vrejtje më shumë, e duke më përgëzuar me kujdes. Si me pikatore….
- Pse mor Kin, i kishte thënë shoku Mehmet i nxehur. Komunistët tanë gjatë luftës kanë qenë imoralë ? Na i ke futur edhe në dyshekun e njerëzve që i fshehnin me vajzat dhe nuset e shtepisë. A e kupton, që ke goditur moralin e luftës sonë ?. Dhe këtë e bën ti që ke qenë pjesë e asaj armate që çliroi Shqipërinë.- Jo shoku, Mehmet. Përkundrazi. Unë kam dashur që të jap pikërisht besan e komunistëve gjatë asaj lufte epope. Dhe këtë e kam bërë duke treguar një moral të fortë e të paepur të njerëzve tanë, edhe në ato rrethana. Kryeministri kishte tundur kokën e pastaj kishte qeshur. Eja të përqafojë. Ke bërë një libër të mrekullueshëm.
Bibliotekaria e tregonte sikur të kishte qenë vetë atje në atë takim
Dola jashtë e zbrita në shesh. Ndjeja se më dhimbte koka. Më dukej se qyteti zjente.. Vërtetë që në roman kishte një skenë ku një guerilas dhe komunist, ndiqej nga një patrullë në orët e para të mëngjezit. Ai hyri nga murri i një avllije në një shtëpi të thjeshtë tiranase, pa trokitur në në porte, për t’i shpëtuar ndjekjes. I zoti i shtëpisë që ishte një burrë mbi 60 vjeç, me xhaketë të hedhur krahve, kërkoi që ta fsheh guerilasin. Karabinierët që kuptuan se djaloshi hyri në atë shtëpi trokitën fort me qytat e armeve dhe duke bërtitur « Hapeni. Hapeni se do ta shqyejmë. ». Plaku ishte në mëdyshas.. Pastaj pa pritur i tha djaloshit që mbante nje revolver në dorë.
- A keni besë ju komunistat.
Tjetri pohoi
- At’here futu në krevat të nuses së djalit tim, pasi ai sot nuk është këtu. Në se do të pysin, do tu thauash se je im bir.
Kur mbitën karabinierët, kontrolluan gjithëçkah nëpër shtëpi. Erdhën edhe tek dera e dhomës, dhe pyetën.
- Kush është brenda ?
- Im bir me nusen. Janë në gjumë – tha plaku.
Hapën derën e në dhomë hynë disa prej tyre. Çifti ishte në shtrat… Pastaj ikën. Dolën në koridor dhe i thanë njëri tjetrit. « Na shpëtoi. Duhet që të ketë kaluar në murrin e fqinjit. Të nxitojmë. Ta kapim. Këtë herë nuk duhet që të na shpëtojë më… » Kini e kishte lartësuar figurën e komunistit me këtë skenë, duke i shpëtuar edhe mërisë së kryeministrit i cili mund që ta fuste dhjetë pashë nën dhe. Ta syrgjinoste. E pse jo, edhe ta dënonte me burg, edhe pse ai kishte shkelur dhe ardhur nga rruga e luftës për liri.


* * *


Në darkë të njëjtën histori ma tregoi edhe ime ëmë. I a kishte thënë bibliotekaria e qytetit kur piu kafen në shtëpinë time. Nuk tregova interes. Jo se e dija, por se si më erdhi. Kur u shtriva në shtrat, pyeta vehten. Pse i tregon Kini këto ? Pse ai merret me njerëz që përhapin lajme gjithandej. Nuk u bëra xheloz që nuk ma kishte treguar në lulishte edhe mua, por më vinte keq, që ai ishte kthyer në objekt të thashethemeve të qytetit. Nuk zgjidhte njerëzit e duhur për të biseduar.
Që atë ditë, bibliotekaria nuk shkeli më në shtëpinë tonë. Babai u xhindos. « Rrojmë në një kohë dhe vend të keq » na tha. Ime ëmë nuk e bëri më shoqe.
Po Cërriku nuk bënte dot pa thashetheme. Nuk jetonte. Shkrimtari i ardhur nga Tirana ishte një gjah i majmë.
Edhe pse isha gjimnazist në ato vite e i pa formuar mirë, në etapën e fundit të adoleshencës, m’u krijua përshtypja se Kini ishte një njeri i sinqerte dhe i çiltër, më shumë se ç’duhej. Ata që donin ta rrëzonin e dinin mire skemën kur e prunë në Cerrik.
Pas pak muajsh ai përfundoi në pranga. Kjo ndodhi shpejt. Në gjyq i dolën dëshmitarë, hotelxhiu dhe…guzhinjeri. E akuzuan për armik të partisë, për agjitacion e propogandë. Gjyqin i a bënë në Elbasan. I dhanë 6 apo 8 vjet burg. Nuk më kujtohet. Filmin që realizuan sipas skenarit të tij në Cërrik, nuk e shfaqën. E ndaluan dhe e bllokuan pa dalë në premierë. Në të ishte gjithë qyteti. Jeta dhe njerëzit e tij. Dhe ata që e akuzuan. E përgojosën. E shkatërruan dhe e dënuan.
Kishte shkruajtur me dashuri për ta.
Përfaqsues së klasës së re puntore. Naftëtarë…


* * *



Nuk e di se sa pas vitesh, por ka qenë Mars at’here. Elbasani festonte Ditën e Verës. Ishim të ftuar tek xhaxhai, sepse gruaja e tij ishte elbasanase. Do ta festonim së bashku. Ishte planifikuar « Rrapi i Manxit » për të ngrënë drekën e festës. Atje mblidhej gjithë qyteti. Organizoheshin aktivitete artistike. Grupet amatore dhe estrada e qytetit jepte shfaqie.
Nga orët e para të mbasdites zbrita në qytet. Erdha më herët me disa djem që i njihja. Ishin shokë të djemëve të xhaxhait tim. Përcolla edhe një tek autobuzi i Daj Ganit, një cërrikas që ishte me ne, dhe u ktheva në rrugën me kalldrëm, bri axhensisë. Mora të përpjetën e pazarit. Tek cepi i mapos, bri një dyqani me « Bogaçe », u shfaq Kin Dushi. Këtë herë i krrusur dhe i plakur shumë. Gati sa nuk e njoha. Kishte një paltesy doku të vjetër bojë qielli, e të dalë boje. Ecte si i trembur. Ndali një çast para meje. Pastaj u duk se u pendua. Mbase mendoi në çast se nuk donte që të më bënte pis. Zuri udhën. I fola. Kin
U kthye dhe më dha dorën.
- Poet. E dua Cërrikun dhe njerëzit e tij, por jo ata që më dënuan. Mos u a pafsha sytë, hotelxhiut dhe guzhinjerit. Ishin spiuna të sigurimit. Por edhe këtu në Elbasan tre poete më dënuan. Ata i a bënë aktakuzan hetuesit tim që më torturonte ç’njerëzisht. Analizuan edhe romanin. Atë skenën që di ti, për të cilën më pyeti kryeministri. E nxorrën reaksionare…
Me tha që kishte dalë nga burgu ca kohë më parë, dhe se jetonte në Tiranë, pranë familjes.. Me sytë kishte probleme serioze dhe se i trembej errësirës së përjetshme.
- Bëji të fala Hyjni Cekës, dhe Dhimitër Xhuvanit. Këtij nuk i kam folur kur punonte në Pazhok dhe shoqërohej me ty. Ishte me ftohmë, ashtu si unë…
Porosinë i a bëra. Dhimitri qeshi duke vënë buzën në gaz. Ishte rringritur përsëri në këmbë atë kohë. Punonte në kinostudio si skenarist. Hyjniu, profesori im i letërsisë, djali i Salim Cekës, që u dënua me vdekje se përktheu « Shopenhaurin » në Shqipëri, më pa në fytyrë si i friksuar.
- Faleminderit – tha nën zë
Për Kinin, nuk dëgjova më. U duk se u harrua.
Nga mezi i viteve 80 të, ndërsa zbrisja në Cërrik për tek prindërit e mij, me djalin tim të vogël përdore, në një shtyllë neoni pashë një lajmërim vdekje. Pyeta dikë që posa i hodhi një sy
-Eshte ai që futi në burg atë shkrimtarin. Hotelxhiu – më foli një zë nga pas, që kishte dëgjuar interesimin tim.
Ktheva kokën. Ishte Pashakua..
Pashako Çela, një tjetër personazh i atij qyteti, të cilin tashmë e kisha braktisur prej disa vitesh. Jetoja me famijen time të re në Elbasan.
Gruaja – burrë që bënte jetë të dyfishtë, midis mashkullit e femrës, si një virgjëreshë e vërtetë, njihej mirë në atë komunitet puntorësh. Kishte punuar në rininë e saj si traktoriste. Shumica e konsideronin si të ç’mëndur, por ajo jetonte tjetër kohë. Jo të atyre që të fusnin për hiçgjë në burg…pa pagesë, por me militantizëm. Shkatërronin jetë njerëzish…
Pashakua këta tipa i vinte në majë të hunit…








Shume bukur, leko,

ka nje gjendje naiviteti te kendshme, nje rrefim te shkujdesur ndaj dhe artistik gjer atje sa une them se kjo eshte gjeja me e mire qe mund te besh ti leko: Ky liber, per ata qe ke njnjohur midis kleçkomaneve ne Elbacerrik, do te jete nje liber fare i vecante yti.

ke tere ata karaktere, ke pjeset e tua qe levizin andej kendej, si nje antene qe ndjen e vuan bashke me te tjeret, me te zotet e hallit...

bukur,

farua

Tuesday, 17 May 2011

NATA E PARE E MARTESES ME SHI

Tregim

Nata e parë e martesës me shi


Dera e makinës u përplas lehtë nga pas. Marenglen Peka e mbante për dore nusen e tij të veshur krejtësisht në të bardha. Ajo buzëqeshte e sytë e mëdhenj blu të saj  kërkuan ato të djalit dhëndërr, nën ndriçimin e zbehtë të një shtylle neoni. Sapo e kishte nxjerrë prej andej. Makina, një “Varshavë” e vjetër dhe e tejpërdorur e komitetit të partisë, e kishte sjellë çiftin nga salla  e ceremonisë së dasmës, duke lënë pas në çakërrqejf nën avujt e alkoolit, dasmorët dhe të gjithë të ftuarit në atë gëzim.
  - Sa qejf - tha ajo pa vazhduar mendimin, të cilin po e bluante në kokë në atë çast dhe u kujdes për fustanin e bardhë që ia shtyu një fllad i lehtë ere, i ngrohtë,  që lëpinte asfaltin si një qenie e padukshme. Në duar mbante një tufë me lule që ia kishin dhënë në sallë, kur u nis për në shtratin bashkëshortor.
U përplasën edhe dy dyer të veturës pasi i kishin thënë : «  Hajt, me trashëgime tani, e jetë të lumtur! Na bëfshit fëmijë të bukur! » Ishte shoferi i babait të Marenglenit, si dhe një kushëri i tij, që i kishin përcjellë për në folezën bashkëshortore.  U ndje gazi i saj dhe tymi i lehtë që la pas, e në çast u zhduk pas kthesës.
Dhëndërri i ri zgjati kokën dhe e puthi në faqe nusen e tij. Vajza qeshi me një kukurisje të mbytur femërore. Ndjehej shumë e lumtur. Flokët gështenjë dukeshin krejtësisht të zeza.
Djali këtë rradhë tregoi çelësin e shtëpisë, që mbante nëpër duar. Ana qeshi lehtë, pa të keq, duke e shtrënguar në krah. Pastaj diçka i çuçuriti në vesh dhe të dy hodhën hapat drejt hyrjes së pallatit, pesë metro më tej.
      - Vajzë të lind nëna, por ama, grua të bën burri –tha Ana Gjika, dhe qeshi sërish duke tundur gishtin tregues përpara njeriut që do të ishte këndej e tutje burri i ligjshëm i saj, si për t’i thënë, “Është rradha jote tani që të më çvirgjërosh”
        Marengleni ndali hapat një çast. Ishin në fund të shkallëve, ku më tej nxinte gjithçka. E puthi. Pastaj tjetra e tërhoqi lehtë për dore, sikur donte të nxitonte, për të hyrë në shtëpinë e re sa më parë. Dukej sikur mezi e kishte pritur këtë moment. Ngjitën shkallët me një frymë si dy të rinj të sapodashuruar. I qeshnin njeri- tjetrit me një pafajësi fëmijërie.
Tek pushimi i dytë, Ana qëndroi. Kërkoi që të mbushej me frymë në një çast. Marengleni që kishte ngjitur dy shkallë u kthye. Zbriti.
      - Ç’ke moj zemër ? – i tha ngadalë
      - Asgjë – tha tjetra duke vënë dorën mbi gjoks. – U lodha.
         Kishin edhe një kat.
Ishin lidhur në një fejesë vetëm pak muaj më parë. Babai i Marenglenit, sekretari i partisë së qytetit e kishte kërkuar për nuse ditën e Vitit te Ri. Atëherë Ana studionte në Institut, në një qytet të veriut, për Histori-Gjeografi, ndërsa djali mbaronte për inxhinieri kimike në Universitetin e Tiranës. Prindërit e vajzës ishin gëzuar nga ky rast që po u vinte në derë, pasi Bektash Peka ishte njeriu që kishte në duar krejt fatet e atij qyteti, që nuk i kalonte të pesë mijë banorët. Madje ai i kishte nxjerrë edhe bursën vajzës së tyre.
 Ana , një vajzë me botë, edhe pse nuk kishte mundur që të simpatizonte e të lidhej me ndonjë djalë në jetën e saj, fillimisht nuk pranoi. « Do të të mbaj mësuese në qytet ky sekretari ynë, i tha e ëma. Do të rregullosh jetën e nuk do të bredhësh fshatrave, ku venë shoqet e tua. Nuk përballohet jeta ashtu. Pastaj kemi vajzën tjetër që ka rradhën për shkollë të lartë. Do të të gjej shtëpi e do të jetosh e qetë duke bërë një jetë të rehatshme. I biri është i urtë dhe i sjellshëm. Do të punoj këtu në uzinë. Lum si ju pastaj. Unë e Vangjeli jemi punëtorë të thjeshtë. Me turne gjithë jetën kemi punuar, pa asnjë çadëre e përkrahje. Këtej e tutje do të kemi një mburojë. Është ai, sekretari që na ka trokitur.
Asnjë nuk e mendonte se Marengleni do të lidhej me Ana Gjikën. Ishte rritur në atë qytet, por nuk kishte rënë në sy. I qetë e studiues. Moshatarët thoshin për të, se është tip vajze. I ndrojtur vinte, dhe nuk para shfaqej në qytet, edhe pse ky ishte tepër i vogël në hapësirë. Kishte ca sy të bukur e jeshil e një pamje engjëllore. Ndryshonte kryekëput nga tipi i të atit, i cili kishte ardhur në rininë e tij nga një fshat i largët i krahinës për të punuar në uzinë. Fillimisht elektricist e pastaj mori e ngjiti shkallët e karrierës. Kur bëri edhe shkollën e partisë në Tiranë, e sollën sekretar të komitetit të partisë. Dhjetë vjet pa lëvizur. Ai vendoste për gjithçka në qytet, me një pushtet gati të pakufizuar. I vrazhdët, kokëfortë e nevrik. Të gjithë i ruheshin këtij cenit të fundit të sekretarit. Të bënte gjëmën Bektash Peka në se të zinte lapsi i tij.
Ana Gjika, nuk rezistoi gjatë. U dorëzua. Në fakt djali i pëlqente, dhe i dukej krejt ndryshe nga tipat e meshkujve që njihte aty rreth. Lidhi fejesë me djalin e sekretarit. Kështu i flisnin në qytet. Ishte i vetëm.
Por atë që nuk bëri Ana, tentoi Marengleni. Në shtëpi për këtë lidhje ishte folur më shumë se një vit më parë, por djali kishte ngulur këmbë duke thënë se « nuk ishte i gatshëm për një hap të tillë ». Sekretari nuk mund që të priste. Vajzës së Vangjel Gjikës i a kishte vënë syrin për këtë punë sapo ajo mbaroi gjimnazin, e kur kërkonte bursë. Binte në sy për trupin e saj të kolmë. Kishte vërtetë një bukuri të rrallë që nuk e gjëje tek ndonjë vajzë tjetër në qytet. Ishte qejfli Bektashi, dhe bukuria femërore nuk mund t’i shpëtonte aq lehtë syrit të tij.
Dy muaj më vonë, tha përsëri jo. Bektashi këtë herë i kishte shkuar në universitet për ta takuar. Ishin darkuar në qendër të Tiranës, tek “Peza”. Por sekretari nuk mund të humbte durimin. Për 1 Majin, kur djali mbërriti në shtëpi, biseda u nis përsëri. Këtë herë ishte nëna që i u përgjërua duke derdhur lot. Por Marengleni nuk premtoi. Kërkoi që ta linin sa të mbaronte provimet, pastaj mund të diskutonin përsëri. Marëveshja funksionoi vetëm një muaj se fejesa u servir sërish. Djali nuk po dorëzohej. Bektashi u vu në hall. Hynte e dilte në shtëpi, e shfrynte. E shoqja, Zeqineja, nuk e duronte. Vuante dramën. Djali i dhimbsej, sepse ai ishte dobësuar shumë kohët e fundit, por donte që ta shihte të lumtur.
- Nuk ka kala që të mos e marrin komunistët, Zeqine. Mblidhe mendjen. Do të bëhet se s’bën. Bektash Pekën e dëgjon dhe e ndjek pas një qytet i tërë, dhe jo djali im që i kam bërë kokën.
Në fund të verës dyshoi. «  Po ç’ka ky i uruar që mbyll sytë përpara një bukurie të tillë si vajza e Vangjel Gjikës ? I thuhet jo asaj ? Nuk mund që të ketë asnjë arsye. Të jetë ndonjë vajzë tjetër në këtë mes? Po kësaj nuk i besonte. E njihte mirë të birin. Nuk dilte nga shtëpia, veçse lexonte aty në dhomën e tij. As me shokë të fëmijërisë nuk takohej, edhe pse ata vinin shpesh, dhe e ftonin për të dalë jashtë.
E përcolli i pezmatuar për në shkollë. Djali i tha :
- Ky është viti i fundit baba. Më duhet që të përgatitem mirë. Pastaj, unë mendoj që të punoj disa vite. Pret kjo punë. Këtu jemi. Mbase edhe Ana deri atëherë, nuk ka gjet fatin e saj..., dhe bëhet.
Gjatë vjeshtës Bektash Peka shkoi nëntë herë të takonte djalin në kryeqytet. Shfrytëzoi shërbimet në Tiranë. Marengleni e kthente bosh. Në fund të dhjetorit, sekretari solli nga fshati nënën e tij plakë, që rronte me vëllain e vogël atje. E pamundur dhe e sëmurë.
- Kjo e ka jetën me ditë, por dëshiron që nipin ta shohë me nuse. Ti e di që të do fort e të ka mbajtur kur ishe i vogël. Mezi po pret. Do ti a zgjatësh jetën edhe ca. Të gëzojë e të lumturohet edhe ajo, si gjyshe, që ka mbërritur ndershmërisht tek shtatëdhjetat.- i tha Bektashi djalit kur mbërriti për pushimet e fundvitit.
Marengleni nuk dha përgjigje dy ditë. Nuk vuri as gjumë në sy. Të tretën, i tha babait përballë.
- Mirë unë, ja po pranoj, po ajo, Ana e Vangjelit, a do të dojë vallë ? Ti ke dëshirën baba, por ajo vajzë mund të këtë zgjidhje tjetër.
- Pse mendon ti që ka njeri në këtë qytet që t’ia prishë dëshirën Bektash Pekës ? Jam sekretar partie, o kokë. – Vuri gishtin tregues mbi kapelën tip kineze që ishte vënë në modë nga drejtues partie kudo. – Mblidhe mendjen , o djalë. Kjo krushqi do të bëhet se dua dhe e kërkoj unë. Ta kenë për nder.
Një natë më vonë trokiti tek Gjikajt. Ata, aty për aty, nuk i thanë gjë. Dy ditë më vpas i thanë: “Kjo punë bëhet”. Dasma u la për në vjeshtë, atëherë kur çifti nuk kishte më detyrime ndaj shkollës.
… Ana u duk se e mori veten. Ishte e gëzuar. Shkallët e mbetura deri tek dera i ngjiti si një flutur, duke e ngritur paksa fustanin e nusërisë, për të mos e shkelur me këmbë që të rrëzohej. Sikur të ishte vënë në garë me Marenglenin, doemos që fituese do të ishte ajo. Tjetri erdhi nga pas me një frymë. Qëndroi një çast dhe i zgjati çelësin nuses.
- Hape, – i tha – brenda është jeta jote.
      - Dhe e jotja, sëbashku. Kështu si i ngjitëm shkallët sonte, të dy  - tha vajza.   
      Marenglen Peka nuk foli.
Ajo i kërkoi një puthje por djali nuk e kishte mendjen aty. Ana u ngjit pas buzëve të tij duke i a kapur kokën me dy duar e saj që dridheshin. Pastaj i a vendosi mbi supe. Tjetri nuk lëvizi. Vajza ishte tej e emocionuar. Ai ndjeu që kishte një fërgëllimë të brendshëm dhe zemrën që i rrihte me vrull në kraharor.
- Vajzë të lind nëna, por grua ama…të bën burri. Do të më ç’virgjërosh. – tha ngadalë në vesh. – Të betohem Marenglen që e kam për të parën herë. Dua që të jem grua. Mezi pres të bëjmë fëmijë. Do të jenë të bukur. Këtë e ndjej. I dua shumë, shumë. Por edhe ty të dua. Të kam ëndërruar, i miri im.
I përkëdheli flokët në atë gjysmerrësirë ku drita e paktë e neonit jashtë, futej nëpërmjet një dritareje në murin përballë, mes shkallëve që të ngjisnin një kat me lart. Pastaj e mori çelësin nga dora e djalit, mbledhur grusht, e u kthye nga dera. Kërkoi brimën dhe e hapi shpejt. E tërhoqi Marenglenin, dhe u mbështetën ne korridor. Djali që kuptoi se Ana i a kërkonte puthjen përsëri, e mbërtheu me dy duar në bel. Ajo i dha trupit përpara si në një gjysmë hark duke u bërë njësh me trupin e tij. Ranë në dysheme. U kujtuan që kishin lënë derën ende hapur. U ngritën shpejt dhe e mbyllën. Përtej, mbas derës përballë, në korridor u dëgjua një kollë. Dikush nga komshinjtë ishte zgjuar nga zhurma që bënë të dy. Nuk e hapën dritën. Ana e dinte përmendësh planimetrinë dhe vendosjen e gjithë orendive të shtëpisë. Tre ditë më parë i kishte rregulluar e sistemuar së bashku me motrën e saj e Marenglenin, i cili i ndihmonte në ç’vendosjen e paisjeve të mëdha. Këtë herë vinin për të filluar jetën të dy, si burrë e grua, për të jetuar përgjithmonë aty.
Ora kishte kaluar dy pasmesnate dhe po shkonte me nxitim tek treshi. Dukej sikur nuk ndalej dot. Kështu kishte bërë ajo që me krijimin e ngjizjen e të parës farë të jetës në këtë botë. E pa. Ndërkohë një krismë tronditi krejt apartamentin dhe bëri që Ana të vejë duart instiktivisht në koke, e të shkojë me nxitim në dhomën e gjumit. Xhamat e dritareve lëshuan një tingul,l por nuk krisën. Jashtë një vetëtimë u duk se e çau qiellin e natës mëdysh, si një urë zjarri që zbret vërtik nga qielli për të ndezur krejt qytetin. Marengleni e ndoqi nga pas, dhe e gjeti nusen e re të trembur, të ulur në buzë të shtratit. E mori përdore dhe e ngriti sërish. E puthi lehtë në buzët e holla që ende dridheshin. Dukej krejtësisht e trembur.
 - Erdhi kaq befasisht sa nuk e mendoja. Ka kohën në fakt. Vjeshtë është. Mirë që mbërritëm në shtëpi – tha Ana Gjika, dhe menjëherë i u hodh në qafe dhëndrit të ri. Këtë herë ishte ajo që kërkonte buzët e tij. Duart e saj pastaj shkuan e shkopsitën xhaketën e kostumit të dasmës, tek njeriu me të cilin kishte vendosur që ta ndante jetën pas kësaj, por djali nuk shkëputej dot nga përqafimi, dhe nuk u la udhë duarve të Anës që të vazhdonin më tej
 - Kemi kohë  – i tha, ndërsa me buzë shëtiste nëpër gushën e bardhë të nuses së tij.
Ana hoqi dorë nga mendimi se do të mund që të zhvisheshin shpejt për të shkuar në shtratin bashkëshortor. Rituali i zhvillimit të jetës kishte kohë për më vonë. Mund që edhe të priste disa çaste, ndonëse vajza i ndruhej, duke e konsideruar jo vetëm një mister. Përjetonte edhe një ndjenjë frikë. Eleni, vajza e xhaxhait që ishte martuar dy vjet më parë, e kishte pyetur Anën vetëm tre ditë para dasmës. “A je e prishur?  Ua…! Nuk e ke bërë gjatë fejesës?. Eh!... Çdo të heqësh natën e parë. Do të më kujtosh…Ke për ta parë moj korbë”
Marengleni zgjati dorën në një çast poshtë, në mes të shalëve të tij, si për të kontrolluar diçka që mendonte, se i kishte humbur. Kuptoi se ishte ende në gjumë. Nuk reagonte. Lëroi kollaren dhe i u duk se u mbush më mirë më frymë. Ndërkaq, një vetëtimë përflaku qiellin e natës së zezë pis, e drita e saj krijoi hijet e të dyve në mur. “Natyra kërkon që të ngjizë », tha me veten e tij djali.   Ana u tremb. U mblodh menjëherë. U përkul.
Xhamat krisën nga një gjëmim që tronditi dritaren.
- Hajde të shkojmë në shtrat – tha vajza që priste të bëhej grua atë natë. Në zërin e saj dallohej një ndjenjë frike. – E kam zakon nga vegjëlia. Kështu bëja edhe atëherë. Fusja kokën nën jorgan, sa herë që në mbrëmje shfaqeshin jashtë shigjetat e zjarrta dhe bubullima.
Dhëndërri e tërhoqi nga dora dhe e mbështeti përsëri në murin që kufizohej  me derën, pikërisht në momentin kur Ana mendonte se do ta çonte drejt e në shtrat. Kishte hequr me shpejtësi këmishën dhe pantallonat. Nusja mblodhi menjëherë dy duart në gjoks, si për të mos u bindur e kundërshtuar njeriun që kishte zgjedhur për shok jete..
      - E dua në shtrat ta bëj – tha Ana Gjika.
         Mendoi se atij nuk i pritej tashmë. Kishte ndryshuar mendim në çast. Donte që ta bënte atë punë aty në këmbë. Por djali u përhumb. Nuk lëvizi. S’dinte se çfarë të bënte tani. E kishte vënë pas murit gruan e jetës, pa e ditur se ç’mund që të bënte në atë moment. U ndje i penduar
Ishte ajo këtë herë që e tërhoqi Marenglen Pekën drejt krevatit bashkëshortor. Në buzën e tij ajo u zhvesh menjëherë, duke e lënë që të binte deri në fund të këmbëve fustani e nusërisë. Kishte mbetur në këtë çast vetëm me sutienat, dhe të mbathurat e holla rozë, krejt transparente. Këto i a kishte dhuruar një shoqja e saj e klasës në institut nga Durrësi. Dukeshin firmë. I a kishte sjellë i ati. Ai punonte shofer-Albanie me makinat që shkonin jashtë shtetit. Ana ishte mahnitur me dhuratën e veçantë, dhe i ishte hedhur në qafë. Ta kam sjellë për natën e parë i kishte thënë durrsakja, të premten në mesditë, sapo kishte mbërritur si e ftuar në shtëpinë e Anës.
Marengleni treti vështrimin përtej dritares, e në çast i u duk se dëgjoi tingujt e ëmbël të një violine që luante “napolonin”. Ishte  qemania e Dalip Jevgut që pastronte pusetat e komunales. Ndjehej tej me një zë të lodhshëm e të përvajshëm. Duhej që të ishte një dasmë që bëhej në apartamentin përbri, përtej rrugës. Me sa dukej, nuk kishin gjetur ndonjë nga lokalet e pakta në qytet.
Nusja kishte palosur fustanin duke e lënë hë për hë mbi komo, së bashku me sutienat, hoqi edhe mbulesën e shtratit dhe u kthye nga Marengleni, si për t’i kujtuar atij detyrën që e priste para këtij çasti, që në jetën e një çifti, është dhe mbetet i shenjtë. Djali e soditi Anën në atë gjysmë errësirë me një ndjenjë pafajësie. E shihte për të parën herë të zhveshur vajzën që e kishte zgjedhur për shoqe jete. Ajo nuk e kishte aspak ndjenjën e turpi. Nuk u ndruajt si femër, kur zë e shfaq lakuriqësinë e saj të brishtë vajzërore, përpara një mashkulli. Marengleni kuptoi se ajo ishte e përgatitur mirë psikologjikisht për natën e parë të bashkegzistencês në çift. Madje dukej se mezi e priste këtë moment. Ai asnjëherë nuk ishte ndodhur përpara një femre, në intimitetin e saj. Ana Gjika priti që ai ta përqafonte, ta përkëdhelte në të gjithë qenien e saj epshndjellëse, po shoku i jetës qëndronte i ftohtë.
- Ç’presim – tha ajo, dhe i hodhi dy duart në qafë. U mbështet në gjoksin e tij, dhe e lëshoi paksa trupin. Të dy në çast u rrokullisën në shtrat. Ajo u gjend lart, sipër. E puthi lehtë në buzë. Tjetri dukej se diç mendonte. Në një moment nuk reagoi, por pastaj, sikur të ishte zgjuar nga një gjumë i thellë, lodhës e rraskapitës, e pushtoi. U bënë njësh, si të ishin salduar aty prej shumë kohësh…
Një çast më pas Marengleni u ndje i dëshpëruar. I ulur në krahun e djathtë të Anës, kaloi dorën mbi kaçurrelat e tij te zeza. Vajza e shikonte përmallshëm.
- Nuk ka gjë, i dashur dhe i miri im. E ke nga emocioni. Kam lexuar që u ndodh shpesh burrave kur bien në kontaktin e parë me gratë. Do të kaloje. Ke për ta parë. Mos u shqetëso. Ne do ta provojmë përsëri. Do ta shikosh që do të bëhet. Pastaj,...Nata e jonë është. Qetësohu shpirt...
Në një cep, aty pranë tij ishin të mbathurat e Anës. Te zhubrosura e të hedhura pa kujdes. Të tijat ndodheshin poshtë në dysheme. I kishte vënë shkujdesshëm, ndërsa kërkonte të bënte detyrën e tij si mashkull e bashkëshort. Nuk ishte nxituar për momentin, pasi priste që të ndjehej burrë përpara gruas së tij. I ishte trembur impotencës. E kishte mbajtur fshehur nga të gjithë. Pas moshës tetë vjeç, kur sapo kishte kaluar një sëmundje të rënde infektive, nuk e kishte ndjerê për të gjallë organin e tij mashkullor. Ishte ndodhur në fshat atëherë, tek gjyshja. Si në vegullime i vinte ajo kohë kur dilte me djemtë e tjerë të fshatit në përrua. Atje bënin garë se kush e hidhte pipinë më larg. Kishte fituar disa gara… Pas sëmundjes që e kishte mbajtur mbi dy muaj, duke e shtruar deri në Tiranë, nuk e kishte ndjerë më të gjallë. Mjekët herë pas here e pyesnin gjatë seancave të shërimit në se ndjehej akoma mashkull i fortë, dhe ai kishte gënjyer. I vinte turp. Profesori, një burrë tek gjashtëdhjetat, i kishte thënë, Bektash Pekës. “ E kaloi lehtë, dhe me pa probleme të rëndësishme. Nuk ka ndodhur ajo që i trembeshim ne. Pastaj do të na duhej që të…Ndoshta do të na duhej që edhe ta nxirrnim jashtë në një klinikë të specializuar. Por Marengleni nuk kishte guxuar që të thoshte më të vërtetën. Dhe nuk e tregoi asnjëherë në vitet e mëvonshme, askujt. Babait, kur ishte në adoleshencë i kish thënë se “ishte në rregull”. Më shumë se nga ndrojtja,  ishte turpi në këtë mes, që e kish bërë ta mbështjellë sekretin e tij me heshtje. Por shpresonte. Shpresonte tek momenti. Tek momenti kur të ish përballë një femre, të cilën do ta bënte të vetën, edhe pse kishte hezituar të kërkonte seksin, në shkollë e në universitet.
Ana u ngrit përgjysmë. Zgjati kokën dhe me majën e gjuhës i lëpiu qafën nga pas. Djali u ndje i bezdisur në moment. E gjithë kjo gjendje e rënduar psikologjikisht, nuk mund që ti shpëtonte pa u vënë re nuses në shtrat. Vendosi bërrylat, e gjysmë e kthyer nga ai, tha:
- Nuk ke pse të dëshpërohesh, shpirt. Është një çast kalimtar. Emocion. Do ta shohësh që gjithëçka do të shkojë. Je i ndjeshëm, i miri im, xhan. Do ta provojmë përsëri. Qetësohu në këtë moment, i dashur. Mos e ki mendjen aty.
Ana Gjika dukej si e vetme në atë dhomë bashkëshortore. Marengleni hodhi përsëri sytë nga dritarja, e përtej xhamave dalloi se kishte filluar të vesonte shi. Neoni poshtë në trotuar sillte fasho drite në dhomën e heshtur. U shtri, dhe vuri ngadalë kokën në jastëk, në errësirën e natës gojëprerë. Brenda, poshtë çarçafit të bardhë si bora, ndjeu dorën e Anës që e ledhatoi në gjoks, ndërsa shpupuriste leshin e dendur aty.” Duhet që jetë shumë mashkullor” , mendoi. Kështu i kishte thënë dhe një herë e ëma, kur ishte ende adoleshente, një vit poshtë maturës. “Burrat leshator në gjoks, janë potentë e të fuqishëm me gratë”. Edhe Vangjeli, ashtu ish, dhe për këtë nëna nuk dyshonte aspak.
- Nuk të shoh dot kështu – i pëshpëriti në vesh. – Kemi arsye të gëzohemi. Të jemi të lumtur, sonte e përgjithmonë. Të dua shumë, xhan.
“Ta provoj edhe një herë”, i tha vetes Marenglen Peka, pas përkëdheljes që mori nga Ana. Për të ndjente edhe pse nuk ishin lidhur në dashuri më parë. Kish bukurinë dhe zgjuarsinë, së bashku. Ajo dallohej në atë qytet të vogël në buzë të maleve e që lagte këmbët në një lumë që rridhte në fund të tij. Këtë i a kishin thënê edhe shokët e vegjëlisë. Ana Gjika ishte ndryshe nga vajzat e tjera. U kthye nga ajo dhe e puthi. Vajza i u fut si një mace. E shtrëngoi fort në kraharor, e filloi i pari lojën erotike. Ana i u përgjigj menjëherë… Kur kishin kaluar mbi njëzet minuta, Marengleni u tërhoq përsëri. Por vajza fërgëllonte nga dashuria.
Uli këmbët e zbriti këtë herë nga krevati. Nuk ishte ndjerë sërish për burrë. Kjo e dëshpëroi më shumë. Eci në gjysmë errësirën e dhomës e qëndroi përballë dritares. Largoi më tej perden që nuk e kishte zënë plotësisht hapësirën.
- Mos u mërzit shpirt. – tha Ana që kishte mbështetur dy bërrylat, gjysmë e ngritur. – S’ka gjë, mund që ta bëjmë dhe nesër. Mbase je edhe i lodhur sonte. I stresuar, o i miri im...
Por Marenglen Peka, nuk foli. Shikonte jashtë, përtej xhamave, qytetin që flinte. Në pallatin përballë, aty ku dritat ndriçonin dy dritare, dalloi hije njerëzish. Poshtë në asfalt pa pikat e shiut që kishte zënë shtruar. Tani, nuk kishte më dyshim për veten. I erdhi keq për Anën. “Çfarë ti bëj unë kësaj?” pyeti veten. “Është ndezur plotësisht. Ka ardhur në afsh. E gjora, kërkon të bëj detyrën time, atë të vazhdimit të jetës…Po ky që nuk kujtohet e nuk bëhet i gjallë.?” Kaloi instiktivisht kurrizin e dorës së djathtë si për ta cekur, dhe për të provuar ekzistencën në se ishte aty. “Eh !, nuk jep asnjë shenjë për të më bërë burrë. Me turpëroi tmerrësisht. Më lëndoi. Nuk ka asnjë shpresë…Po pse kalohet kështu ? Unë i besova…Unë besova se do të bëhej i gjallë përpara Anës sime. Edhe kur dhashë e mora puthjen e parë, por edhe kur u bëra njësh me të. Po ky nuk reagoi. Nuk dha asnjë shenjë. I besova këtij çasti. Këtij çasti kur duhej të më bënte mashkull, dhe pjesë të jetës e strukturës së saj, por as edhe tani...
Ana përtej priste e pafajshme, krejtësisht e zhveshur dhe e nderur mbi shtrat.
“I trembesha edhe këtij momenti, ndaj edhe ngurova deri tani. Nuk jam më asgjë, për asgjë, pa asnjë funksion. Jam një hiç dhe i padobishëm. As mashkull
      - Eja - i tha vajza me një zë të ëmbël e të ngadaltë, - eja…Mos e vono…
Po pse e bëra ? Plotësova një kërkesë të vazhdueshme të prindërve të mi. Po ata nuk më kanë asnjë faj. E ku ta dinin ? Në fund të fundit ky është gëzimi dhe qëllimi i jetës për çdo çift që lidhet në një martesë. Fryti i dashurisë së tyre ta ricikloj jetën për të tjerët. Oh !...Më vjen turp.... Nê fakt, jam një eunuk i pa tredhur, që nuk mund të shërbej më për asnjë gjë
Kjo gjë ishte veçse një ëndërr. Ëndrrat janë për ata që dinë t’i shikojnë.
Ktheu kokën pas. Në shtrat, Ana si një nimfë e sapo dalë prej ujit, qëndronte e heshtur në mes të shtratit bashkëshortor, pa ditur se ç’të thoshte. Trupi i saj i lakuriqtë, i përkorë dhe epshndjellës, i spërkatur me pak reze drite, qe hyri me nxitim nga dritarja, e bëri Marenglenin të ndjehet më keq se asnjëherë.
     - Anë, dua që ti të jesh e lumtur!
Nusja e re nuk foli. Mbylli qerpikët sikur të kërkonte ëndrrën, momentin, dhe djalin me të cilin po niste një jetë krejt tjetër. Dhëndëri tërhoqi dy kanatet ngadalë. S’donte të prishte qetësinë dhe intimitetin e atij mjedisi, në atë çast të magjishëm. Flladi tundi perdet e mëndafshta në ngjyrë trëndafili, e shkoi e përkëdheli kofshët e gjoksin e vajzës nuse, që priste të bëhej grua   
      - Nuk është aq vapë i dashur. Eja! Sezon vjeshte. Fryn. - tha Ana Gjika  me një zë të butë, përplot mirësi  e me ca sy të qeshur, që Marengleni nuk ia pa më.
 Pastaj hoqi sytë për një çast andej nga dritarja e hapur, ku era tashmë gufonte gjithë masën e tyltë. U drodh. Zgjati duart në atë gjysmë errësirë dhome që mbante erë parfum, për të marrë çarçafin e ta hidhte përsipër lakuriqësisë në shtratin e ngrohtë. Në fillim ndjeu një zhurmë të lehtë, diçka si kërcitje të mbytur druri, në çastin ku masa e copës së bardhë i kishte mbuluar kofshët e kolme, e pastaj një trup i errët i u shfaq, ndërsa iu ngjit tej e tej hapësirës së dritares. Ndjeu një “oh !” e trupi u duk sikur fluturoi përtej në flladin e vjeshtës.
Nuk kishte me kohë të mendonte. Maringleni nuk ekzistonte më në dhomë .
Në çast ishte ngritur përgjysmë. Rrëshqiti nga shtrati duke lënë çarçafin që u derdh pa zhurmë në dysheme, dhe shkoi menjëherë tek hapësira e dritares së hapur. Kapi leshrat e hodhi sytë poshtë në asfaltin e lagur. Trupi i burrit të saj, Marenglenit, ishte aty, i shtrirë, i pa lëvizur, i pajetë. Përreth një pellg gjaku. Nën dritën e zbehtë të neonit dalloi disa fletë të zverdhura, si flutura nate, të zbritura nga pemët që ishin përreth, e që vallëzonin e lodronin nën flladin e lagur te vjeshtës mbi qytet. Përreth binin qetësisht pika shiu.
Nxori një zë si buçimë deti. Shqeu sytë e klithi këtë herë në vaj.
      - Oh !... I shkreti Marenglen. Ç’po më shohin sytë kështu…?I miri im. Po pse, po pse?…Unë korba…Oh! ç’më gjeti mua të mjerën!
Pastaj ndjeu një gulç brenda kraharorit, që erdhi dhe i mbeti në grykë. Kuptoi se nuk mund që të merrte më frymë. Ra e zalisur mbi dysheme.
      …Nga larg vinte sërish tingulli i violinës se Dalipit. Atje po vazhdonte dasma e tjetërkujt. I gëzoheshin që të gjithë.

       Bordo, Tetor 2010

Saturday, 14 May 2011

Nga i njëjti autor
“GUXIMI”, 1997- Tregim i ilustruar
“TRIMI I VOGËL I SKENDERBEUT”, 1979 - Tregim i ilustruar
“NATA FUNDIT E BALLABAN PASHËS”, 1998 – Novelë
“E FSHEHTA E ASAJ DITE”, 1999 - Tregime
“THESARI NË FUND TË DETIT”, 1999 - Novelë
“AMANT BARIU”, 2000 -Roman
“VRASJA E REFUGJATIT”, 2000 - Novelë
“PORTA HAPET NË MESNATË”, 2001 - Roman
“PRINCI QË ÇMENDI PERANDORIN”, 2003 - Përralla
“LEPURUSHI REFUGJAT”, 2009 – Përrallë ( Botim në Francë )
“BARDI I SHPEND UJMIRIT”, 2009 - Novelë
“GONI NUK DO TË LUAJ MË”, 2011 - Tregime